Vladimir Shyti - TRADHTIA S’KA VARREZ (tregim)

Vladimir Shyti - TRADHTIA S’KA VARREZ (tregim)
TREGIM 
Vladimir Shyti
(Marrë nga nipi i një xhandari)
                                                                                           
TRADHTIA S’KA VARREZ
 
  Tunxhit i rrahu me të fortë ai damari zi, kur babai i foli për martesën e së motrës shumë larg në veri të Shqipërisë. U përpëlit si një krahë zogu në të ngordhur e heshti atëherë kur prisnin t’i shpërthente inati. Ata që e rrethonin e njihnin si ishte, jo si dukej. Dukej ujë amull ku nuk lëviz vela dhe qe katarakt në rrëzim…Dukej i ashpër, po kapedani i gërmonte butësisë…Dukej i tmerrshëm, po ishte shpirt njeriu…Tunxhi ishte e drejta dhe e ndershmja që zbulohet me vështirësi!
  -Ti ishe larg me punët e çetës,-shtoj i ati duke lëvizur zjarrin në votër me një mashë metalike.-Koha nuk priste, erdhi vet krushku për t’a kërkuar. E kishin me axhele, ndaj dhe pranova martesën e shpejtë. Janë njerëz të fisëm, derë agallarësh. Garant hyri babai Shpendit…
Shpëndi u rrëqeth lëvizi paksa nga vendi, ky ishte njohur me Tunxhin shumë kohë më parë në rrafshnaltën e Mbishkodërs. Klubi “Gjuha shqipe” kishte pasur ditët e veta të lumtura dhe ditët e veta të hidhura. Shpend Rizai punonte fshehuarzi para 1912-s,por,në vitet në vijim shpërtheu haptas e bashkë me të shpërthyen edhe shumë ndjekës dhe një masë e madhe nga Shkodra, që përkrahnin mëvetësinë e Shqipërisë. Po atë ditë Tunxhi ndodhej në klub, ku kishte sjellë nga Manastiri dy hejbe plot e përplot me fletore e shumë abetare të asaj kohe të vështirë. Njëri nga agallarët e zonës të Mbishkohdrës kishte sharë anëtarët e klubit, atëherë Tunxhi pa i dridhur dora e qëlloi për vdekje. Pastaj lufta kishte vazhduar e ashpër derisa Tunxhi ishte plagosur në pupël të këmbës. Shpendi ishte kujdesur si vëlla dhe, tashmë ai ishte krahu i djathtë i tij në çetën e burrave, që drejtohej nga Tunxhi. Ky i fundit i hodhi një vështrim pyetës shokut. Shpendi hoqi nga kryet kokoren çerkeze me push të zi dhe si i zënë në faj tha:
  -Babait i kam folur unë për mirësinë e Hanës.
  -E po për hajër na qoftë! -hushtoj dhoma e oxhakut nga urimi i vëllait për të motrën.
  Hakiut, babait të Tunxhit i shkëlqyen sytë.Me ato buzë të rënda të enjtura dhe të trasha i briti të shoqes me një fytyrë që flakëronte,si një dritë mëngjezi plot diell;
  -Shtrona sofrën, Hanko,le të derdhet rakia lumë!
  Tavani dhomës i ndotur disi nga kandili dhe tymrat e oxhakut ngjasonte si e veshur me metal të hirtë, që feksin një dritë të butë e cila shpërndahej dhe thyhej në tavan si një lodër gazmore. U dëgjuan tre trokitije me ndërprerje në portën e jashtme.
  -Ja mbrritën djemtë, -brofti në këmbë Hakiu e shkojë me të shpejtë të hapte derën kryesore.
  -Javën tjetër na pret dom Shtjefni në Gurë të zi,-i kujtoj shokut, Shpendi i ngëzëllyer shënd e verë.
  -Bukur, me atë rast shoh dhe motrën në Shkodër,-u ngrit në këmbë Tunxhi për të ndihmuar nënën në shtrimin e sofrës.
  -I bukri Hankos, më zbukurove shtëpinë,-nëna lëvizte si flutur, megjithse po i afrohej të shtatëdhjet viteve.
