Anna Maria Antonietta Sarra (shqipëroi Angela Kosta)

Anna Maria Antonietta Sarra (shqipëroi Angela Kosta)
Poetja Anna Maria Antonietta Sarra lindi në vitin 1964 në Teano në provincën e Caserta (Itali). Ajo është autore e disa librave me poezi dhe është vlerësuar me shumë çmime kombëtare.
 
SI QIELLI NË UNIVERS

Kjo poezi është vlerësuar me Çmimin Letrar "Quasar “National UniVersi” - 2023, Lavdërimi Galaktik Ercole.

Kur me fjalë, pa zë
do të jetoj përsëri
në atë botë që gjithmonë më rrethon
dhe në mendime imagjinatash të udhëtimit
do të fluturoj
me krahët e dallëndysheve emigrante,
në çdo vend do mbështetem
e do të ndalem, jetën do shikoj
me zemrën e një udhëtari të varfër.

Dhe do të vëzhgoj yjet
në kupën qiellore të madhe
muzikën përbrenda do të dëgjoj,
këngëzat e lashta që kthehen
si kaktuse endacake
dhe hënën do të përqafoj
e ndrojtur me përshpërimë të lehtë
duke thirrur muzat
lidhur me brezat e kometës
të cilat për një çast
qiellin tim të përhumbur do të përshkojnë
i largët, i tretur, i magjepsur
në kaltërsinë e thellë
të netëve të errëta e të pa gjumë.

Kur në fjalë të patheksuara tingujsh
përmes poezive të imagjinuara do të jetoj
dhe do të jem atje në një pikë të pafundësisë në hapësirën e madhe boshe
për të parë si çdo mbrëmje
ritmin tim të ngadaltë
me vetë kohën që tani ka kaluar
e vetëm atje dhe jo më tej
shpirti im i vetmuar do të pushojë.
Nën tingujt pa zë pezull rri
mes faqeve të jetës sime
e vetme me atë tregim të lehtë e të pëshpëritur
për të reflektuar atë "unë"
që gjithmonë ka qenë në mua
porsi qielli në univers.


VËSHTRIMI I VERBËR I KOHËS

Kjo poezi është vlerësuar me Çmimin "Alda Merini - (Botimi XI - 2023), Accademia dei Bronzi, Pllaka e Presidentit.


Përmes vështrimit të verbër të kohës
udhëtime mbrapsht të stinëve të kaluara
kam parë... dhe qesha
hidhërishëm u qesha
fitoreve të fituara me djersë
me lotë prekëse që nuk rrodhën kurrë.

Qesha...
qesha kur pashë të kalonte
dhe brenda vetes shpesh veten pyesja:
A mund ta anulojë ritmin tim të ngadaltë?
A do ta mjegullojë kujtesën time nesër?
Jo! Kurrë nuk do të mundet ta fshij
veten time 
ajo bredhje e heshtur, reflektim
nën vështrimin shumëvjeçar të kohës
ku gjithmonë do të ketë: një fjalë, një zë,
një tingull të përjetshëm të kohës
për të rikujtuar harresën e një çasti.

LIMONAT

Kjo poezi është vlerësuar me Çmimin "Decumani" (2023)

Si fenerë të ndezur
varen limonat
në degët e gjelbra të pemës së heshtur
e mbushur me bollëk.
Shpërthen misteri i së shkuarës
në kimera me ngjyra të shkëlqyera.
Zbret aroma e ëmbël e hidhur si infuzion
nën vështrimin e qetë
të luleve të portokalleve me yje
dhe degëzat rrethojnë
lëvoren e shndritshme.
Pulsuese është frymëmarrja
që ndjen të nesërmen
një fllad ëndrrash të braktisura
iluzione balsamike
të erërave të pashpjegueshme
që vendosen në mënyrë delikate
si pika vese
mbi frytin e ashpër të dashurisë
me aromën e lashtë të limonit.
 
Përktheu:
Angela Kosta poete, shkrimtare, publiciste dhe
Zv. Kryeredaktore në Albania Press.