Agim Desku - poezi

Agim Desku - poezi
EPOPE E MBRETËRISË SHQIPTARE
Prekazi Heroik
 
Pesëdhjetë e gjashtë yje ranë në Prekazin heroik
Toka u bë altar
gjaku flamur
heshtja betim i përjetshëm
Sot ata janë kushtrimi ynë i pavdekësisë
zëri i tokës që flet shqip
fryma e brezave me ballin lart
zemër plot atdhe
 
Alfabeti i Lirisë
Janë alfabeti i parë i lirisë
kënga e kreshnikut,
bac Adem varg i gdhendur në gur
emër që s’u përkul kurrë
Pasaporta e dhimbjes dhe krenarisë
vula e shenjtë e sakrificës
 
Prindërit Kreshnikë
Prindërit tanë jetuan n’kohë hienash
me shpinë t’përkulur por me ballë t’pamposhtun
Ecën mbi hi e prush të tokës së vrame
e toka i njohu prej hapash jo prej plagësh
Ata ishin alfabeti i durimit mbretër
të heshtjes kreshnikë të zemrës
 
Flamuri i Padukshëm
Dashuria për lirinë ishte flamuri i tyne
i padukshëm por ma i fortë se stuhitë
Për të bukurën e zemrës
i fituen betejat pa kambanë fitoreje
Çdo dhimbje u bë këngë
çdo vuajtje u bë flamur
 
Kurora Mbretërore
Nga hiri i shtëpisë u ngrit një mbretëri
pa kurora ari por me kurorë gjaku,
nderi dhe besë Mbretëria Jashari
Unë, bir i kësaj toke, ngre hymn jo për fron,
por për flijim jo për jetë,
por për jetën e kombit...
 
Lavdi e përjetshme Familjes Jashari!
Lavdi Kurorës Mbretërore Shqiptare!
Lavdi Kosovës së Lirë!
 
07 janar 2026 Agim Desku