Bukra Hysenukaj Kastrati - HISTORI ÇOBANI N'DIKTATURË

Bukra Hysenukaj Kastrati - HISTORI ÇOBANI N'DIKTATURË

HISTORI ÇOBANI N'DIKTATURË

 

E vogël, ma shumë se me fmij e me gra, kam dasht përherë me ndejt me pleq, (jo plaka). I kam pas do pleq n'katund, që mund t'i krahasoj vetëm me personazhet e preferuem t'autorëve klasik n'vepra madhore. Nji prej tyne asht kanë Barami. Zotni, i paqt, fjalëpak e zàult, po shndetlig. Barami ish tregimtari ma i mirë që kam mujt me njoft. Ish prag-fundi i sistemit po hala kryheshin eksperimente me jetën e njerzve. Familja e Baramit ish "e prekune" si i etiketojshin at'herë ata me biografi jo t'mirë. N'katund tonin, tufzimi nuk u zbatue i plotë, e kjo na jepte mundësinë me jetue pak ma mirë se katundet n'fundni (qysh u thanshim atyne ma poshtë). At kohë, kooprativa vendosi se bagtia e secilit, t'çoheshin n'kullosë bashkë, ku nji i rritun prej katundi caktohej përgjegjs për me u rujt prona e shtetit. Mbasi krahu aktiv i puns ish ma i dobishëm n'fronte tjera, pleqt ishin zg'jedhja ma e leverdishme për kët rol. Ata ndrroheshin çdo ditë jave me rend. U vendos që për ditë, nji i rritun e nji fmij ruejshin bagtinë e katundit. Duhet t'jem kanë 10-11 vjeç. Mundohesha me u kombinue o me Babën o me Baramin. Nji prej ditve, kur çifti i çobejve ish Barami e une, ra shi me stuhi. Pemt e kshtajve janë streha ma e mirë n'ditë shiu. Edhe pse verë, bani ftoftë. Kur mèni shiu, ndezëm nji zjerm. Ngjitë me kullosën e varfën n'at kohë, (korrik do jetë kanë) kishim arat e kooprativs t'mbjelluna kollomoq, që ish n'fazën e shtalbakut. Z'jermi bani prush. Barami m'thotë: "A po shko kputi do shtalbakë n'arë se gjynah me shkue dam tan ky prush". Ky veprim ishte kategorikisht i ndaluem e dënueshëm ba me t'kap. Unë menzi ç'prita. U futa ka mesi i arës mos me lanë shej, kputa nja 5 a 6 e turr e vrap te zjermi. Mbetjet duheshin zhduk me kujdes po ashtu, e ktë e zgidhëm tuj "qeras" bagtinë. Sa po rrotullojshim shtalbakt n'prush, na shfaqet brigadieri. Nji njeri i sert. Edhe fmijt i bajke kurban për partinë ba me ja lyp kjo e fundit, jo ma mue e Baramin. "A t'vjen marre" - iu drejtue Baramit. "Për çka u ka caktue partia ju t'mdhejve ?. Jam i detyruem me t'proçedue". O Zot sa terrorizuese asht kanë kjo fjala "proçedim" n'at kohë. S'i dihej fundi kurrë. Barami e rujti qetsinë. "Ti ba çka t'duesh, i tha, po shtalbakt i ka kput çika pa dit gja une. Une kesh ka kthej lopt se ishin largue e kur u ktheva, i gjeta n'prush. Kesh bà gati me i ba namin, kur erdhe ti". Une mbeta. U ndjeva e tradhtueme, po prap nuk fola. Te na, kie e s'kie t'drejtë, para t'madhit s'kie t'drejtë fjale. Brigadieri u kthye prej meje. Tash po t'kallzoj te yt atë, pisk e kie punën". Prap s'fola. Brigadieri u afrue te zjermi, i muer shtalbakt nja ka nja, i gjuejti prap n'arë e msyni n'punë t'vet. Na prap s'folëm, as me atë, as ndërveti. Isha e zhgënjyeme, e frigueme çka kish me m'thanë Baba, po edhe e mërzitune se as shtalbakt s'i hangrëm. Shkimem zjermin me do degë kshtaje e u nisëm drejt shpijave masi nduem para bagtinë. Ajo histori mbet e fjetune brenda nesh për vite t'tana, por s'u bà kurrë shkak për me e dasht ma pak Baramin, se fellë n'veti, isha e bindune se ai e kish nji arsye pse veproi ashtu.

Vite mbas ndrrimit t'sistemit, shkoj n'katund temin. M'thonë Barami ka zanë shtratin, ndoshta mos me u çue mà. M'dhimti fort. Shkova me e pa. U gzue kur m'pa. Ish shkri krejt. "Kqyre, tha, tuj m'kallzue nji jastek si e mbajke mes dy gujve. Eshtnit janë ka e hanë njani-tjetrin, i ruj me jastëk" e keshi zbehtë. I tha Plaks e Nuses s'djalit: "Lemni pak vetëm me qet çik". Ma muer dorën n'dorë. "Merrem vesh mirë. Peng e kam që t'pata ba me faj pa drejtë për shtalbakt, po i bana llogaritë. Ju (familja jeme) kishit biografi t'mirë e unë jo. Telashet tua u lajshin me nji grusht uji e t'mijat s'i lajke as prroni i madh" m'tha. Kshtu si,..... me m'falë.

Kjo ke hera e fundit si e pash Baramin.