Gjelina Maçi Keçi - Tregim
KU BUROJNË ËNDRRAT ?
Në vitet e para të formimit tim në rini, nëna ime më dha një këshillë që e kishte nga eksperienca e jetës së saj dhe nuk do e harroj kurrë.
“Asnjëherë mos paragjyko askënd, mos harro se kjo botë nuk na është dhënë të gjithëve në mënyrë të njëtrajtshme. Ai që s’ndjen sado pak gëzimin dhe dhimbjen e tjetrit, vlera e tij është si vesa para diellit",- kishte pohuar dikur ajo.
Dhe, tek po rrija në ballkon, duke u marrë me meditimet e mija, nën flladin freskues, me erdhi ky vegim e, bashkë me mallin e pashuar që kam për të, mora një letër e laps të hedh kujtime nga jeta.
Qyteti po flinte, rinia si duket nuk kishte ardhur akoma e gjitha nga mërgimi, a ndoshta disa kishin shkuar pranë detit të çmalleshin...
Vetëm muzat ishin zgjuar në këto orë të vona.
Them këtë, pasi sapo përshëndeta një miken time poete për një natë të mirë dhe e mbylla telefonin .
Në atë moment shikimi më shkoi largë duke vëzhguar një panoramë të qytetit dhe rrethinave të tij deri përtej lagunës së magjishme Kune-Vain, ku dukej një copë deti. Dritat ngjanin si yje në qilimin e blertë qendisur me aq përkushtim nga nëna natyrë . Seç më kaloi vrik para sysh gjithë dita ime e plazhit. Të them të drejtën, jam ndjerë keq . Shikoja njerëzit e thjeshtë të moshave të ndryshme deri tek pensionistët ata që kanë mbetur akoma këtu, banorë të qytetit, autoktonë me detin që po ju mungon ai për ditë e më shumë.
"Edhe pse na është dhënë me kaq bujari nga perendia, ata nuk kanë mundesi ti afrohen bregut, sepse gjithcka është privatizuar tej e tej nga të kamurit. Pra hapsira të lira pranë tij, nuk ekzistojnë më, në një fare menyre, ua kan grabitur atë."
Është një periudhë ku po përballemi me çmime marramendëse.
Shezlonet kushtojnë aq sa një rrogë e mesme mujore ,pa patur luksin as të një shisheje ujë për ta blerë .Ndonjëherë më duket se edhe deti është i mërzitur . Toka përreth është plasaritur nga dhimbja e rrjedhës së pandalshme drejt braktisjes totale të banorëve duke e lënë në vetmi. Vetëm stinës së verës kthehen për shumë pak ditë nga emigrimi . Dhe kur fillojnë të flasin e të shmallen s'i kupton askush, as familjarët, as vëllezërit e motrat të vendeve shqipfolese,as deti, as Drini, as mali , as kalaja mesjetare , sepse mbeten të huaj si në atdhe e si në vendet përkatse ku jetojnë ,e punojnë . Nuk kanë faj , prandaj flasin një përzierje gjuhësh . Disa nuk flasin fare në gjuhën e tyre me femijet , nuk flasin në gjuhën e Lisusit (Lezhës) qytetit të tyre të vjetër i lashtë sa vetë jeta, në gjuhën shqipe, gjuhën e “perëndive“, atë të pellazgo - ilire të mbretit Pirro; gjuhën e Gjergj Kastriotit, gjuhën e Nënë Terezës, gjuhën e Fishtës , gjuhën Ibrahim Rugovës, gjuhën e Adem Jasharit .
Nejse. Dola nga ai kujtim dhe po shikoja Hënën e re, që shndriste me yjet qiellit të pafund
Tek po bisedoja me të, fjalët dilnin nga zemra sikur të isha një adoleshente e dashuruar e rreshtoheshin në fletën e bardhë si rruaza dhe mori formë një lirikë e bukur dashurie.
