Angela Kosta - Poezi

Angela Kosta - Poezi
REZILIENCË
(Për të gjitha: Nënat, Motrat, Gratë që nuk jetojnë më... për jetën e tyre të gjymtuar! 
Për ato Femra të cilat sot, vuajnë dhe mbijetojnë në heshtje...) 
 
 
Në gjysmëhijen e zymtë,
si qenie e huaj endet shpirti i saj,
gjakosur deri në mavijosje
thonj ngulur deri në dhembje.
Mbi petale vezulluese prehen lotët,
ushqejnë dhe shuajnë etjen e kalendulave 
grimca shpërndarë, mijëra mendimesh.
Të pafuqishme,
përhumben...
muzgje perëndimesh mbijetese 
në gjëmime jehonash,
pa rënkime, pa zë,
të tromaksura 
përballë simfonive madhështore
të dirigjentit, 
veshur me petkun
e princit të errësirës,
rrugëtimin e qëndrueshmërisë
me gjithë supremacinë e tij, 
dirigjon.
 
Letizia e trëndafiltë
me sy të lodhur,
hedh tej
peshën e rëndë të shtyllave
të Tempullit të Kohës.
 
Gjunjëzohet burracaku,
para Gruas së Madhërishme,
e kurorëzuar me lotusë e lulëkuqe,
feniks mbi pemën e jetës,
folenë e pëllumbave të lirë, ruan.
 
Afërdita, stolisur me ngjyrat e ylberit,
në prehrin e saj,
gjurmë të shndritshme yjësish, mbart.
 
Grua e mrekullueshme, 
përjetësisht, 
mbi buzët e tua vetë jeta prehet
si premtim,
shpagim i së ardhmes.