Mevlyde Mezini Saraçi - KUJTIME NGA DITËT NË FLAKË

Mevlyde Mezini Saraçi - KUJTIME NGA DITËT NË FLAKË
KUJTIME NGA DITËT NË FLAKË
 
Një veturë e policisë kriminale serbe, erdhi me shpejtësi. Lëshoi dritat e gjata mbi dyert e oborrit.
Dyert e veturës u përplasën me rrapëllimë.
Filluan të thërrasin dhe të shqelmojnë në derë. Besa edhe me kondakë automatikësh.Një tmerr i vërtetë. Dera e llamarintë dridhej dhe krisma ushtonte larg. Ishte e sigurt vetëm sa të mbante një çelës!
I shtyva vajzat shpejt të ikin nga muri i rrëzuar tek fqinjët dhe vet u ndala në shkallë duke thirrur me një zë të ulët apo vetëm duke pëshpëritur disa herë: Agim...Agim...Sekondat ishin në pyetje. Sa zbriti Agimi, unë nuk di pse u ktheva prapë në dhomë dhe provova të dal nga dera e ballkonit prapa shtëpisë.
M’u duk i pa sigurt ky vendim dhe u ktheva prapë në dhomë. Mora cigaret dhe syzat. I lëshova prapë mbi tavolinë. Desha të kap setrën, të cilën e hoqa pak minuta më parë. Edhe atë nuk pata afat ta marrë. Dola përjashta dhe Agimi tanimë kishte zbritur. Më shtyu me sa forcë pati dhe dola tek fqinjët. Diamanti dhe vajzat tanimë kishin kaluar nëpër tunelin e hapur në dhomën e fqinjit dhe po kërcenin nga muri në mur.
Errësira mi verbonte sytë. Nuk shihja asgjë. Shiu pengonte edhe ecjen.
Disa nga fqinjët pranë mureve kishin vendosur kontejnerë të mëdhenj cilindrik, dhe kur kërcenim mbi to ushtonin shumë, sikur donim t’ua tregonim gjurmët kriminelëve.
Aq shumë shqelmohej dera sa ushtima të fuste tmerrin në atë heshtje varri.
Kishim kaluar disa pengesa dhe kishim arritur në një oborr të madh. Shiu vazhdonte të binte pa përtesë. Në tërë këtë rrokopujë, e tëra isha përbaltur. Diamanti më mbante para duarve dhe më hidhte mbi mure, prej nga përplasesha në tokë. Kriminelët drejtuan veturën në rrugicën e parë dhe përcillnin gjurmët. Ne ishim palosur si peshqit në njërin nga ballkonet e njërit prej fqinjit. Heroina filloi të qajë. Gjaku i rridhte rrëke. Duke kapërcyer rrethojat në terr e kishte lënduar pjesën e brendshme të buzëve në tela gjemborë.
Një grua ia dha një peshqir të ta mbajë në gojë. Sutkija ia mbylli gojën me dorë.
Hesht, moj -i tha ajo. A sheh se jemi në rrezik. Do të na gjejnë e pastaj, çka!? E ke nënën në rrezik, po ashtu edhe Miloti. Ka muaj që është i mbyllur. Qysh se ra Gllogjani.
Po, ti moj zonjë, pse qëndrove në shtëpi?- më tha mua. Të gjithë e kemi ditur se do të futen në shtëpinë tënde. Kemi qenë të sigurt se nuk je aty.
Tani nga t’ia mbajmë?- vazhdoi ajo. Po, si moj erdhe këtu?! Për të na rrezikuar të gjithëve? – u dëgjua një zë tjetër... A e sheh se jemi vetëm gra e fëmijë, madje edhe me plakë të sëmurë!
Po ,ti e di që je me pikë! Pse nuk ke ikur me kohë?
Ik, të lutem, na liro oborrin!-më tha njëra nga gratë e asaj shtëpie në të cilën u gjetëm si pa vetëdije. A sheh se edhe meshkujt tonë kanë ikur diku,- vazhdoi ajo.