Ndërkohë, dëgjoj një zhurmë që ma rrëmbeu përqëndrimim e vëmendjes time të kësaj mbrëmje të vonë që thurte ëndrrën tekanjoze të shpirtit.
Ai po i binte derës së një dyqani buke, mirëpo nuk i përgjigjej askush dhe vazhdonte të insistonte.
Ishte një fëmijë jo i vogël, por as i rritur, kishte jo më shumë se diku 12 vjet.
Drita e rrugicës ndriçonte djalin në tërësi. Një djalë i zeshkët, i hajshëm , i zhveshur në mes e lart, zbathur dhe me pantallona të shkurtëra me ngjyrë të errët .
Po thërriste me sa fuqi që kishte emrin e shitësit, por pasi u lodh së britmi kaloi rrugën dhe u ul në anë të saj përballë dyqanit me duar në kokë.
U gëzova që arriti të shpëtojë i gjallë pasi në atë moment i ndërpreu rrugën një makinë me shpejtësi marramendëse aq sa dukej që nuk po ecte por po fluturonte. Ishte njëri nga ata djemtë e atyre që vishen me petkun e të paprekshmëve me një makinë super të shtrejtë tek diku mbi njëqind e pesdhjet mijë euro tip kabrialet me muzikë rrep e volumë të lartë. Një nga ata djemtë që shkapërderdhin lekët sikur të ishin letra e me thënë të drejtën për herë të parë u irritova, nuk i mbajta dot premtimin nënës time, por dhe u binda për fjalët e saj, se përveç kësaj i karakterizon dhe mendjemadhësia bashkë me naivitetin ndaj njerëzve të varfër sa duken sikur në vend të zemrës kanë gurë.
Ndërkohë, pasi iku ai ra një heshtje e zhytur në mëkat rrugicës që shoqëronte fëmijën zeshkan dhe errësira që po mundohej të më vinte perde sysh e të hynte në zemrën time pasi hëna si duket largonte yjet që mos ta shihnin këtë skenë të dhimbshme, se nuk po ndrisnin më .
Menjëherë harrova kulturën, rregullat e pathëna të një qytetareje që kurrsesi nuk duhej të thërrisja me zë, por e bëra sepse diçka më preku thellë në shpirt.
"Djaliii, djaliii!",- me gjysmë zë të lartë derisa më dëgjoi
"Urdhëro, teta!", - mu përgjigj.
"Eja, afrohu nga afër!", -i thashë duke i treguar në katin ku banoja.
Unë hapa derën që ta prisja dhe dola jashtë saj pasi familja ime ishte në gjumë, ishin ditë plazhi.
Dhe djali nuk vonoi erdhi. Dukej i zbehur dhe i mërzitur.
Duke e përkëdhelur nga flokët e pyeta: Përse po thërriste shitësin e dyqanit; përse ishte kaq i mërzitur dhe i vetëm në këto orë?!
Ai mu përgjigj - "Doja të blija pak bukë se nuk kishte mami në shtëpi".
Po, pse nuk e bleve bukën më herët zemer?",- i thashë sërish unë.
Mami më tha që sonte nuk kishte bukë dhe duhej të flinim se do e harronim urinë duke ëndërruar diçka të bukur, pastaj do na zinte gjumi.
Por unë kam Ëndërruar gjithnjë që të kisha një shtëpi bukë e ushqim dhe lodra që kur isha i vogël, por kurrë nuk mu realizuan këto dëshira. Kështu që nuk ëndërrova më, do më ketë takuar ndonjë ëndërr gënjeshtare. O Zot, teta, mua po më hahej dhe barku filloi të më dhimbte.
Prandaj mendova të vi te xhaxhi të merrja pak bukë e ushqime se ai na jep dhe kur nuk kemi paratë në dorë, i shkruan në listë dhe kur ne t'i siguronim lekët i paguanim borxhin, por kemi muaj që nuk e kemi paguar dhe xhaxhi do jetë mërzitur me bezdisjet që i kemi shkaktuar ne, pasi s'kemi gjetur asgjë për të shitur".
