Angela Kosta – Biografia dhe një tregim-përrallë

Angela Kosta – Biografia dhe një tregim-përrallë
ANGELA KOSTA
 
Angela Kosta, ka lindur në Elbasan; por nga viti ’95 jeton në Itali. Ajo është shkrimtare, poete, gazetare, përkthyese, kritike letrare, eseiste, promovuese. Angela Kosta ka botuar 11 libra dhe 2 antologji në italisht me përkthimet e saj të 72 poetëve nga bota. Angela shkruan dhe bashkëpunon me Gazetën “Calabria Live”, Revistën e Artit dhe Shkencave “Nova”, është redaktore në revistën Orfeu - Prishtinë, bashkëpunon dhe përkthen në: Gazetën Nacional, në Gazetën Destinacioni, në Perqasje Italo - Shqiptare, në Revistën Atunis - Belgjikë, në Revistën Obelisk, etj... 
Angela Kosta është Zv. Presidente e Organizatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Korenë e Jugut, Bashkëthemeluese e Shoqatës së Shkrimtarëve Coach Tamikio L Dooley, Ambasadore e Shkrimtarëve dhe Artistëve (SAPS) në Poloni, Ambasadore e Paqes dhe Humanitetit në: vende të ndryshme të botës. Është Ambasadore e Kulturës në Gazetën The Dayli Global Nation (Bangladesh), Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve LSHAI e BSHAI - Itali), Anëtare në Akademia e Artistëve Amerikanë (AAA) në Amerikë, Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi, Anëtare e Shkrimtarëve dhe Artistëve Ndërkombëtarë (CPS - Hungari), Anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare Angeena - Canada, etj... Ajo është vlerësuar me shumë Çertifikata Vlerësimi dhe Nderi nga Shqipëria, Kosova, Italia, USA, Gjermania, India si edhe nga shumë vende të huaja në botë. Angela Kosta ka përkthyer dhe botuar shumë autorë klasikë, ashtu sikurse ka intervistuar dhe përkthyer shumë autorë, artistë e poetë bashkëkohorë nga të gjitha kontinentet. Poezitë e Angela Kostës janë përkthyer dhe publikuar në 30 gjuhë të huaja si në: Itali, Amerikë, Rusi, Belgjikë, Greqi, Kinë, Korea e Jugut, Bangladesh, Marok, Poloni, Portugali, Brazil, Kirgistan, Izrael, Algjeri, etjer… Ajo ka përkthyer gjithashtu 2 libra të poetëve shqiptarë dhe kosovarë. Mediat shqiptare, italiane dhe të huaja kanë botuar shumë artikuj për veprimtarinë e saj letrare.
.........................................................................
 
YLBERI DHE SARA E VOGËL
 
Shpesh përrallat fillojnë me shprehjen: Na ishte njëherë, kurse unë do ta filloja kështu…
Lart në një kodër ndodhej një fshat i bukur me shumë shtëpi. Në pranverë ne fëmijët argëtohemi duke luajtur deri vonë në mbrëmje. Jemi rreth njëzet, gati moshatarë dhe e duam njëri - tjetrin e shkojmë shumë dakord. Shpesh mblidhemi e rrethojmë gjyshen tonë Xhilda. Në fshat e thërrasin të gjithë kështu; ajo është gati njëqind vjeçe por fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo nuk ka të afërm prandaj na konsideron sikur të jemi stërnipërit e saj. Gjyshe Xhilda di të tregojë shume vjersha e përralla të bukura, por ajo që na pëlqen më shumë është historia e Sarës së vogël e cila nuk mundej të ecte. Gjyshe Xhilda na e tregon me zërin e saj disi të ngjirur dhe ne, duke qëndruar në heshtje të plotë, hyjmë në botën e asaj ç’ka na tregon…
Shumë vite më parë në këtë kodër nuk kishte asnjë shtëpi.