Të lutem - i thashë. Sa të qetësohet gjendja: tash është natë e nuk kemi as nga t’ia mbajmë...i thashë.
Ik sa më parë! – foli përsëri ajo…
Nehati nga frika se do të më gjenin më tha: Eja Lydi të shkojmë në shtëpinë gërmadhë të Mullagjelës, ndoshta atje nuk do të na gjejnë!
Jo!- i thashë-kam frikë të iku, pastaj ata do të më kërkojnë mua dhe do të mi masakrojnë fëmijët. Diamanti, i cili dridhej nga frika se mos më gjejnë dhe do të më ekzekutonin para syve të fëmijëve mendoi dhe tha: Eja nënë të shkojmë në punëtorinë e Pirit. Aty ka vend për të gjithë.
Shëëët! u dëgjua një zë. Ishte zëri i Pirit.
U futëm në derë njëri pas tjetrit si lokomotivë. Nga errësira as që munda t’i numëroj dhe se dija a kishin ardhur të gjithë fëmijët.
Në një kënd ishin rreshtuar, Skenderi, Xhemajliu, Lami, Shyrja, Piri, Kasimi dhe Florati. Tani u bëmë edhe më shumë.
Dera e shtëpisë sime akoma gjuhej me shqelma dhe kondak dhe krisma e saj të shurdhonte veshët në atë natë të tmerrit .
Kjo e thyente mbretërinë e heshtjes së vdekjes, e cila kishte mbuluar qytetin tonë.
Eja, ti je e vogël dhe nuk bën të sillesh nëpër oborre, - iu drejtua me dhembje Piri Pranverës.
Ajo ishte ngjitur në trupin tim dhe më kishte lidhur me duart e saj të vogla.
Nuk iu përgjigj, por e shikoi me një shikim të çuditshëm, sikur donte ta qortonte…
Edhe ti më e madhja, merri motrat tuaja dhe ik nga këtu. Atje në bodrum janë gruaja dhe fëmijët e mi. Janë edhe disa miq dhe fqinjë. Ka vend dhe për ju. Çka do që të ndodhë me ata do të ndodhë edhe me ju. Për më tepër nuk di çka mund të bëj. Pranvera qau dhe mezi u nda nga unë.  E mori Rrezarta për dore dhe ikën. Koka i mbeti pas. Unë mbeta vetëm e ulur në shkallët e punëtorisë.
Agimi, Diamanti dhe Florati së bashku me meshkujt tjerë bënin rojë në të gjitha anët. Përcillnin situatën. Sa shumë kisha të ftohtë.
Herë- herë temperatura e brendshme më bënte të djersitem e pastaj ato djersë ftoheshin. Askush nuk fliste. Mëngjesi po afrohej. Kriminelët po zhdukeshin bashkë me errësirën.
Eja, më thanë Shyrja dhe Florati. Do të futemi në dhomë sa të shtrish këmbët dhe të ngrohësh duart.
Jo, nuk dua – ua ktheva. Do të qëndroj këtu, të mos u rrezikoj familjet.
Më tërhoqën si me zor dhe shkova. Disa hapa të lehtë dhe në dhomë papritmas u dukën Rrezarta dhe Pranvera. U shtri për tokë e para.
Dua të kthehemi në shtëpinë tonë. Atje- të vdesim. Jam frikësuar shumë -tha ajo kur erdhi në vete. Njëra nga vajzat e fqinjëve që ishin strehuar tek Piri më nxori jashtë. Ti shumë i ngjan nënës sate!-më tha ajo. Një oborr me ferra dhe bar të gjatë. As që mund të dija se i kujt ishte ai oborr apo ku isha unë. Aeroplanët e NATO-s kishin sulmuar kazermën e ushtrisë në Gjakovë. Vërsuljet e kriminelëve mbi popullatën shqiptare në këtë kohë bëheshin gjithnjë e më shtazarake. Tërë qyteti ishte në flakë. Sapo mbaruan sulmet, kërceva mur pas muri dhe u ktheva përsëri atje. Nuk jam e çmendur të qëndrojë vetëm nëpër mure të shtëpive të panjohura e të mos gjej as rrugë nga të ik, apo edhe t’u bie në dorë kriminelëve.
