Tregim
JETË TË ÇMENDUR
Tmerri filloi në orën pesë së pasdites të një të diele të fillimit të shtatorit me një burrë me pantallona treçerekëshe, që bërtiste deri në kupë të qiellit rrëzë një parku, ku bënte shenja me duar si i ndërkryer kalimtarëve, të cilët i largoheshin të tmerruar. U njoftua dhe komisariati rajonal i qytetit, që pas disa minutave makina e policisë u dallua të hynte në atë rrugë provinciale. Dy policë zbritën nga automjeti dhe burri i lemerisur u mblodh kruspull duke thënë diçka tashmë me zë të ulët. Polici moshuar e klasifikoi për momentin si një “të luajtur nga mendja” Pastaj, kur e pa të këputur dhe të etur i dha pak ujë me shishen që mbante tek dera makinës, duke mos pyetur për vështrimin e pështirosur të kolegut.
Në atë pikë fjalët e burrit me pantallona treçerekëshe u bënë të kuptueshme.
-Kam humbur gruan dhe djalin tim, -tha, e u shkreh në vaj.
-Eja, do e kërkojmë së bashku! -foli polici i ri në moshë dhe e ndihmoj të hipte në makinë duke u folur kureshtarëve që të largoheshin.
-Quhem Ardit Beqari, -u përgjigj burri mjeruar, pas pyetjes që i bëri polici moshuar. Në mëngjes shkuam për piknik në dushkajë rrëzë malit. Hëngrëm drekë shpejt dhe mua më kishte zënë gjumi në freskun e flladit. Kur u zgjova ime shoqe dhe im bir nuk ishin më aty. Për tri orë kërkova duke lëvizur në formë rrethi pa rezultat, deri sa përfundova këtu në park me shpresën e madhe, por më kot. Mora në celular gruan, por më përgjigjej vetëm sekretaria deri sa më ra fare bateria.
-Fëmijën me këtë grua e ke?-pyeti me duart në timon polici ri.
-Jo, nëna djalit më ka vdekur…-u përgjigjë tjetri i habitur nga pyetja që iu bë.
Polici i moshuar e vështroi zotin Ardit me pak mosbesim. Kur punonte në skuadrën e ndërhyrjes së shpejtë kishte pasur një koleksion të tërë grash që zhdukeshin duke marrë fëmijët me vete, edhe asnjëra prej tyre nuk e kishte braktisur burrin në mes të një livadhi. Jo të gjallë të paktën.
Policët e çuan zotin Behari në pikën nga ku ishte nisur. Aty nuk kishte asnjeri. Pushuesit ishin larguar dhe vetura e tij ”Rrëno” ngjyrë gri ishte e vetmuar pranë një mbulese tavoline me mbeturina ushqimi dhe një kukull Ben 10, një hero i ri që shndërrohet në disa përbindësha jashtëtokësor. Kuklla Ben në atë pikë do të ishte bërë një lloj mize gjigante dhe do të fluturonte sipër qytezës L. në kërkim të të humburve, por policët nuk mund të bënin gjë tjetër veç të njoftonin sallën operative dhe të jepnin alarmin, ku filloj një nga operacionet e shpëtimit më spektakolare, që ai vend kishte parë kohët e fundit.
Mbas disa ditësh, kur zoti Ardit i rënë në dëshpërim të thellë duke humbur shpresën për gjetjen e familjes së tij, erdhi më në fund një lajm nga komisariati, ku njoftohej se djali tij ishte gjetur dhe gëzonte shëndet të plotë. Me zemër të mbushur dhe lotë gëzimi në sy vrapoi si i çmendur në rrugën që të çonte në ndërtesën e policisë të shtetit. Aty, oficeri rojës i dha një adresë se ku të shkonte dhe ai ktheu veturën e u nis nga lagja e lumit. Ishte mesnatë kur arriti para një ndërtese që në dukje të linte përshtypjen si e braktisur. Ajo ndërtesë kishte shërbyer vite më parë si ambulance lagjeje. Kishte pamjen e një paralelepipedi të shëmtuar gri prej çimentoje, nga pas dukej një kube për fëmijë që kishte përfunduar në një furrë, me flluska dhe xhunga të shpërndara në një mënyrë që dukej si e rastit sipër fasadave. Shumë makina policie me drita të ndezura ishin në oborrin plot pemë e me shumë shkurre të ndërtesës. Zoti Ardit doli nga makina e tij e vrapoi nga një fugon policie me drita të ndezura edhe në kabinë, ku shquheshin disa silueta njerëzish. Një polic me trup të gjatë i foli pas krahëve, që të ndalonte, por ai në të ecur i shpjegoi ardhjen. Tjetri i zuri rrugën dhe e ftoi të shkonte pas tij, duke i thënë; se djali ndodhej i sigurtë në duart e tyre. Zoti Beqari u bind dhe i shkoi nga pas, kur ai tha se e kërkonte shefi madh. Shumë punonjës policie dolën nga ndërtesa me tre, katër persona civil nën pranga, që dukeshin si mumje të ringjallura e gjenin streh në ndërtesa publike të braktisura.
-Trafikantë fëmijësh, -shpjegoi polici gjatosh, kur pa habinë e tjetrit.
-Të poshtrit, në litar kriminela të ndyrë! -thirri me zë të lartë zoti Ardit, kur i kaluan pranë.
-Shkojmë brenda! -e urdhëroi me qetësi gjatoshi.
Hynë në një sallë të madhe me suva të rrëzuar pjesërisht, një vend i çuditshëm dhe i rrezikshëm. Zoti Ardit kishte një magjepsje të gjithë të veten. Rrëzë derës ishte një korridor në formë tubi vetëm me një dritare. E zeza e natës shtypte kundër xhamave. Në fundin e sallës ndodhej një dhomë me një tryezë metalike e mbushur me vegla operative mjekësore dhe rreth saj qëndronin dy karrike të gozhduar në dysheme, një shtrat të vogël dhe një erëpritës, ku ndriçohej nga një projektor i fuqishëm dhe, më tutje një deriçkë druri që të çonte në furrën e kubesë. Në atë moment ekspertët ligjorë eksploronin çdo gjë deri në detaje midis ajrit të lagësht. Shefi policisë u shkëput nga ata dhe erdhi drejt zotit Behari.
-Dërgoje djalin në shtëpi! -tha rrëmbimthi. -Kemi shumë punë, në mëngjes flasim.
-C’po ndodh!? -foli i përhumbur zoti Ardit.
-Trafik organesh, kemi humbur shumë fëmijë, eja, -dhe gjatoshi priu para nga dalja.
Djaloshi gjashtë vjeçar e priste babanë në oborrin e pistë, i cili e ngriti të birin hopa dhe midis lotëve e pushtoj në krahët e tij të rraskapitur.
Polici gjatosh, mori një njoftim nga radio dhe, më pas i foli shefit;
-U arrestua dhe Gjelina Behari.
Zoti Behari shtangu: -Gruaja ime…!?
Gjatoshi pohoi duke tundur kryet dhe përkëdheli djalin, pastaj u tha që të shkonin në shtëpi.
Të dy atë e birë të dërrmuar shpirtërisht zvarritën këmbët drejt veturës. Zoti Ardit e kishte përjashtuar këtë mundësi si të pabesueshme, ç’mund të ishte kjo strategji jetese tepër e çmendur!?