  Kërciti dera nën metesha hyri babai i ndjekur nga dy djemë si lisa,(anëtarë të çetës)të cilët pas përshëndetjes hoqën kësulat dhe koburet nga brezi e zunë vend pranë sofrës.
  -Kapedan,u krye shpërndarja e drithit,-njoftoj njëri nga djemtë.
  -Fshatarët janë falënderues çetës,-shtoj tjetri me një fytyrë të qeshur e të zeshkët.
  -Ata janë shtroja e mbuloja jonë, djema, -foli Tunxhi me një shkëlqim në fytyrë dhe u kthye nga nëna.-O e mira e botës! E kemi hak një sofër të bollshëm sonte.
    -Hallall bijtë e mi,-dhe nënë Hanko dukej sikur fluturonte me shpirtin e mbushur plot rreth sofrës me përgatitjet që i kishte bërë më parë.
  -Shishen e rakisë Hanko! Do të tunden sonte trarët e shtëpisë,-thirri i ngazëllyer Hakiu.
  E qeshura shpërtheu e hareshme nga të gjithë të pranishmit,sa dhe hëna ndali rrotullimin rreth tokës. U mbushën kupat e rakisë, urimi parë u ngrit për martesën e Hanës, pastaj për të zotët e shtëpisë.Ndërsa nënë Hanko e ktheu kupën me fund për djemtë e malit dhe ata u ngritën në këmbë duke e rrokur atë në qafë. Hanko ishte bërë nëna e tyre dhe ajo nuk i ndante nga i biri.
 
  Java u rrokullis pa ndonjë gjë të veçantë dhe, dy shokë të zënë vëllezër qysh nga plagosja e Tunxhit u nisën për në veri, duke lënë pas pllajzat e malet e Moravës. Kuajt ecnin në revan nën dritat dhe hijet e vakta të mëngjesit. Kalorsit shkonin drejt atij vendi që i thërrisnin me britma pa zë,gjithashtu dhe malli i vëllait për motrën e martuar larg në qytetin verior. Kaptuan lumin e Vjosës dhe në revan hynë përmes një pylli të dëndur, duke kalëruar më pas në breg të kënetës së Myzeqesë. Nëpër ato dunat e pafund, ku rrokulliseshin shpresat si kokrrizat e rërës dhe dielli po përskuqte hapsirën detare, kalorsit arritën në mejhanen e xha  Kristos. Aty kaluan natën nën shoqërinë e disa endacakëve, që hidhnin zaret e në shumë raste grindeshin midis njeri-tjetrit, saqë ishin gati të thereshin për tre grosh. Në mëngjez herët pa zbardhur mirë dita, mejhanxhiu i përcolli me sy derisa dy kalorsit humbën tutje në një udhë spirale mbuluar me pemë të shumllojshme, që të nxirrte shkurt në kasaba. Kalëruan tërë ditën në atë stinë pranverore dhe në mbrëmje u ndodhën në urën e pashtruar mbi lumin Buna.Tunxhi psherëtiu. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Shkodra rrinte pezull mbi njëzet shekuj dhe nuk donte të dinte për armiqtë që ishin munduar t’a shkelnin. Në kullën e Kalosh agës, dhëndrit të Tunxhit, që ishte disa kilometra përtej qytetit, arritën në muzgun e murrëm. Ndërtesa dy katshe tip kullë e ngritur me gurë të lahtuar e mbërthyer me disa dritare-frëngji hekuri, ishte e rrethuar me një murë pirigotash dhe në hyrje një portë e madhe hekuri. Aty trokiti fort Shpendi, duke mbajtur kalin prej kapistalli. Pas lehjes të një qeni, u hap njëra fletë e portës, ku një mesoburrë me xhokë të ndotur pas përshëndetjes sipas zakonit i ftoj të hynin në oborr. Ende nuk ishin ndezur llampat e vajgurit, dielli ishte zhytur në hapsirën e detit Adriatik.
  -A doni miq, o zoti shpisë! -thirri Shpëndi sipas zakonit shqiptarë, kur në derën e kullës ia behu Kalosh aga dhe në frëngji dy sy gruaje hetonin të sapoardhurit.
  -Bujrum, miq paçim gjithmonë!-ia ktheu zoti shtëpisë e nxitoj hapat drejt miqve.