Nga të shkojmë tani?- i thashë Rrezartës. Ne nuk kemi më shtëpi. Barbarët erdhën të na vrasin.  Pranverë shpirt, - i tha Agimi.
Ti do të shkosh me motrën tënde kudo që të mundeni, sepse këtu nuk mund të qëndroni. Nuk ka siguri. Edhe ne do të ikim. Atje nga do të na shohin sytë dhe të na dërgojnë këmbët.
Rrezarta na shikoi në sy të dyve dhe kapi Pranverën për dore. U nisën kah hyrjet e brendshme të oborreve për të dalë trup tek shtëpia e mallrave. Pranvera, ndali të dyja këmbët dhe duke qarë tha: Po, ku po na dërgoni tani. Po, si mund të bëni kështu?!
Unë jam e vogël dhe në vend se ju të më mbroni, ju më thoni të shkoj ngado që të mundem. Nuk dua që të shkojë askund.
Shpirti i nënës,- i thashë duke e përqafuar me lot në sy, shkoni tek Mimoza! Ndoshta atje do të ju pranojnë!...  Pastaj, nënën e saj yt atë e ka të afërme. Janë njerëz shumë të mirë. Mezi i bindëm që të shkojnë në atë rrugë për të cilën as ne nuk e dinim se a ishte e sigurt...
Florati dhe Diamanti e shoqëruan Agimin që t’i përcjellin vajzat gjer tek ajo porta e vogël rreth e rreth murit të gjatë. Florati qau me zë nga dhembja për Pranverën e vogël. Më luti që t’i kthej dhe të qëndrojmë në shtëpinë e gjyshit të tij.
-Jo, biri im. Nuk bën. A sheh se këtu mund t’u rrezikojmë të gjithëve. Le të ikin. Së paku këto le të gjejnë shpëtim. Qava sa munda dhe ika edhe vetë. U ndava më pas edhe me Diamantin.
Ai mbeti nëpër oborre të të bëjë rojë së bashku me Floratin, shokun e tij të fëmijërisë. Agimi më shoqëroi dhe e kaluam rrugën me ndihmën e Shyrës, hallës së Floratit, e cila ishte e vetmja femër në atë mes. U futëm në derën e Can Pazharit, pastaj në portën e vogël kaluam në shtëpinë e Mehmet Buzës e pastaj u ngjitëm në murin e Gazmend Berishës.
Për të kaluar rrugicën e vogël prapa xhamisë së Sofës, na ndihmoi Majlinda, e bija e Gazmendit. U futëm në derën e shtëpisë së Sali Vatës, kërcyem edhe atje nja dy mure prapa shtëpisë dhe dolëm në rrugë afër Llukacit. Aty ndeshëm një grumbull grash e fëmijësh, të cilët me disa çanta dhe gjësende prisnin ndonjë mjet transporti që të iknin.
E vërejtëm se ishte rrezikuar edhe kjo lagje dhe u kthyem majtas në shtëpinë e Sokol Bekës.
-Mirë se u ka pru zoti,- tha ai. Urdhëroni!
-Jo, Sokol – i thashë me shpejtësi. Nuk duam të të rrezikojmë. Edhe ashtu ti je në rrezik. Na ndihmo, të lutem nga mund të dalim prapa shtëpisë së Hedijës dhe tërë puna kryhet. Ka ndonjë hyrje këndej! Jo, motër më vjen keq. Nuk ka asnjë hyrje, por ejani e futuni brenda. Do të ndajmë fatin të gjithë së bashku. Jo, jo. Nuk bën kurrsesi i thashë.
Mirë - tha ai. Pasi që nuk doni, ne do t’u ndihmojmë, por a je e sigurt se do të të pranojnë ata?