"Mos mendo keq zemër se ka akoma njerëz të mirë, por mbase ka fjetur tani, po çfare shisni-i them unë?"
Mbledhim duke kërkuar kudo copa hekuri, kanaçe, shishe dhe rroba nëpër kosha", - tha djali i pikëlluar.
Nga një qiell me yje filloi të piklonte sikur ishin lotët e hënës që po na dëgjonte.
Në moment zgjohet mbesa ime e vogël pasi atë natë kishte dëshirë të flinte tek dajat.
"Po pse u zgjove shpirt?, - i thashë unë .
Po kisha frikë nëna se nuk të shikova te krevati.
Dhe e përkëdhel duke i hedhur dorën rreth qafe.
Ndërkohë, kuptova se ajo na kishte dëgjuar në bisedën e fundit me djalin dhe mu drejtua:
"Nëna, ti jap unë bukën time që nuk e hëngra në darkë? Më mbeti ashtu dhe ti më the mos e hidh se është mëkat.
Dhe unë duke ia shikuar në sy dëshirën për të ndihmuar djalin, ju drejtova duke i thënë se çduhej të me sillte nga frigoriferi pasi bukën e kisha marrë në dorë që kur thirra djalin me mendimin se nga punët kishin harruar të blinin bukën.
Kështu as djalin nuk e lashë vetëm dhe mbesa solli ç'kishte gjetur. Fëmijët u përqafuan me njëri- tjetrin me një sinqeritet që karakterizon botën e tyre.
Djali nuk priti, e mori qesen dhe e hapi. Filloi të hante sikur kishte ditë pa ngrënë, pastaj mu drejtua: "Nuk do ta ha të gjithën, teta, se do t'ju dërgoj edhe vëllezërve dhe motrave në shtëpi se po më presin.
Nuk e dhashë veten se isha mes dy engjëjve në këtë botë katile dhe i fsheha lotët.
Sa doja në atë çast të isha si mbreti i Firgjisë i mitologjise greke ku të ktheja diçka në ar nga puna e tyre, nga këto mbeturina e të ushqeheshin për të jetuar.
Kur u përshëndeta me djalin ai më perqafoi aq shumë sa e e ndjeva urinë e tij deri në asht. E pritëm deri sa kaloi rrugicën, pasi shtëpia e tij, siç më tregoi, nuk ishte shumë larg nga ne.
Mora mbesën dhe shkuam të flinim, e dija që nuk do shpëtoja nga pyetjet e saj, sepse është fëmijë shumë kurioz.
Por, njërën nuk do ta harroj kurrë kur më tha:
"Nëna, ku burojnë ëndrrat , a ka ëndrra gënjeshtare", që nuk i kish ardhur djalit.
U gjenda mes dilemave çfarë t'i thoja, mirëpo e gjeta një përgjigje si nënë me shpresën në gji gjithmonë,si gjyshe e si poete.
Ju drejtova duke e përkëdhelur se syçkat e sajë gati po i mbylleshin.
" Dëgjo, Hanna, nuk mendoj që ka ëndrra gënjeshtare, por duhet t'i duam shumë ëndrrat tona, edhe ëndrrat e të tjerëve, sepse ndryshe hidhërohen ato e sidomos ato të fëmijve, e deri tani për fat të keq kanë buruar shumë larg që këtu, por ngaqë ju pëlqen Shqipëria jonë e bukur janë nisur rrugës për të ardhur dhe mendoj se dikur do mbërrijnë".
Unë atë natë e gdhiva pa fjetur se e dija që e njëjta gjë nesër do ndodhte në dritë të diellit, në sy të të gjithëve si përherë edhe me qindra fëmijë të tjerë.