Nga Teuta Sadiku

Nga Teuta Sadiku
KUR BALENAT  NJERI PUSHTOJNË  ISHUJT  E VIRGJËR.
 
Little Saint James ndodhet në ishujt e Virgjër brenda zonës së Karaibeve.Çfarë koiçidence, apo përzgjedhje e studjuar  për të mbledhur atje  fëmijë të pafajshëm, vajza adoleshente,
Në Karaibe ka balena,  por jo si ato që dalin nga thellësia me madhështi dhe kthehen prapë në mister, sepse atje, në atë ishull të vogël, balenat nuk ishin balenat, balenat ishin njerëzit, dhe njeriu, kur i humbet kufijtë, bëhet krijesa më e egër  e botës, bëhet i pangopur, bëhet trup pa ndërgjegje, bëhet mish pa shpirt, bëhet një gojë që ha dhe ha e prapë nuk ngopet, bëhet një bark i errët që kërkon gjithnjë më shumë, gjithnjë më poshtë, gjithnjë më thellë, sepse te të pasurit e mëdhenj nuk mungon asgjë, nuk mungon paraja, nuk mungon pushteti, nuk mungon fama, nuk mungon shërbimi, nuk mungon luks i shtruar me ar, por mungon ajo që është më e rralla në këtë botë, mungon ndjenja e kufirit, mungon frika nga e keqja, mungon ndërgjegjja që të thotë “ndalo”, dhe pikërisht kur mungon kjo, atëherë fillon rituali i errët, atëherë fillon “oreksi i shfrenuar ” si fe, atëherë fillon kënaqësia si ligj, atëherë fillon trupi i tjetrit si pronë, atëherë fillon fëmija si plaçkë, vajza si mall, njeriu si send, dhe ishulli bëhet një altar ku flijohet pafajësia.
Ata që shkonin atje nuk ishin turistë, ishin balena të rritura me dhjamë arrogance, balena të ushqyera me duartrokitje,me para , balena të stolisura me emra që i hapnin dyer, balena që ecin në tokë si të mos ekzistojë ligji, balena që flasin nëpër sallone, që buzëqeshin në kamera, që japin leksione morali nëpër ekrane, dhe ndërkohë, në atë cep deti, derdhnin jo ujë, por helmin e tyre, derdhnin jo jetë, por shkatërrim, derdhnin jo dashuri, por përdhosje, sepse spermë e balenës në natyrë është vazhdimësi, është ritëm, është këngë e thellësisë, ndërsa spermë e balenës-njeri është pushtim, është shenjë e dhunës, është një vulë mbi një trup të pambrojtur , një gjurmë e neveritshme e një bote që e quan veten të qytetëruar dhe në fakt është vetëm e rafinuar e zhytur  në krim.
Dhe sa e tmerrshme është kur e kupton se këto balena nuk vijnë vetëm, vijnë me një sistem, vijnë me një heshtje të organizuar, vijnë me avokatë, me kontrata, me kamera të fikura, me telefonë të shuar, me miq që nuk pyesin, me policë që nuk shohin, me gazetarë që mbyllin gojën, me shërbëtorë që shesin shpirtin për rrogë, me shoqëri që thotë “mos e hap”, sepse ishulli nuk është vetëm një copë tokë, ishulli është metafora e botës, ishulli është vendi ku e vërteta mbytet, ku viktima nuk ka emër, ku dhimbja bëhet thashethem, ku krimi vishet me parfum, ku shkatërrimi quhet “jetë e natës”, ku abuzimi quhet “skandal”, ku fëmija shndërrohet në statistikë, ku vajza shndërrohet në titull lajmi, dhe askush nuk mban përgjegjësi, sepse balenat e mëdha kanë një sistem të tërë mbrojtjeje ,një det të tërë për t’u fshehur.
Këto balena ushqehen jo me plankton, por me dobësi, jo me peshq, por me frikë, jo me thellësi, por me errësirë, ushqehen me mishin e pambrojtur, me gjakun e heshtur, me lotët që nuk i sheh askush, ushqehen me trupat e njomë të vajzave që u premtuan “karrierë”, “modë”, “skenë”, “fama”, dhe u dhanë vetëm një dhomë ku dera mbyllej nga jashtë,  një dhomë ku njeriu mëson se çfarë do të thotë të jesh i vogël në një botë ku të mëdhenjtë nuk janë të mëdhenj nga shpirti, por nga dhuna, fuqia e pushtetit, pesha e parave.
Dhe pastaj vjen pyetja që rri si gur në grykë, kush i mbronte këto balena, kush ua pastronte gjurmët, kush ua fshinte krimet, kush ua kthente skandalet në “thashetheme”, kush ua kthente dëshmitë në “histeri”, kush ua kthente vajzat në “gënjeshtare”, kush ua kthente fëmijët në “rast i paqartë”, kush e ndërtoi këtë det ku balenat e krimit notojnë pa u prekur, sepse në këtë botë, jo gjithmonë fiton e vërteta, shpesh fiton ai që ka më shumë para për ta shtrembëruar, më shumë pushtet për ta heshtur, më shumë lidhje për ta varrosur, dhe kështu civilizimi, ai që na e mësuan si kulm të arsyes, del se është vetëm një kostum i shtrenjtë mbi një bishë të vjetër.
 Ishulli nuk është vetëm ishull, është një shenjë, është një plagë, është një hartë e së keqes moderne, dhe deti rreth tij nuk është thjesht det, është një perde e kaltër që mbulon krimin, ndërsa balenat, balenat e vërteta, ato të natyrës, do të turpëroheshin po të dinin se emri i tyre u përdor për këta njerëz, sepse balena e natyrës është madhështi, ndërsa balena e njeriut është turp, balena e natyrës është këngë, ndërsa balena e njeriut është ulërimë e fshehur, balena e natyrës lëviz në thellësi, ndërsa balena e njeriut lëviz në korridoret e pushtetit, në sallonet e pasurisë, në avionët privatë, në listat e ftuarve, në heshtjen e shoqërisë.
Dhe ndoshta mos vallë , ky është testi i vërtetë i civilizimit!? Civilizim nuk është  sa shpejt ndërtojmë qytete,  sa teknologji shpikim,  sa pasuri grumbullojmë.
Civilizim është se a kemi guximin të mos i adhurojmë balenat e rreme, a kemi guximin t’i shohim siç janë, a kemi guximin t’i quajmë kriminelë edhe kur kanë emra të mëdhenj, a kemi guximin t’i besojmë viktimat, a kemi guximin të mos e bëjmë të keqen spektakël, sepse kur balenat e tilla derdhin helmin e tyre në ishuj, nuk e ndotin vetëm një ishull, ndotin të gjithë detin tonë moral, dhe nëse deti moral ndotet, atëherë nuk ka ishull ku të shpëtojmë.
 
Teuta Sadiku