-Po! Si, nuk më pranojnë?! Unë atë e kam si motër. Pastaj, jam edhe kumbara e nipit të saj, Arsimit. Njeriu e kërkon mikun në ditë të vështirë - i thashë me bindje Sokolit. Sa hap e mbyllë sytë para nesh u duk Mustafa, djali i axhës së Sokolit me një palë shkallë të gjata druri në duar. I vendosi në murin e oborrit dhe u ngjit në ballkonin e parë të shtëpisë së Hedijes. Mirupafshim Sokol dhe ju dëshiroj fat - i thashë dhe u ngjita në shkallët e drurit. Pas meje dhe Agimi. Pastaj ai tërhoqi shkallët dhe i ngjiti për në katin e dytë.
Pas tij edhe ne. Pastaj, përsëri i tërhoqi për në katin e tretë dhe u ngjit i pari.
U ndalëm në ballkonin e parrethuar të katit të tretë dhe u ndamë nga Mustafa me shumë falënderime. Pastaj u deshtë të trokasim aq shumë në derën e ballkonit, sa të na dëgjojnë ata poshtë. Jam shumë e bindur se i kemi frikësuar, sepse nuk kanë pasur ide se unë do të ngjitesha aq lartë. Me siguri edhe ata kanë menduar se u ka shkuar në derë policia. Sidoqoftë, nuk e kisha bërë këtë gjë me qëllim, por më kishte shtyrë një hall shumë i madh.
Kush është në derë ? – u dëgjua zëri i Arifit.
Unë, jam i thashë. Të lutem hape. Kam frikë se më diktojnë kriminelët.
Pritni pak, tha ai - sa ta marrë çelësin dhe menjëherë do t’jua hap derën.
Na vjen shumë keq,- i thamë të dy përnjëherë.
S’ka gjë -na ktheu ai. Mirë se erdhët, por vërtet ne mezi dëgjuam atje poshtë. Jemi të gjithë në podrum. Këpucët në dorë dhe shkallë pas shkalle u gjetëm në bodrum. U përshëndetëm dhe u ulëm.  Akoma po qëndronte aty halla Sabrije me familje, nga Morina. Që në fillim të luftës ia kishin vrarë të shoqin aktivist.  Atje tanimë ishte zonë lufte. Arsimi erdhi pranë dhe më përqafoi.  Ju lutem, i thashë Hedijes. Më bëni një hall. Unë dhe Agimi jemi ndarë tanimë nga fëmijët. Kemi ngelur në rrugë të madhe. Ia kemi lënë fatit dhe Zotit në dorë.
Erdhën për të na vrarë në shtëpi. Mezi arritëm që të ikim.
U bëmë pikë e pesë. Shikoni mos ka këtu afër dikush një dhomë sa të strehohemi. Nuk duam asgjë tjetër. Vetëm të mos u biem në dorë.
Ti, e di punën time. Ata nuk erdhën kot në shtëpinë tonë. I dinë të gjitha.
Pastaj ata i kanë edhe bashkëpunëtorët e tyre që i informojnë për çdo gjë.
Nxora nga çanta, një çokollatë që më kishte lënë Pranvera në ndarje dhe ia dhashë Arsimit. Besa e vuri mbi televizor. Shpejt na solli dy kafe. Agimi, nuk mundi ta pijë. Sapo u ul e zuri gjumi. Ra si i vdekur.
-Sa keq,-më tha Besa. Pse nuk i more fëmijët dhe Agimin e të ikni me kohë, por tani erdhët të na rrezikoni edhe neve.
-Mirë, e ke Besë, i thashë. Por unë nuk desha të ikë as tani. Ata erdhën të na vrasin në shtëpinë tonë. Unë nuk erdha me qëllim të ju rrezikoj. Nuk pata nga t’ia mbaj. Vëllezërit e mi janë larg.  Jote vjehërr më ka trajtuar si motër. Kjo gjë më shtyu të të vij tek ju.
Nuk të pranon, gruaja e fqinjit! – më tha Hedija. Kam shumë mysafirë, - i kishte thënë asaj.
E kuptova shqetësimin e saj. Tanimë në mua të gjithë shihnin një grua shumë të rrezikshme. Ju lutem shkoni,-më tha prerë Hedia. E tërë rruga ka kuptuar se jeni këtu. Pastaj në çdo moment mund të vijë policia. Ma rrezikoni familjen dhe mysafirët-vazhdoi ajo.