Herë pas here vinte një djalë për të kullotur delet. Ai quhej Çiro. Shpesh i pëlqente të rrinte gjatë në majë të kodrës, duke soditur fushën e madhe e cila dukej sikur të ishte një qilim i madh i gjelbër. Çiro vëzhgonte shtegun e vogël që të çonte në pyll, ku dëgjohej rrjedha e ujit në lumë; ujëvara ishte akoma dhe më e bukur nga maja e kodrës. Atij i pëlqente t’ia tregonte motrës së tij Sarës këtë peizazh të bukur e mahnitës. Ajo ishte tre vjet më e vogël se ai, dhe pak ditë më pas do të festonte dhetë -vjetorin e ditëlindjen së saj. Sara nuk ishte në gjendje të ecte, kështuqë çdo mbrëmje në kthim, Çiro i përshkruante panoramën e bukur që shihej nga kodra. Kur koha ishte e mirë, ai përpiqej ta çonte deri në fushë, teksa lutej që të rritej shpejt për të përmbushur dëshirën e vetme të motrës e cila ishte ajo të ngjitej në majë të kodrës. Atë ditë ai u kthye i penduar që nuk mund ta ndihmonte të shërohej dhe, duke hyrë në shtëpi ngaqë nuk e pa, u shqetësua.
Babai i tij e qetësoi duke i thënë se Sara ishte afër lumit ku nëna po lante rrobat dhe më pas do lante edhe Sarën. Çiro vuri buzën në gaz dhe duke menduar se sa shumë i pëlqente motrës të rrinte nën ujë, filloi të fëshkëllejë i lumtur që ajo kishte dalë nga shtëpia.
Sara mbylli sytë qetësisht dhe vazhdonte të shtrinte krahët duke u shtirur sikur po notonte. Nëna e saj ia fërkoi shpinën dhe ajo me mirënjohje nga kujdesi dhe përkushtimi e nënës ndaj saj, i puthi duart. Pasi e mbaroi së lari, e ëma i veshi rroba të pastra dhe teksa thante flokët në diell, vogëlushen e zuri gjumi. Papritur ajo pa t’i afrohej një ketër i cili rrufeshëm, kaloi degën e pemës ku Sara kishte mbështetur kokën. Ajo e thirri dhe, duke menduar se ketri nuk e kishte dëgjuar, mbylli sytë përsëri.
- Dëshiron të luash me mua?
Nuk kaloi shumë kohë që vogëlushja të kuptonte se kush i kishte folur. Ketri i buzëqeshi duke e ftuar sërish të luanin bashkë, dhe duke parë që vajza nuk lëvizte, zbriti nga pema dhe iu afrua. Duke e parë të trishtuar, i erdhi keq dhe duke menduar se ndoshta e kishte shqetësuar, i tha
- Ndoshta të ndërpreva gjumin. Të kërkoj falje, po largohem menjëherë.
- Të lutem mos ik! Rri këtu dhe më bëj shoqëri! Nuk po flija.
- Atëherë pse je kaq e trishtuar?
Sara ngriti supet, duke menduar se kishte gjetur një mik:
-Fatkeqësisht nuk mundem të eci.

