Cikël Poetik nga Vjollca Aliu

Cikël Poetik nga Vjollca Aliu
PERLË
 
Në vargje poezie rimon
N'mes rrezesh bëhesh shkëndijë
Në degë pemësh fruta lëshon
N'mes zemrave lidh dashuri.
 
Fytyra jote nur bukurie
Buzëqeshja si refren i këngës
Nën fresk bliri bëhesh hije
Tingull i kristaltë në ninullën e nënës.
 
REFUZOJ
 
Mos më kërkoni
Aty ku jeni ju
Gënjeshtrat e thepisura
E trillet e stuhishme
Nuk i dua!
S'mund të eci 
Rrugës suaj
Plot mëkate!
Më mirë zhagitem 
Në pastërtinë e jetës
E kundroj 
Nga maja e dritës
Nga atje 
Ku verbëria juaj lakmiqare
Nuk ka strehë!
Prandaj
Mos më kërkoni!
Sytë tuaj i ka mbuluar
Mjegulla e nëmur
E s'mund të më shihni!
Kërkojeni vetveten
Në shpirtin tuaj pa jetë!
Kot lodheni
Se kurrë rrugëdalje
S'keni për të gjetë!
 
FLAS ME TY
 
Shpesh flas me ty
Edhe kur s'më dëgjon
E kur s'je aty
Se fjala ime ka valë
Transmetohet tek ti
Drejt në zemër
Nuk sillet vërdallë.
 
EJA PUSHO
 
Kur të jesh lodhur
Nga mundi i stërgjatur
Për t'i kap yjet e paarritshme
Eja në ëndrrën time
Pusho aty
Shtrati rri i shtruar
Me plaf të qëndisur me yje
Çarçaf ngjyrë qielli
E jastëk në formë hënëje.
Eja, bëhu yll
i qiellit hënëplotë!