Charles Bukowski – Tregim (Përktheu Rifat Ismaili)

Charles Bukowski – Tregim (Përktheu Rifat Ismaili)
CHARLES BUKOWSKI

BIRI I DJALLIT
- Tregim

Unë isha njëmbëdhjetë vjeç dhe dy shokët e mi, Hasi dhe Morgani, s'kishin më shumë se dymbëdhjetë vjet secili. Ishte dhe verë, nuk kishim shkollë, por thekeshim gjithë ditën në diell, ulur mbi barin pas garazhit të babait tim dhe aty tymosnim duhan.
- Ta hajë dreqi- thashë unë.
Po rrija poshtë një peme. Morgani dhe Hasi ishin mbështetur me shpinë pas murit të garazhit.
- Çfarë ke?- pyeti Morgani.
- Duhet t'ia ndreqim qejfin atij birit të kurvës,- thashë. Është një turp për të gjithë lagjen!
- Kujt?- pyeti Hasi.
- Simpsonit- thashë unë.
- Ah, po, - tha Hasi- ka tepër quka në fytyrë. Më ngrihen nervat kur e shoh!
- Nuk është kjo arsyeja,- ia ktheva unë.
- Ah, jo?!- shfryu Morgani.
- Ai këlysh kurve ka hapur fjalë poshtë e përpjetë se javën e shkuar ka palluar një vajzë mu poshtë shtëpisë sime. Është gënjeshtër! Një shpifje e ndyrë,- thashë unë.
- Dihet që është shpifje- tha Hasi.
- Ai as që ia thotë per asi punësh- tha Morgani. 
- Po për të thënë ndyrësira është i zoti se,- shtova unë.
- Unë nuk i honeps hiç fare gënjeshtarët- tha Hasi duke lëshuar nga goja një fjollë tymi. 
- Mua nuk më pëlqen kur një si puna e tij , me tërë ato quka në surrat, nis e thotë broçkulla- tha Morgani. 
- Epo, ndofta ka për të qenë më mirë nëse ia ndreqim pak surratin,- shtova unë.
- E pse jo?- tha Hasi.
- Shkojmë!- nguci Morgani.
Hymë në rrugicën e Simpsonit dhe e gjetëm atje duke luajtur e duke shqelmuar topin në portën e garazhit.
- Ej, pa shih se kush luaka me veten? !- thashë.
Simpsoni ndërpreu lojën, flaku topin dhe u nis drejt nesh.
- Ç' kemi çuna?
Ne e rrethuam.
- Ke palluar ndonjë vajzë në shkallët e ndokujt këto ditë?- e pyeti Morgani.
- Mmm! Eh!
- Si kështu? - pyeti Hasi.
- Eh, po.. !
- Për mua, shumë - shumë ti mund ti biesh vetëm me dorë, - i thashë unë.
- Tani duhet të hyj brenda- tha Simpsoni. Nëna ime më ka thënë të laj pjatat.
- Ajo mamaja jote le ti fusë në gop ato pjata të ndyra- iu hakërrye Morgani.

Ne qeshëm. Nuk pritëm më, por iu hodhëm Simpsonit. Unë i dhashë njē grusht me të djathtën në bark me sa forcë që kisha. Simpsoni u palos më dysh dhe mbajti barkun me dorë. Ndejti në atë mënyrë për gjysëm minuti , pastaj drejtoi trupin. 
- Babai im êshtë duke u kthyer në shtëpi dhe ka për të qenë këtu nga çasti në çast- na tha ai.
- Ashtu? Po babai yt , mos i pallon edhe ai vajzat poshtë shtëpisë së të tjerëve? - ia ktheva unë.
- Jo.
Ne qeshëm. Simpsoni nuk foli.
- Shikoni qukat e tij!- tha Morgani.- Sa herë që ai pallon ndonjë vajzë tjetër poshtë shtëpisë së ndonjërit i mbin gjithmonë një qukë. 
Simpsoni nuk foli. Por shihej qartë se trembej gjithnjë e më shumë. 
- Unë kam një motër- tha Hasi. Nga mund ta di unë se ti nuk kërkon t'ia rrasësh edhe asaj në njërën prej atyre shtëpive? 
- Jo Has, nuk e bëj kurrë, të premtoj, të jap fjalën!