Ketri e shikoi gjatë dhe duke menduar se çfarë mund të bënte për ta ndihmuar, i tha se duhej të largohej, por që së shpejti do të kthehej tek ajo. Vogëlushja buzëqeshi dhe pasi e ndoqi me sy e zuri sërish gjumi. Ketri u ngjit në pemën tjetër aty pranë dhe thirri një zog i cili kishte ndërtuar fole disa ditë më parë. Ai i tregoi gjithçka për vajzën e vogël dhe i kërkoi që të lajmëronte miqtë e tjerë. Zogu fluturoi drejt pyllit dhe u ngjit mbi fushë. Priti disa çaste dhe sapo pa një flutur e thirri. Flutura e verdhë me pika të zeza dëgjoi atë që i tha zogu dhe pasi e përshëndeti, i premtoi se së shpejti do të bënte çfarëdo gjëje për të ndihmuar Sarën e vogël. Zogu u kthye i lumtur në pyll dhe së bashku me ketrin prisnin kureshtarë të dinin se çfarë do të ndodhte. Flutura mblodhi mollëkuqet dhe duke u treguar historinë e Sarës së vogël vendosën se si mund ta ndihmonin. Ata nuk humbën shumë kohë dhe së bashku fluturuan mbi fushë dhe, duke zbritur mbi lule, takuan bletët. I pyetën se çfarë mund të bënin për t’i ardhur në ndihmë Sarës së vogël? Njëra nga bletët, pasi u mendua për disa sekonda, tha:
- Unë di një mënyrë për ta bërë Sarën të ecë.
Ajo hezitoi të vazhdonte të fliste, sepse druhej se çfarë mund të mendonin shoqet e saj.
- Të gjithë po të dëgjojmë me vëmendje. Çfarë pret të na tregosh? - këmbënguli mollëkuqja dhe flutura.
- E shikoni majën e kodrës? Pikërisht aty Sara do të jetë në gjendje të shërohet.
Ata kthyen kokat drejt kodrës dhe nuk kuptonin se çfarë po u thoshte shoqja. 
- Duhet të takojmë mikun tonë pëllumbin. Ai është i vetmi që mund të fluturojë shumë lart, më lart se ne, dhe do të jetë pikërisht ai që do të flasë me erën dhe diellin për t’u siguruar që brenda dy orësh ylberi do të shfaqet në kodër. Nëse Sara mund të përqafojë ylberin, ajo do të shërohet dhe do të ecë me siguri.
Heshtja zgjati më shumë se zakonisht; mollëkuqet bisedonin me zë të ulët me njëra - tjetrën, ashtu sikurse edhe bletët.
- Do të thoja ta provojmë. Në fund të fundit, nuk kemi asgjë për të humbur. - tha flutura.
- Prisni! Këtu ka një problem!
Të gjithë prisnin atë që një nga mollëkuqet donte të shtonte.
- Si do ta çojmë Sarën në kodër?
Ata panë njëra - tjetrën dhe për të mos u dorëzuar apo braktisur idenë për të ndihmuar vogëlushen që nuk mundej të ecte, filluan të reflektonin sërish. Për të gjetur një rrugëdalje, njërës prej bletëve i erdhi ndërmend një ide, kështu që ajo tha:
- Mund të pyesim arushin. Ai është një mik i dashur për ne, sepse ha dhe i pëlqen shumë mjalti ynë, kështu që jam e sigurtë se do të na ndihmojë.
Flutura ndërhyi përsëri:
- Atëherë të mos humbasim kohë! Le të nxitojmë të takojmë pëllumbin dhe arushin. Sara ka nevojë për ne, duhet ta çojmë në majë të kodrës sa më shpejtë të jetë e mundur.

Njëra nga mollëkuqet fluturoi për të folur me pëllumbin, ndërsa njëra nga bletët shkoi të kërkonte mikun e tyre të dashur arushin. Sapo pëllumbi dëgjoi historinë e Sarës së vogël, fluturoi aq lart sa mundi. Ai thirri erën dhe iu drejtua diellit, duke i ftuar ta ndihmonin vajzën e vogël. Dielli dhe era, sado që e dinin se sa e pamundur ishte të hynin në kontakt me ylberin, i dhanë fjalën pëllumbit që brenda një kohe shumë të shkurtër, ylberi do të shfaqej në majë të kodrës. Pëllumbi i falënderoi dhe, duke fluturuar sërish, u kthye në fushë ku e prisnin me padurim: mollëkuqet, bletët dhe flutura.

Arushi po mbaronte së ngrëni mjaltin, dhe pasi më në fund u ngop, lëpiu buzët. Edhe atë ditë, mjalti që i jepnin çdo ditë mikeshat bletë, ishte shumë i shijshëm dhe i mirë. Duke parë njëra nga bletët të shfaqej, ai e përshëndeti dhe e pyeti se për çfarë kishte nevojë. Bleta ia ktheu përshëndetjen dhe i shpjegoi arsyen e vizitës. Ashtu sikurse nuk kishte pasur apak dyshim, arushi i tha se nuk e kishte problem fare ta ndihmonte Sarën e vogël. Ai do ta çonte patjetër në majë të kodrës dhe po të ishte e nevojshme edhe në majë të botës. Bleta falënderoi mikun e saj dhe i shpjegoi se ku ndodhej vogëlushja në atë moment. Ndërkohë, zogu që kishte dëgjuar gjithçka fluturoi shpejt për të paralajmëruar ketrin; duhej ta zgjonin Sarën e vogël duke i shpjeguar se arushi ishte shoku i tyre dhe se ai po vinte tek ajo për ta çuar në majë të kodrës. Vetëm kështu Sara nuk do të trembej.