Të kuptoj,-i thashë,- por nuk di nga të shkojë tani.  Shko ku të duash, është punë e jotja.
Ngrehu, Agim i thashë. Ke fjetur mjaft. Ke pesë minuta që bëre gjumë.
Ua. Paskam bërë gjumë. Pesë minuta. Më le të lutem edhe pak . Ka ditë e net që nuk jam ulur fare e as që jam futur në dhomë. Jo, jo Agim. Duhet të ikim nga këtu.
Përse - tha ai me habi. Ti më solle këtu, si tek motra jote? Tani ç’ po ndodhë.
Asgjë -i thashë. Duhet të ikim. Sa aromë të mirë buke po ndiej!-tha ai.
Po. Është duke u pjekur në furrë -iu përgjigj Hedia. Të lutem zonjë,-i tha ai. Na jep pak bukë, sepse ka ditë që nuk kemi ngrënë, as nuk kemi pirë. Më dhimbset gruaja ime. Shikoni si është bërë. Posi,-tha ajo. Ja dy copa buke dhe pak djathë.
Jo, i thashë. Mua më duhet strehë e jo bukë. Nuk dua të ha. Megjithatë Agimi i mori. U nisëm askund. Hedia ecte para nesh.  Tek banesa afër shkollës u ndamë. U ngjitëm lartë në kate. Më duket se këtu banon një shoku im-tha Agimi. Cili? –i thashë unë. Sahiti nga Rogova. Ai do të na pranoi sigurisht,- më tha me vendosmëri Agimi. Mirë atëherë, po provojmë. I ramë ziles dhe në derë u duk një zonjë.
Mirëserdhe Agim! Urdhëro edhe ti zonjë. Futuni shpejt brenda, mos t’ju diktojë dikush. Urdhëro, urdhëro ti zonjë në dhomën e pritjes ndërkaq ti Agim futu atje në derën në fund të korridorit. Atje janë burrat. Mirë se erdhe më tha . Ulu dhe zgjati këmbët. Qenke bërë cukël. Mos u shqetëso. Ndieju si në shtëpinë tënde. Më pyeti për fëmijët. Nuk e di ku janë i thashë. Qëkur jemi ndarë, më nuk i kam parë as që kam dëgjuar për ta. Po, si moj. Po përse u ndatë nga fëmijët. I shpjegova fill e për pe. Po, ti zonjë shtëpie si je? Po Sahiti si është, fëmijët a janë mirë? - e pyeta kështu duke menduar se vërtet kemi hyrë në atë shtëpi ku ishim nisur.
Ajo më pa shumë të shqetësuar dhe nuk më nguci. Ma bëri rrafsh. Mirë, më tha për të gjitha.
Pastaj erdhi dhe më luti që të kalojë në dhomën tjetër. Ky është im shoq - më tha. U stepa. Tani e kuptova se jemi në një shtëpi tjetër. Sahiti kishte kohë që kishte shkuar në Rogovë me familje. Tërë natën bëmë kujdestari. Gratë në këtë banesë ndërkaq burrat një hyrje më lartë. Atë natë u vranë shumë njerëz në mëhallën e Qylit. Tërë natën u dëgjuan lëvizje automjetesh të shtëna dhe granatime. Ajo lagje u dogj flakë. Diku nga mëngjesi kaluan shumë kamionë me të përndjekur nga ana e Pejës.  I bartnin gjer tek kufiri. Ku ta dinim se kush e bënte atë bartje. Sigurisht serbët, që të zbrazin sa më shpejt Kosovën. Diku nga ora tre e mëngjesit u shqelmuan dyert e hyrjes së ndërtesës. Kisha frikë se mos po vijnë të na masakrojnë. Kuptuam se natën kishin ardhur kriminelët të bëjnë evakuimin e një familjeje serbe. Banorët i kaploi paniku. Mëngjesi i gjeti jashtë banesave në kolonë për në Shqipëri. Agimi u nis të t’i kërkonte fëmijët, apo të merrte ndonjë lajm për ta. Unë mbeta në shkallë të banesës e ulur vetëm. Kisha vënë të dy duart mbi gjunjë dhe nuk dija t’ia gjeja fillin mendimeve. Agimi nuk kishte mundur të kalonte rrugët fare dhe u kthye.