- Ashtu? 
- Po, me të vërtetë, e kam me gjithë mend!
- E po, merre këtë për të qenë i sigurt se s' ke për të harruar!
Hasi i dha një të djathtë në bark me gjithë forcën. Simpsoni u thye dysh përsëri. Hasi u ul përtokë, mori prej aty një gusht plehërash dhe ia rrasi Simpsonit nën këmishë. Simpsoni drejtoi trupin. I kishte sytë të përlotur. Një qurravec, ja se ç' dukej.
- Djema, ju lutem, më lini të shkoj!
- Të shkosh? Po ku? - e pyeta. - Do të shkosh tek mamaja, për t'u fshehur pas fustanit të saj, mes atyre pjatave që i bien prej gopit? 
- Ti as që ke palluar ndonjëherë, mor djalë- i tha Morgani. - Pa shiko. Ti as që e ke fare atë veglën. Ajo shurra që bën ty të rrjedh nga veshët!
- Vetëm të të shihja ti vije qark motrës sime- i tha Hasi,- dhe do të të jepja aq shumë prej atyre grushtave sa të të bëja quks kokë e këmbë!
- Lërmëni të shkoj, ju lutem!
Për pak më erdhi ta lija të shkonte. Ndofta nuk kishte palluar kurrë dhe asnjërën. Ndofta kishte qenë vetëm një ëndërr me sy të hapur ajo që kishte thënë. Vetëm se unë isha kapoja, kryetari i ri dhe i vendosur i grupit tonë. Nuk më lejohej të shprehja dhimbje për të.
- Simpson, ti tani do të vish me ne.
- Jo!
- Jo- ja e sat ëme! Ti do të vish me ne! Para marsh! 
I shkova pas dhe i dhashë një shqelm bythëve. Ai brriti.
- Qepe!- i thashë. - Rri urtë se ka për të qenë më keq për ty! Dhe tani, ec!
E morëm me vete dhe kapërcyem përmes lulishtes prej rrugicës së shtëpisë së tij. Pastaj kaluam nëpër rrugicën e shtëpisë sime, gjer brenda nē kopësht. 
- Dhe tani rri drejtë- i thashë. Duart mbi ije! Do të bëjmë një gjyq lufte të menjëhershëm! U ktheva drejt Morganit dhe Hasit dhe u thashë:
- Të gjithë ata që e quajnë fajtor këtë njeri për gënjeshtrën që ka thënë se ka palluar një vajzë poshtë shtëpisë sime le tē thonē " fajtor".
- Fajtor!- tha Hasi.
- Fajtor!- tha dhe Morgani.
- Fajtor!- thashē edhe unë.
U ktheva drejt robit.
- Simpson, ju shpallēm fajtor.
Lotët kishin filluar ti dilnin jashtë me të vërtetë.
- Unë nuk kam bërē asgjë- tha ai mes ngashërimave.
- Pikërisht, ky është gjithë faji yt, - i tha Hasi.- Shpifja e ndyrë!
- Po ju rrini duke thënë gënjeshtra gjithë ditën e ditës, djema!
- Por jo për qirjet, ama, ia ktheu Morgani.
- Kjo është gjëja për të cilën ju gënjeni më shumë! Prej jush e kam mësuar!
- Rreshter- u ktheva drejt Hasit.- Mbylljani gojën Robit! Jam lodhur nga genjeshtrat e tij të shkërdhyera!
-Si urdhëron!
Hasi vrapoi gjer tek rrobat e varura në tel dhe gjeti atje një shami dhe një leckë kuzhine. Ndërsa ne po e mbanim Simpsonin prej krahësh , ai ia rrasi shaminë mes dhëmbëve dhe ia lidhi gojën. Simpsoni lëshoi një zë të mbytur dhe fytyra i ndërroi ngjyrë. 
- A mund të marrë frymë kështu, sipas teje robo? - pyeti Morgani.
- Le të marrë frymë me hundë- thashë unë.
- Tamam, - miratoi Hasi.
- Po tani çfarë do bējmë? - pyeti Morgani.
- I burgosuri është fajtor, apo jo?- pyeta unë.
- E thamë, or burrë.
- Mirë pra. Atëherë, me cilësinë time si gjykatës unë e dënoj me varje gjersa ti dalë shpirti!
