Teuta Sadiku - Lexim analitik i krijimtarisë poetike të Fatbardha Xhani Myslimaj

Teuta Sadiku - Lexim analitik i krijimtarisë poetike të Fatbardha Xhani Myslimaj
LEXIM ANALITIK I KRIJIMTARISË POETIKE TË FATBARDHA XHANI MYSLIMAJ
 
 Autorja Fatbardha Xhani Myslimaj shkruan në “Vargje pa emër”
 
“nuk ishin poezi të betuara,
 nuk ishin as prozë”.
 
 Ky vete pozicionim nuk është thjesht një deklaratë poetike, por përbën një shenjë të fortë teorike. Subjekti poetik refuzon format e mbyllura dhe stabilizimin gjinor të diskursit letrar, duke u vendosur në një gjendje liminale, midis poezisë dhe jo-poezisë. Pikërisht këtu shfaqet ajo që mund të quhet trauma e artikulimit: fjala nuk mjafton për tu shprehur ,por dhe heshtja nuk është e mundur. Autorja e di kufirin e gjuhës, por ndien detyrimin për të folur.
Në këtë kuptim, poezia e Myslimaj i afrohet përqasjes adorniane, sipas së cilës poezia pas dhimbjes nuk mund të jetë formë e përkryer.Ajo është një formë e çarë, e tensionuar, ku estetika nuk synon harmoninë, por dëshminë. Poezia nuk është këtu një objekt i bukur, këtu kemi një akt etik dhe ekzistencial.
Ndërtimi i unit poetik femëror në krijimtarinë e Fatbardha Xhani  nuk paraqitet si identitet i përfunduar, por si proces marrëdhëniesh . Kjo shihet qartë në vargjet:
 “mbolla dashurinë në zemrën tënde
dhe prita verën”.
Subjekti poetik nuk zotëron, nuk sundon, nuk imponon; ai mbjell, pret dhe i dorëzohet kohës. Kjo është një etikë e dhurimit dhe jo e egos poetike. Uni nuk është qendër autoritare, por kujdestar i përvojës së tjetrit. Në këtë aspekt, poezia e Myslymaj përputhet me filozofinë e Emmanuel Levinasit, sipas së cilës subjekti ndërtohet gjithmonë në raport me tjetrin dhe fjala është një formë përgjegjësie.
Koha dhe kujtesa në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj nuk organizohen në mënyrë lineare. Vargje :
 “ndonjëherë ditët duhen ndriçuar,
 Gjethet e thata ...shumë netë  më parë”
tregojnë se e shkuara nuk përmbyllet, por rikthehet vazhdimisht në memorien e subjektit. Kujtesa nuk është rrëfim retrospektiv, por një përvojë e pashmangshme që e ndërpret të tashmen. Trauma këtu nuk artikulohet drejtpërdrejt, por shfaqet përmes përsëritjes, kthimit  të imazheve dhe ngarkesës emocionale të natyrës. Kujtesa poetike nuk është zgjedhje, është  një gjendje që i ndodh subjektit.
Trupi, në poezi, nuk funksionon si objekt erotik provokues, por si vend i kujtesës dhe i gjurmës emocionale. Vargjet:
“njollë e kuqe nga buzë zjarrtë,
 U skuqa si natën e parë”
tregojnë se trupi është arkiv i përvojës. Gjuha nuk e përshkruan trupin nga jashtë; përkundrazi, trupi flet përmes gjuhës. Kjo përkon me përqasjen e Julia Kristevës, sipas së cilës subjekti femëror shfaqet në materien gjuhësore, jo përmes deklaratave ideologjike, por përmes trupëzimit të fjalës.
Hapësira poetike në krijimtarinë e Myslimaj është një ndërthurje e intimes dhe publikes. Në vargjet:
 “do të shkojnë një ditë të puthin xhamin e thyer”,
hapësira nuk është gjeografike, por simbolike. Xhami i thyer përfaqëson historinë, plagën, dhimbjen kolektive, ndërsa puthja mbetet akt intim, riparues. Hapësira publike është trauma dhe historia, hapësira intime është trupi dhe fjala. Poezia nuk e mohon asnjërën, por i mban në tension të vazhdueshëm.
Në këtë kontekst, poezia shfaqet njëkohësisht si strehë dhe si ekspozim. Vargjet:
“çdo mënjes përpiqem të të them”
dëshmojnë se poezia është nevojë mbijetese, por edhe akt vetë-ekspozimi. Uni poetik është i pambrojtur dhe e pranon rrezikun e fjalës. Këtu estetika dhe etika bashkohen: fjala nuk është shprehje e vetes, por dëshmi për tjetrin, sërish në frymën levinasiane.
Gjuha e Fatbardha Xhani Myslimaj është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, pa retorikë të rënduar. Kjo nuk është varfëri stilistike, por zgjedhje estetike e vetëdijshme. Siç do të thoshte Adorno, format e thjeshta mbartin tensionin e pashprehur dhe refuzojnë spektaklin e dhimbjes.
Në fund, krijimtaria e Fatbardha Xhani Myslimaj mund të vihet në dialog krahasues me poezinë e Mimoza Ahmetit, jo për hierarkizim, por për të treguar mënyra të ndryshme të ndërtimit të subjektit femëror. Tek Ahmeti, trupi është rebel dhe ekspresiv; tek Myslimaj, trupi është dëshmi dhe përmbajtje. Të dyja ndërtojnë poetika të vlefshme, por nga pozicione të ndryshme përvoje dhe etike.Në poezinë e të dyja autoreve kemi mënyra të ndryshme  të ndërtimit të subjektit  femëror .
 Poezia e Fatbardha Xhani Myslimaj ndërton një diskurs të maturisë ekzistenciale, ku subjekti femëror artikulohet përmes formave të çara, metaforave organike, një gjuhe të thjeshtë dhe një përgjegjësie të thellë ndaj tjetrit.  Poezia e saj  nuk kërkon të bindë lexuesin .Poezia e Fatbardha Xhani Myslimaj  dëshmon se uni poetik flet hapur. Kujtesa shfaqet në poezi  me përsëritjen e imazheve dhe trupi flet përmes gjuhës ,pra kemi trupëzim të gjuhës.Trupi jepet në poezi si vend i traumës dhe i dashurisë.Poezia është edhe strehë edhe ekspozim Kujtesa nuk është lineare Koha është ciklike dhe e çarë.Në krijimtarinë e Fatbardha Xhani Myslimaj uni poetik ndërtohet si proçes në marrëdhënie me tjetrin.
 
Teuta Sadiku