Ndërkohë, era dhe dielli po flisnin me ylberin, i cili sapo dëgjoi historinë e Sarës së vogël u tregua i gatshëm ta ndihmonte. Ai thirri menjëherë shtatë ngjyrat dhe duke vënë të gjithë gjallërinë që i kishte dhënë natyra, i ftoi të mblidheshin së bashku dhe brenda gjysëm oreje, pas një vese shiu të lehtë, u shfaqën në majë të kodrës. Ketri e zgjoi vajzën e vogël dhe i shpjegoi me butësi gjithçka. Sara e dëgjoi atë dhe, duke parë arushin të mbërrinte, filloi të buzëqeshte. Arushi e mori në krahë dhe i shoqëruar nga zogu dhe bleta kaluan rrugën. Sara pa që ketri i shoqëronte nga maja e pemës dhe herë pas here ua bënte me dorë, derisa ata u larguan nga pylli. Sapo arritën në fushë, ata u rrethuan nga bletët, mollëkuqet, flutura dhe pëllumbi. Dielli dukej se buzëqeshte më shumë se kurrë, ndërsa era përkëdhelte flokët e Sarës së vogël. Duke u ngjitur ngadalë në kodër, Sara qante nga gëzimi. Ajo e dëshironte dhe e ëndërronte prej kohësh atë çka po i realizohej. Tashmë kishte ardhur pothuajse koha për të arritur në majën e kodrës dhe ajo nuk mund të mos mendonte për vëllain e saj. Panorama që shihej nga kodra ishte ashtu siç ia përshkruante Çiro sa herë që gjendej aty për të kullotur delet. Më në fund ata ishin në majë të kodrës dhe Sara mbylli sytë siç i ishte udhëzuar të bënte. Të gjithë miqtë: mollëkuqet, bletët, zogu, pëllumbi, fluturat, dielli, dhe era, duke i parë pranë saj në atë moment nuk u besonte syve. Ylberi ishte aq afër sa asaj i dukej sikur po ëndërronte.
- Preke Sara! Përqafoje atë! Vetëm atëherë do të jesh në gjendje të shërohesh - i thanë të gjithë njëzëri.
Sara zgjati dorën por befas e tërhoqi atë.
- Nuk e di nëse mundem t’ia dal, - tha pothuajse me zë të ulët.
- Sigurisht, që do ia dalësh Sara! Unë jam këtu, për ty. Afrohu pranë meje!
- Po unë nuk mund të eci! - tha vogëlushja.
- Asgjë nuk është e pamundur. Sa herë e ke ëndërruar këtë moment? Sa herë e ke dëshiruar? Falë miqve të tu gjithçka po bëhet realitet. - i tha ylberi.

Sara zbriti nga krahët e arushit dhe pak para se të ulte këmbët në tokë, hezitoi. Dielli iu afrua si për t’ia ngrohur guximin dhe era fryu lehtë duke i përshpëritur të mos kishte frikë. Ylberi e ftoi ta përqafonte! Sara zgjati duart përsëri, dhe duke ecur u struk ndër krahët e ngjyrave. Ajo ishte në këmbë tashmë; diçka e pabesueshme por mëse e vërtetë. Dëgjoi duartrokitjet e miqve dhe duke vështruar nga maja e kodrës, pa Çiron poshtë në livadh. Ajo e thirri, por vëllai i saj nuk mundi ta dëgjonte. Sara e lumtur i falënderoi të gjithë dhe, pasi ylberi u sigurua që ajo mund të ecte, u largua dalëngadalë.
Ajo ditë do të mbetej shumë e veçantë për të gjithë. Sara e vogël, e cila tashmë mundej të ecte, mezi priste të kthehej në shtëpi për t’i treguar Çiros gjithçka. Miqtë e saj e shoqëruan atë në shtëpi të lumtur që e kishin ndihmuar, e më pas ata u shpërndanë secili në vendet e tyre.
Gjyshe Xhilda e përfundon këtë përrallë me zërin e saj të ngjirur dhe, edhe pse ne fëmijët e kemi dëgjuar disa herë, na pëlqen shumë. Në fund të përrallës flasim me njëri - tjetrin dhe pyesim veten nëse Sara e vogël u shërua vërtet pasi preku ylberin? Nuk e dimë këtë por për një gjë jemi të sigurtë se: duke ndihmuar njëri - tjetrin dhe duke u ofruar ndihmën tonë atyre që kanë nevojë, mund të kapërcehet gjithçka, çdo pengesë. Historia e Sarës së vogël na bën ne fëmijëve të kuptojmë se sa e rëndësishme është miqësia, ajo e vërteta, e cila lind nga thellësia e zemrave tona të pastra.
Kjo përrallë u botua në Itali, përfitimin e të cilit, autorja ia dhuroi Shoqatës ONLUS Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Limfomave dhe
Tumoreve tek fëmijët dhe të rriturit.

Vizatimet janë realizuar nga piktorja Kristiana Sterio.