  U përshëndetën miqësisht dhe burri me xhokë të ndyrë mbërtheu kapistallet e kuajve e shkojë nga stalla, që ishte prapa ndërtesës së kullës, e cila në ato moment u ndriçua nga llampat e pishtarë të veçantë për atë zonë.
  Sakaq, me hapa të shpejtë, sikur fluturonte Hana erdhi si shigjetë drejt e në gjoksin e të vëllait.
  -Trimi motrës, i bukri motrës, më thau malli, -me lotë gëzimi në sy e puthte kudo, i përkëdhelte leshrat e gjatë të kokës, fytyrën e vrarë nga era e suferina e të pjekur nga dielli, mustakët e hijshëm dhe nuk ngopej së pari nga kryet deri te opingat e lëkurtë. Pastaj, duke fshirë lotët u përshëndet me Shpendin duke i,u varur në qafë.
  Dhëndri priu para drejt dhomës të miqve. Vëllai Hanës i habitur nga gjithë ai luks, kur vendi vuante varfërin, çapiste pas të zotit të kullës nën përkëdheljet e të motrës, ndërsa Shpendit i kishte ngrirë buzëqeshja.
  -Rehatohuni trima!- bëri me dorë Kaloshi, në drejtim të një minderi mbuluar me lëkurë kafshësh të egra. -Grua! Po nisi magjypin t’i çoj fjalë Gjelinës.
  -Jo, he burrë,- kundërshtoj zonja shtëpisë.-Sonte do të gatuaj vetë, për vllaznit e mi.
  Burrat zunë vend, duke lënë armët në vendin e caktuar për to dhe, pas pyetjeve të familjarëve për shëndetin, drejtuan bisedën rreth trazirave në mes të Shkodrës e Malit të Zi. Sakaq, Hana servisi kafetë shoqëruar me raki kumbulle, duke iu uruar mirëseardhjen vëllezërve të saj, pastaj, duke ecur sikur nuk e prekte fare dyshemenë, nxitojë të përgatiste darkën në një atmosferë tepër të këndshme dhe me zemrën e gufuar nga ai çast, që ajo kishte shumë muaj që e priste ardhjen e të vëllait.
  Kalosh aga pasi foli për mobilizim e popullit të Shkodrës e çetave në rrethina dhe më gjërë, u ngrit, kërkojë leje për pak minuta e doli vërtik nga oda e miqve. Nga jashtë u dëgjua hingëllima e qenit,që kuiste si në të qarë dhe, nga kuzhina vinte zhurma e përgatitjes së darkës nga zonja e kullës.
  Dy trimat po flisnin midis tyre për misionin që u ishte ngarkuar nga kryetari patriot i qarkut të Korçës, kur në derë hyri shënd e verë dhëndri, duke folur;
  -Porosita magjypin të kujdesej për kuajt. Do ta djegim sonte burra…!
  Atmosfera sikur u ngroh më shumë. Mbas pak amvisa solli takëmet e pijes dhe pjatat me mezera. Mbasi u tokën gotat, biseda vazhdoj dhe kishte marë një rrugë as e mirë, as e keqe. Flisnin dy burra që dinin të ruanin interesat e tyre, ndërsa Shpendi, nuk i kishte ngritur sytë një herë nga dhëndri. Ato sytë e tij pa jetë me ato vetulla të varura poshtë sikur rrinin të ngulura në copat e mishit që shqyente herë pas here gjatë bisedës. Si shtojzovalle në tryezë u ulë dhe Hana, që shndriste si hëna e plot mbi bjeshkë.
  Qeni lehu me hungërime të zgjatura, pastaj, çdo gjë u bë e shurdhët, memece.
  -C’ka po ndjell ky qen sonte?!- i’u drejtua Hana, të shoqit, duke humbur shkëlqimin e fytyrës.
  Kalosh aga hesht.
  Shpendi u ngrit mendueshëm dhe shkojë nga frëngjia.
  -Nuk më pëlqen kjo qetësi,-dhe Tunxhi uli gotën e rakisë, që sapo e kishte ngritur për të nderuar rrethin familjar.
