VAJZA ME EMRIN E PLANETIT
Rrugës së kthimit motra e vogla i tregoi për një mikeshën e saj. Janë të afërta për njëra-tjetrën që prej një dekade. Vitet e fundit jetuan në të njëjtën zonë, shtëpitë i kishin pranë e pranë. Janë mikesha të ngushta ashtu si edhe vajzat e tyre të së njëjtës moshë. Nuk e kam takuar kurrë atë grua. Mjatoi vetëm biseda që pata me time motër që të ravijëzoja portretin e saj. Ajo ka lindur, jetuar dhe dashuruar gjithçka në qytetin ku rrjedhin plot përrenjë dhe poshtë tyre flenë pasuri mineralesh.
Për një grua dashuria më e madhe është liria. Përmes saj ajo krijon veten dita-ditës, rrit filizat prej gjakut dhe shpirtit të saj, dashuron burrin që i rri pranë dhe njeh botën që ndryshon pambarimisht. Edhe gruaja për të cilën po shkruaj tani e tillë është. Emri i saj është i njëjtë me atë të planetit Mars. Ajo ka kurajo dhe forcën e malit që ndodhet aty, ndërsa shpirti i saj i lirë është si uji në planet, ende i pazbuluar pranë malit të vullkantë. Nga krrelat e saj ndjen sikur një energji e pashpjegueshme pritet të dalë, sapo diçka e re duket në horizont. Nga ime motër kam kuptuar se asgjë s’ka qenë e lehtë për vajzën me emrin e planetit. Fëmijëria e ka mësuar të zemërohet, të kërkojë dashurinë e madhe të nënës, të ngashërehet dhe pastaj të ngrihet si një mal i fortë, në kërkim të ujit e thesareve në mbitokë.
Është birësuar kur ka qenë fëmijë fare i vogël. Pas saj familja u shtua më fëmijë të tjerë. Kur flet për familjen e saj, mirënjohja dhe dashuria mbush bisedën, edhe pse jo shumë e gjatë. Pasi mbaron së treguari për ta gishtat e gjatë të duarve lidhen me njëri-tjetrin dhe duart e djersitura mbyllen ngadalë. Dhëmbët e bardhë e të rrumbullakët kafshojnë një herë buzën e sipërme pastaj të poshtmen. Sytë e jeshiltë shohin larg, sikur kërkojnë diçka nga ajri që vjen prej juglindjes. Pak çaste janë kështu. Të qeshurat e vajzave të saj e kthejnë përsëri aty, pranë mikeshës dhe kafesë së gjatë që pret mbi tavolinë. Të dy mikeshat pasi mbarojnë kafen, ngrihen dhe shkojnë drejt banesave. Të tilla janë pasditet për to.
Në dimrin e vjetshëm, mimozat çelën më shpejt se herët e tjera. Dy mikeshat shkuan tek luleshitësi dhe kërkuan të blinin lule mimozë. Marsi donte t’ua dhuronte të bijave. Mbase kur të rriteshin do t’ju tregonte se nëna e saj biologjike quhej Mimoza dhe kurrë nuk pranoi të takonte vajzën e saj që ka emrin e një planeti. Marsi sot jeton në shtetin që laget nga tri oqene. Edhe atje blen lule mimoze.