Gati sa s’i ra të fikët kur më pa në shkallë. Ç ’bën këtu, o zot! Ku janë ata, nga shkuan. U nisën i thashë në Shqipëri. Po, ti pse nuk shkove me ta? Jo, - ç’më duhet mua të ik. Fëmijët janë në rrezik. Pastaj, besa nuk e di a janë apo s’janë të gjallë…ia ktheva me dyshim. Të ikim shpejt,-tha ai. Më kapi për dore si një fëmijë dhe kaluam nga ana e pasme e të gjitha hyrjeve të ndërtesave shumëkatëshe dhe prapë në fillim të rrugës sonë. Pastaj u futëm nga oborri i Fatmir Rracit dhe mur pas muri, u gjetëm përsëri tek shtëpia e gjyshit të Floratit. U habitën kur na panë. Vetëm disa orë dhe do të ikim përsëri –u tha Agimi. Sa të mendoj një shtëpi të mundshme. Ata kishin mbetur pa bukë. Bëra brumin dhe gatova bukën me shpejtësi. E poqa dhe u shtrova të hanë.  Agimi iku përsëri të të gjej ndonjë shtëpi më të sigurt, ku nuk do të në hetonin barbarët.  Unë mbeta në oborr. Florati më përcolli gjer tek dera.
Në ndarje qau me zë. Më uroi fat. E shtrëngova fortë. Si birin tim. Gati sa s’ më ra pika në zemër. Gjithashtu edhe Diamanti. Ishin bërë si qymyri. Tërë ditën e natën duke kujdestaruar nëpër oborre. Pa vënë gjumë në sy. Shyrja më ndihmoi të kalojë për të satën herë rrugën. Erdhi me mua. Florati e Diamanti zgjatën kokën në derë. Akoma më duket se i shoh. Qanin të dy . Unë shëtisja nga dera në derë, nga halli i madh që kisha. Sa vështirë ishte të mbetesh pa shtëpi . Nga dera në derë Agimi kishte hyrë në familjen Hoxha. U kishte treguar për mua. Sapo kërcyem murin e lartë, Shyrja u kthye prapa. Tani besoj se diku do të vendosesh, më tha në ndarje. Kujdes Diamantin dhe Floratin i thashë. Mos bart dert,-tha ajo. Të dy i kam për zemër. Sapo kaluam në oborrin ku po na prisnin nikoqirët arriti lajmi se janë futur policët në oborrin e Buzës. Pastaj kërcyem muret dhe dolëm në oborrin e Xharravinës.
Atje spontanisht u mblodhëm shumë veta. Të gjithë burra. Unë e vetmja grua. Agimi më mbante për dore. E mbante forca më shumë. Nga një kulm i shtëpisë kërcyen dy djem në të zeza. Ishte Diamanti dhe Shkambin. Me nga një revole në brez.
Po i ndiqnin policia.  Ishin vënë në mbrojtje të Florinit, të cilin paramilitarët e kishin shtrirë për tokë dhe e kishin kushtëzuan familjen e tij me një shumë të lartë të të hollash.
Ndërkaq i ati i kishte dhënë armën birit tjetër dhe shokut të tij që të marrin pozicionin mbi kulm.  Nëse ndodhë e keqja, së paku t’u hakmerren.
Paramilitarët i kishin vënë re mbi kulm të pozicionuar djemtë e rinj dhe u ishin vënë pas.
Këta, pa një pa dy nëpër kulme të shtëpive, mundoheshin të humbnin gjurmë për të mos e pësuar të gjithë qytetarët e kësaj lagjeje kaq të madhe.
Rrezarta në këtë kohë po ballafaqohej me tmerret e luftës drejtpërdrejt, së bashku me Pranverën. Dera e Mimozës kishte qenë e mbyllur. Nuk njihnin tjetër njeri në atë hyrje.