Simpsoni lëshoi ca kuisje të mbytura. Sytë e tij na shihnin me përgjërim.
Unë shkova në garazh për të marrë litarin. Ishte një copë e mirë, mbledhur për bukuri dhe rrinte varur në një gozhdë të madhe në murin e garazhdit. As e kisha fare idenë pse e mbante atje atë litar im atë. Nuk e kishte përdorur asnjëherë, për aq sa dija unë. Tani po i vinte rradha të hynte në punë. 
Dola jashtë me litar në dorë.
Simpsoni nisi të vrapojë. Hasi i shkoi menjëherë nga pas. Ai iu lëshua vrulltazi nëpër këmbë dhe e rrëzoi përtokë. E ktheu Simpsonin me fytyrë  lart dhe nisi t'i binte me grushta në fytyrë. Unë vrapova pas tyre dhe e godita Hasin me njërën anë të litarit. Ai nuk e goditi më Simpsonin. Më kqyri në fytyrë.
- Shkërdhatë, unë të shqyej dysh!
- Gjykatësi jam unë dhe dënimi im êshtë që ky njeri duhet të varet. Dhe këtë gjë do të bëjmë tani. Lëre të burgosurin!
- Qelbanik, të jesh i sigurtë se kam për të të marrē me shqelma bythëve!
- Më parë do të mendojmë si të varim të burgosurin! Pastaj unë dhe ti do të lajmë hesapet tona!
- Dihet që kemi për ti larë hesapet!
- I burgosuri të ngrihet në këmbë, qē tani,- thirra unë. 
Hasi u afrua dhe Simpsoni u ngrit në këmbë. I kishte dalë gjak prej hundësh dhe këmisha i qe njollosur në gjoks. Ishte një e kuqe shumë e ndritshme. Simpsoni dukej i kthjelluar. Kishte pushuar së qari. Por sytë i kishte plot tmerr. Kishte pamje të frikshme. 
- Më jep një cigare,- i thashë Morganit. 
Ai më vuri një cigare në gojë.
- Ndize!- i thashë.
Morgani ndezi cigaren dhe unë e thitha , e nxorra një fjollë prej hundësh duke e mbajtur cigaren mes buzësh dhe ndërkohë i bëra një nyje njërës prej anëve të litarit. 
- Vëreni të burgosurin në pozicion mbi verandë,- urdhërova unë.
Pas shtëpisë ishte një verandë dhe pas saj niste fill çatia. Unë e hodha litarin nē njërin prej trarëve dhe pastaj tërhoqa thyskën përpara fytyrës së Simpsonit. Nuk kisha më asnjë lloj dëshire që kjo histori të vazhdonte. Simpsoni, edhe kështu, kishte vuajtur mjaft, mendoja, por kryetari, kapoja, isha unë, dhe më vonë do të më duhej të zihesha me grushta me Hasin dhe nuk mund t'ia lejoja vetes asnjë shenjë dobësie. 
- Ndoshta do ishte më mirë tē mos e bënim,- tha Morgani. 
- Ky njeri është fajtor- brrita.
- E drejtë. Po jo sa për t’u varur!
- Shikoni, i ka shpëtuar shurra,- tha Morgani.
Me të vërtetë ishte një njollë e errët në pjesën e përparme të pantallonave të Simosonit dhe ajo njollë po zgjerohej. 
- Njeri që dhitesh në brekë!- thashë. 
E kalova thyskën mbi kokën e Simpsonit , e tërhoqa litarin dhe ai u ngrit në ajër gjer mbi gishtërinj . Atëherë mora anën tjetër të litarit dhe e lidha në një rrubinet çesme që gjendej në një cep të shtēpisë. E tërhoqa mirë litarin, bëra nyjen dhe thirra:
- T'ia mbathim nga ky mut vendi.
Pamë Simpsonin e varur , teksa rrinte në majë të gishtërinjve. Po rrotullohej me ngadalë rreth vetes dhe ngjante si i vdekur që tani. 
Ia dhashë vrapit.
