Juli Sono – Cikël poetik

Juli Sono – Cikël poetik
CIKËL POETIK NGA JULI SONO (ELBASAN)
 
E DUA ATË GRUA 
 
E dua atë grua,
edhe pse nuk i ngjan asnjë ylli,
edhe pse nuk vjen tek unë
si agim a perëndim dielli.
 
E dua
edhe pse nuk i ngjan ndonjë sirene apo hyjnie,
edhe pse zëri i saj
rrallë fluturon drejt yjeve,
por prek në heshtje zemrën time.
 
Edhe pse flokët e saj
nuk shkëlqejnë nën dritën e hënës,
por sytë i ndriçojnë kur buzëqesh,
dhe sjellin paqe në rrugëtimin tim.
 
Edhe pse trupi i saj
nuk është si topmodele revistash,
dhe buzëqeshja e saj
nuk është si trëndafili kur bie vesa,
ajo mbjell dritë, aty ku hijet lindin.
 
Edhe pse fjalët e saj 
nuk janë gjithmonë të zgjuara,
ato shpërthejnë si lumenj që rrugën duan të gjejnë
midis gurësh të vjetër mbi heshtjen.
 
Megjithatë, të dua,
ashtu siç je.
Mbështetëse e rrugëtimit tim në jetë,
shpirt i kundërt por me integritet,
sepse askush tjetër nuk më mëson
të shoh botën siç e shoh përmes syve të tu,
dhe askush tjetër nuk më flet për shpirtin, 
si ti...
 
FUTURIM SHPIRTI 
 
Hesht! - më foli ndërgjegjja,
s'është koha e arsyes.
 
Bërtit! - më foli zemërimi,
është koha e hakmarrjes.
 
Mos dashuro! - më foli zemra,
jetojmë në epokën e pasqyrës narciste.
 
Vrapo, vrapo! - më foli instikti,
në xhunglën e qytetërimit që jetojmë,
s'ka rëndësi nëse je pre a grabitqar.
 
Fluturo, fluturo! - më foli shpirti,
pastrohu mbi qiejt e vetvetes.
 
Atëherë kuptova:
të shkruash është njësoj si të fluturosh.
Dhe kur të vdes 
një dritare dua, të ma lënë hapur.
 
MUZA IME 
 
Muza ime
e pakuptimtë,
e pakohë,
e paqëllimtë,
të dashuroj.
 
Muza ime
si limfë e mpiksur
në fosile drurësh.
 
Muza ime
si shtrat i heshtur i oqeanit.
 
Muza ime
arkaike,
e mbetur në gjuhën e shpirtit.
 
Muza ime 
si pulëbardhë
që bie pikiatë
mbi ekzistencën e dashurisë.
 
Muza ime
sekondat e saj,
i përkasin orës së diellit.
 
Muza ime 
shpirt i padukshëm
i skalitur në sytë e një fëmije.
 
Muza ime
pa egoizëm,
si një zot i qetë,
brenda meje
 
Muza ime
përkatësi e përbotshme,
pa etni.
 
Muza ime
muzikalitet ëndrrash.
 
Muza ime
forma ime jetësore 
më e përkryer,
ndaj të dashuroj.
 
(Redaktoi: Angela Kosta)