Mbeti në rrugë. Pranvera qante dhe ngashërehej. U mendua pak dhe i tha :
- E di çka, të shkojmë te një e afërme e babait, e cila gjithmonë është pritur si mbretëreshë tek ne. Ndoshta ajo nuk do na mbyllë dyert?! Por… Atje ka shumë serbë në hyrje dhe është rrezik …belbëzonte Rrezarta Të ikim sa më parë nga ky ferr,- e luti Pranvera. Ikim!-ia ktheu tjetra. Ma jep dorën! Shtrëngoma fortë se mos po na ndalojnë ata! Kam frikë se do të na ndajnë. Nuk kam forcë të të shtrëngoj. Kaq e vogël të luftojë me vdekjen, o zot.
Kjo është luftë e ndytë. Askush nuk u del në mbrojtje fëmijëve. Të gjithë me shikim nga zoti. Po si të mendojë tani vetëm për vete, kur nëna jonë ka kokën në dorë dhe ka mbetur rrugëve.
Zot. Këtë nuk e ka merituar. Të gjithë kanë frikë nga ajo. Sa shumë kemi vuajtur dhe përsëri duhet të vuajmë. Më mirë të të vdesim që ky tmerr të merr fund ,- i thoshte Pranvera së motrës. Jo, shpirt, nënën tonë të gjithë e duan, por kanë frikë sepse ajo është një figurë që ndiqet nga kriminelët. Kanë frikë nga puna dhe vepra e saj.
S’ka gjë. Nëna jonë e ka moralin e fortë. Mund ta vrasin, por kurrë nuk mund ta gjunjëzojnë.
Arritën në katin ku banonte Samilja, gruaja tek e cila menduan se gjetën shpëtimin. I pritën mirë dhe u ofruan edhe bukë. Qëndruan dy netë. Gjatë tërë kësaj kohe sulmet e NATO-s nuk pushonin, por edhe vrasjet e djegiet nga ana e serbëve po ashtu. Ato shikonin nga dritarja lëvizjet e mëdha policore dhe ushtarake, të cilët të futnin tmerrin. Alarmi i ndërtesës aktivizohej orë e çast dhe banorët e kësaj ndërtese futeshin në strehimore. Familjes nikoqire filloi t’i ngushtohet guximi. U thanë vajzave që urgjentisht ta lëshojnë banesën.
-Shkoni, ju lutem. Nuk dua të pësojnë edhe vajzat e mia për shkak tuajin.
Pastaj nënën tuaj, tanimë sigurisht e kanë vrarë. Mund t’u kërkojnë edhe juve, -u tha Samilja.
-Gjeni rrugë dhe shkoni në shtëpi, - tha Miranda. Në cilën shtëpi, ju lutem? –ia ktheu Rrezarta. Që nga 27 Marsi ne kemi ngelur në rrugë të madhe. Të shtatit jemi bërë pikë e pesë.
Shkoni dhe pikë! Më nuk mund t’u mbajmë! – ishte vendim i prerë i nikoqirëve.
Me kokë të ulur ecnin të dyja sikur të shkelnin nëpër vezë.
Pallati i kulturës e ndante rrugën për në shtëpi! Para kësaj ndërtese rruga ishte ndarë me kufi. Tela me gjemba dhe barrikada me thasë rëre. Ndal!- u tha një zë në gjuhën e kriminelit. Asnjëra nuk e kuptuan dhe vazhduan të ecin. Përpara tyre u dukën dy njerëz me fytyra të vizatuara. Ia vunë të dy automatikët si pengesë kalimi. -Ku shkoni në këtë kohë?- i tha njëri.
Nuk mund të lëviznim nga vendi. Kondakët e automatikëve tanimë i kishin drejtuar nga ato. Pranvera sa se shpërtheu qiellin nga britmat. Njëri e shtyu një hap para, por ajo tanimë kishte mbledhë tërë forcën prej fëmije dhe ia kishte shtrënguar dorën fortë së motrës. Nuk mund ta ndanin dot. Tjetri i tha: Vritni të dyja! Ato bënë dy hapa para. Plumbat nga automatikët filluan të zbrazen në qiell. Ne mbetëm lë lidhura njëra me tjetrën dhe duke provuar të kthehemi pas e humbnim edhe toruan. Filluan të ngatërrohen ata mes veti.