Morgani dhe Hasi ia dhanë vrapit njëlloj si unë. Vrapuam përgjatë gjithë rrugës. Pastaj Morgani iku për në shtëpi. Dhe Hasi shkoi në shtëpinë e tij. U hutova, se unë nuk kisha asnjë vend ku të shkoja. " Has"- mendova, " Ose harrove që duhet të rriheshim me grushte, ose nuk pate asnjë lloj dëshire për tu grindur." 
Mbeta në trotuar përreth një minutë, pastaj u ktheva menjëherë në kopshtin pas shtëpisë. Simpsoni po rrotullohej sërish në litar. Pak e nga pak. Pak e nga pak. Kishim harruar t'ia lidhnim duart. Kishte ngritur krahët lart dhe përpiqej të lironte shtrëngimin në qafë, por i rrëshkisnin duart.
Shkova gjer tek çezma, zgjidha litarin dhe e lashë të lirë. Simpsoni u rrëzua në verandë, pastaj u përmbys mbi bar. Ai rrinte ashtu, përmbys. E ktheva dhe i hoqa leckën nga goja. I kishte rënë një pamje e keqe. Në dukje, mund të qe në pikëvdekje. U përkula mbi të.
- Dëgjomë, mor qen bir qeni, mos i kthe patkonjtë nga dielli kaq shpejt! Unë nuk doja të të vdisja me tërë mend. Nëse ti vdes, do tē më vijë keq. Por nëse mbetesh gjallë dhe shkon dhe i thua ndonjë fjalë ndokujt, atëherë të jesh i sigurtë se je i mbaruar, i vdekur, or trap. E kuptove mirë këtë që tē thashë tani? 
Simpsoni nuk u përgjigj. Më vështroi dhe kaq. Kishte një pamje të llahtarisur. Fytyra i kishte marrë një ngjyrë të purpurt dhe kishte shenjat e litarit në fyt. 
E ngrita. E ndoqa me vështrim për pak kohë. Ai nuk lëvizi. Kishte një çehre të keqe. Më hyri frika. Pastaj e kapërceva. Mora frymë thellë dhe ika përgjatë rrugës.
Ishte pak a shumë ora katër e mesditës. Nisa të shëtisja. Shkova drejt bulevardit dhe vazhdova të ecja. Ndjehesha sikur jeta ime kishte marrë fund. Simpsoni kishte qenë gjithnjē një tip i vetmuar. Nuk përzihej asnjëherë me ne të tjerët. Ishte i çuditshëm, në këtë kuptim. Ndofta ishte kjo gjēja që na jepte bezdi. E megjithatë ishte e njejta gjë që më pēlqente tek ai djalë. Ndjehesha sikur sapo kisha bërë një gjë shumë- shumē të keqe dhe, në të njejtën kohë, në një tjetër kuptim, jo. Më shumë se çdo gjë tjetër kisha një ndjenjë boshllëku, që e kishte strofullën nē stomakun tim.
Eca dhe eca pa u ndalur. Arrita gjer në rrugicën kryesore, pastaj u ktheva. Këpucët më vrisnin këmbët. Prindërit e mi më blinin gjithnjë këpucë që s'vlenin as dhe një grosh. Ngjanin të mira për ndonjë javë e ca më tepër, pastaj lëkura fillonte të prishej dhe gozhdët dilnin jashtë prej thembrave.
Vazhdova të ecja, sidoqoftë. Kur u ktheva në rrugicën pranë shtëpisë, ishte bërë pothuajse mbrëmje. Eca me ngadalë gjatë rrugës dhe hyra nga pas kopshtit. Simpsoni nuk ishte aty. Dhe litari ishte zhdukur. Ndofta kishte vdekur. Ndofta kishte shkuar nga ndonjë tjetër anë. Hodha sytë përreth. Pashë fytyrën e tim eti në prag të derës. 
- Hyr!- më tha. 
Unë kapërceva shkallët e verandës dhe mbeta.
- Për fat, nëna jote s'është kthyer në shtëpi. Shko në dhomën tënde! Dua të këmbej ndonjë fjalē me ty, djalë.
Hyra në dhomë, u ula në këmbë të shtratit dhe i ula sytë mbi kēpucët e mia. Babai ishte trupmadh dhe i shëndetshëm, gati një metër e nëntëdhjetë. Kishte kokë të madhe, me ata sytë e varur mbi qepallat e dendura. Kishte buzë të trasha dhe veshë të mëdhenj. Ishte i vrazhdë edhe pa dashur ai vetë. 
