STOLIA E HUMBUR
E ritakova zonjën fisnike në një rast jo të zakonshëm; në përcjelljen e fundit të njeriut të familjes. Kur ajo erdhi, na u çelën sytë, mua dhe familjarëve të tjerë. Zonja ishte kujdesur për çdo detaj, si për grimin, flokët ashtu edhe veshjen. Ajo e ruante ende buzëqeshjen e bukur dhe bujare, sytë plot dritë dhe gishtat e gjatë e të bukur. Ne të dyja kemi lidhje gjaku, ajo nga nëna e saj dhe unë nga im atë. Pas bisedave për familjet tona, punët dhe rutinën, sytë më shkuan drejt stolisë së verdhë, që zonja e mbante në dorën e djathtë. Teksa e shihja, asesi s'më shkonte mendja se ajo stoli ruante pas vetes histori. Byzylyku prej ari ishte një dhuratë nga i shoqi. E kishte porositur dhe punuar jashtë vendit, atje ku janë mjeshtrit më të mirë arpunues në krejt Ballkanin. Modeli i stolisë ngjante si një pikturë e punuar gjatë jetës së një piktori. Vijat e holla mbi stoli ngjanin me përroska malesh, ndërsa pjesët e sheshta e të shndritshme ngjanin me limane të blertë. Gjithmonë kam menduar se në çdo krijim që bëjnë duart dhe mendja e njeriut, format dhe përmbajtja janë rastësore, ndërsa interpretimet e ndjesitë mbi këto krijime janë individualisht të ndryshme - njëjtë si ky përshkrimi për stolinë e artë.
Zonja teksa tregonte për byzylykun, mbushesha me harenë që ndieja në zërin e saj.
-Ky byzylyk na tha, erdhi përsëri tek unë pas tetëmbëdhjetë vjetësh. Kisha pak kohë që e kisha marrë dhuratë nga im shoq byzylykun, por krejt papritur më humbi një ditë kur isha në teqe. Kontrollova kudo. U mërzita shumë. Pas shumë orvatjesh që bëra për t'a gjetur, u dorëzova.
-Këtë vit të ri, si çdo vit tjetër miq e të afërm na kishin dërguar dhurata. Postieri më jep një pako. Ai këmbëngulte që të firmosja, pasi të merrja pakon. E mora dhuratën dhe e vura diku, pa i kushtuar shumë rëndësi. Nuk më bëri shumë përshtypje, sepse edhe paketimi nuk ishte shumë tërheqës. Disa ditë më pas, e hapa edhe pakon e postierit këmbëngulës. Pasi i hoqa letrën e paketimit, pashë një kuti të thjeshtë stolish. Kur e hapa gjeta brenda saj stolinë time prej ari, që e kisha humbur para tetëmbëdhjetë vjetësh.
Ua çfarë gëzimi! Fillova t'ia tregoj byzylykun tim shoqi dhe djemëve. Ata fillimisht nuk reaguan për çfarë po iu tregoja. Vetëm kur iu thashë se e gjeta pas shumë vjetësh stolinë, të cilën ma solli një postier, atëherë u bënë kureshtar.
-Teksa iu tregoja për stolinë prej ari të verdhë, burrit dhe djemëve, mu kujtuan fjalët e babait tim:
-Bija e babait, në vendin tënd mund të ulet kushdo, por fatin tënd e merr vetëm tim.
Të parët tanë fisnik na kanë lënë mençurinë dhe filozofinë e jetës, përmes fjalëve të thjeshta. Stolia e artë dukej kaq bukur në kyçin e dorës së zonjës, aty ku duhet të kishte qenë përgjatë tetëmbëdhjetë vjetëve.