Sigurisht se grindeshin për shkak se Pranvera po vazhdonte të qante me sa zë që kishte dhe më ishte ngjitur edhe për trupi.  Të merrte mendja se vetëm me ndonjë operacion mund të na ndanin. E tërhoqën zvarrë disa herë dhe ajo vazhdonte të më tërhiqte mua.
Kthehuni prapa - vazhdoi një zë i tmerrshëm. Si mund të merrni guxim të dilni në rrugë në këtë kohë, kur askush nuk ndjehet i gjallë. Por…Pranvera deshi të belbëzojë diçka, e në moment i harroi të gjitha fjalët dhe mbeti si një trung. U kthyen prapa. Ku të shkonim?
Po kthehemi edhe një herë tek ata që na përzunë- tha Rrezarta.
Jo, nuk dua! - tha Pranvera. Dua të të qëndrojë në rrugë.
Më nuk mundem të ngjitem shkallëve lartë. Pastaj ata nuk do të na lënë brenda. Sikur të donin të na linin, nuk do të na hidhnin në rrugë. Të provojmë edhe njëherë t’i lusim- tha Rrezarta. dhe njëherë. Kë- pyeti përsëri Pranvera. Ata, ia ktheu e motra.
Më shumë si me zor e ngrehu dhe u gjetën përballë derës, së cilës pak orë përpara ia kishin kthyer shpinën. Ju përsëri këtu! - Çka doni? – ia ktheu Miranda.
Ne, erdhëm këtu, sepse në këtë kohë nuk njohim njeri që mund të na strehojë.
Gati sa s’na vranë kriminelët. Kishin vënë kufi të vdekjes.  Britmat dhe çjerrjet e Pranverës na shpëtuan . Jo, nuk ka mundësi të hyni më këtu!
Të lutem, Mirandë, ke mëshirë për ne! Ke mëshirë për nënën tonë, për të cilën asnjë lajm nuk e kemi! Na lejo së paku edhe sonte- i thoshte e madhja , e cila ishte ulur në të dy gjunjët.
-Përjashta menjëherë! Ju jeni çmendur! Nëna juaj vetë e ka kërkuar këtë.  Ajo ka dalë haptas kundër tyre dhe tani le t’ju mbrojë vetë! Por, ajo nuk ka punuar vetëm për veten e vet. Edhe për të gjithë juve . Puna e saj një ditë do të jetë pjesë e lirisë së Kosovës. Prandaj jam e detyruar të të drejtohem si një lypëse për pak strehë për mua dhe këtë motër time të vogël që gati s’po çmendet. Pastaj, a e keni harruar bukën tonë, a? Ti dhe familja jote keni qenë edhe pa lindur unë, mysafirët më të nderuar të shtëpisë sonë në fat e fatkeqësi! Sot, nuk ke zemër të na strehosh qoftë edhe një natë. Ajo iku dhe e mbylli derën. Ato mbetëm si dy cunga të dimrit përpara asaj dere për të dytën herë. Nëna ime nuk e paska njohur mirë këtë familje - i tha Rrezarta së motrës. I ktheu shuplakat dhe i shikoi. I përplasi njërën me tjetrën.
-Ju që shërbyet me kënaqësi këta njerëz të ndytë. Ju që hoqët shumë herë librin nga dora për t’i përqafuar këto bisha. O, zot, na shpëto mendjen dhe na hap një derë të shpëtimit. As shkallët nuk i shihnin më nga tmerri dhe hidhërimi. Tani, nga do shkojmë? - tha Pranvera.
Unë nuk kam guxim më të ballafaqohem me kriminelët në kufirin e vdekjes.
Mu kujtua një vend - i tha e motra. Nëpër rrugicat e vogla do të shkojmë tek familja e prindërve të gruas së xhaxhait tonë. Me siguri se ata do të na pranojnë…