  Errësia kishte mbuluar gjithçka, por Shpendi arriti të dallojë diçka të dyshimtë në oborrin e kullës dhe u kthye vërtik nga tryeza e ngrënies;-Porta e avëllisë është e hapur!
  -Po dalë të shoh, rehatohuni burra!-I zoti shtëpisë u derdh me një buzëqeshje të shtirur jashtë dhomës, e ndjekur edhe nga e shoqja.
  Shpendi tërheq këmbët nga frëngjia tjetër e dhomës dhe, aty sheh në shkëlqimin e hënës, disa hije të përkulura pas murit rrethues nga ana e jashtëme.
  -Jemi të rrethuar, vëlla…!
  Tunxhi brofti në këmbë, nxitojë nga armatura e armëve, Shpendi e ndoqi nga pas dhe u armatosën, pastaj, zunë frëngjitë.
  -Kalosh aga! Me urdhër të Naltmadhërisë, dorëzo shkelsit e ligjit dhe, të shkojmë në paqe në punën tonë!-Zëri që kërkonte arrestimin e dy vëllezërve erdhi nga pas fletës së mbyllur të portës së hekurt.
  -Buajtur, kam miq, jo shkelës të ligjit,-u dëgjua zëri mekur i të zotit të shtëpisë në prag të derës të jashtme të kullës. Sakaq e shoqja e tërhoqi me forcë brenda dhe i vuri llozin e hekurt derës.
  -Ku është Magjypi!?-i bërtiti tepër e shqetësuar Hana bashkëshortit.
  -Ka shkuar të hedhë tratat e peshkimit në liqen,-duke u dridhur Kalosh aga, kur vështrojë të shoqen,që rrëmbeu koburen nga armatura.
  -Apo e dërgove në xhandarmëri?!
  -Jo, ata kërkojnë vetëm Shpendin…,- nuk foli më Kalosh aga, dy krisma dhe dy plumba goditën gjoksin e tij për vdekje.
  -Tradhti vëllazën, oh, e zeza ,oh e mjera unë për vllaznit e mi,-shqyente me thonjë faqet motër zeza, duke hyrë në odën e miqve.
  Dy burrat shtangën.
  -Na preu dhëndri në besë,-ngriti zërin Tunxhi.-Ka armë në kullë motra ime?
  -Ndodhen dy armë të mbetur turke me çark,- e siguroj të vëllanë.
  -Do presim dhe dy dekia e masanaj do t,u marrim me forcë…-,por Shpendi ia ngeci fjalët në grykë postkomandantit, i cili qëllojë sa hap e mbyll sytë në drejtimin e duhur.
  Fillojë lufta.
  Fishkëllenin plumbat e përplaseshin pas mureve, xhamat e dritareve tip frëngjie u thërmuan. Krismat ngjanin me zukatjen e bletëve. Tre armë qëllonin ku të mundin hijet që i ngjiteshin mureve të avllisë. Faqet e kullës u ndezën nga krismat, një luftë e vërtetë, që zgjati deri në agim të ditës së re.
  Qetësi, aromë baruti përreth kullës. Xhandarët e mbetur gjallë tërhiqnin të vdekurit e të plagosurit, duke i vendosur në dy qerre të tërhequr nga buajt. Pothuajse e tërë Konteja ishte dyndur aty, ku pjesa më e madhe e njerëzve e kishin ndjekur nga afër atë betejë të përgjakshme. Nga dera e shkyer e kullës doli me të qara e duke shkulur flokët një grua, e cila njoftoi në mes të lotëve, vdekjen e krejt njerëzve që ishin ndodhur atë natë në një gosti familjare. Të ardhurit hoqën kësulat nga kryet. Ata njerëz i kishte marrë më qafë besa dhe burrëria e thyer. Mbas nderimit funebër, vëlla e motër, të ndjekur nga një turmë e madhe njerëzish deri në dalje të qytetit, i përcollën drejt jugut. Dhe,të tjerë që ndoqën heroin e tyre deri në fisin e tij. Kufomën e Kalosh agës e larguan nga kulla nga mesi natë në errësirë, tradhtia e tij kishte hedhur baltë mbi atë fis, thonë se edhe sot e kësaj dite nuk i gjendet varri.