- Ku ishe?- më pyeti.
- Po shëtisja.
- Paske shëtitur? Përse?
- Më pëlqen të eci.
- Qē kur kështu? 
- Që sot.
U bë një heshtje e gjatë. Pastaj nisi të fliste ai. 
- Çfarë ka ndodhur sot në kopështin tonë? 
- Ka vdekur?
- Kush?
- E pata paralajmëruar të mos hapte gojë. Nëse ka treguar, do të thotë se s' ka vdekur.
- Jo, nuk ka vdekur. Prindërit e tij ishin bërë gati të shkonin për të të paditur në polici . Më është dashur të rri e të flas me ta për një kohë të gjatë për t'i bindur se s'duhet ta bënin këtë gjë. Po ta kishin lajmëruar policinë, nëna jote tani do tē kishte vdekur. A e kupton këtë gjē djalë? 
Unē nuk u përgjigja.
- Mu desh t'u jepja para për t'u kyçur gojën. Për më tepër ,do të më duhet të paguaj  gjithë llogaritë e mjekut. Tani kam për të tē rrahur aq shumë sa ta mbash mend për tërë jetën! Do të ti heq ato dëshira njëherë e përgjithmonë! Nuk dua të rris një bir të padenjë për një shoqëri njerëzore!
Ai po rrinte në këmbë para derês , pa lëvizur. Unē vështrova sytë e tij nën vetullat e dendura , atë trup të bëshëm. 
- Dua policinë- i thashë. - Nuk të dua ty. Më mirë policinë.
Ai lëvizi ngathët drejt meje.
- Policia, të tillët si puna jote nuk i kupton dot.
Unë u ngrita nga krevati dhe mblodha fort grushtat.
- Hajde!- i thashë. - Zihemi me grushta! 
M'u sul menjēherë. Ishte si vetëtimë që të verbonte dhe më dha njē goditje aq e fortë sa nuk e ndjeva. Rashë shakull në tokë. U ngrita. 
- Duhet të më vrasësh më mirë- i thashë, sepse kur të jem aq i madh sa duhet, kam për të të vrarë unë. Goditja tjetër më fluturoi nën krevat. Ishte një vend i mirë për t'u mbrojtur.  Vështrova telat e krevatit dhe s'kisha parë kurrë asgjë më paqëtuese dhe të mrekullueshme se një sustë. Pastaj shpërtheva në të qeshura. Ishte një e qeshur prej frikës, por nuk e di pse qesha, ndoshta sepse më erdhi në kokë mendimi se mbase Simpsoni e kishte palluar me të vërtetë vajzën poshtë shtëpisë sime. 
- Ç'mutin ka për të qeshur këtu,- brriti im atë. Ti duhet të jesh biri i djallit. Nuk ka se si të jesh im bir!
Pashë dorën e tij të madhe që kërkonte qorrazi poshtë krevatit. Kur m'u afrua pranë, e kapa me të dyja duart dhe ia ngula dhēmbët me sa fuqi kisha. Shpërtheu një ulërimë e llahtarshme dhe dora u zhduk. Ndjeva lagështinë dhe shijen e mishit në gojë. Pështyva. Në njē çast më erdhi nëpër mend se nëse Simpsoni ishte ende gjallë unë pas pak mund të isha i vdekur. 
- Epo mirë, dëgjova të thoshte ngadalē im atë, - do të thotë se e kërkove vetë dhe, për zotin, tani ke për të gjetur belanë...
Unë prita, dhe ndërsa prisja, gjithë sa munda të ndjej ishin disa tinguj tē çuditshëm. Mund të ndjeja ca zogj të vegjël, munda të dëgjoj zhurmat e makinave që kalonin, arrija të ndjeja edhe zemrën time që më rrihte si çekiç në gjoks dhe gjakun që vraponte nēpër gjithë trupin. E ndjeja më së miri frymëmarrjen e tim eti dhe u struka pikërisht nën qendrën e shtratit dhe prita të ndoshte atë që kishte për të ndodhur.
 
Përktheu: Rifat ISMAILI
Shkeputur nga permbledhja me tregime “ Asnje kenge dashurie” Shtepia botuese Naim Frasheri 2002