Teuta Sadiku - Baladat, shtylla vertebrale të një etnie

Teuta Sadiku - Baladat, shtylla vertebrale të një etnie
Baladat, shtylla vertebrale të një etnie
 
Balada nuk është thjesht një formë poetike; ajo është mënyra me të cilën një komunitet i jep kuptim hapësirës ku jeton. Në këtë kuptim, balada nuk është letërsi në kuptimin e ngushtë të fjalës, por një mekanizëm antropologjik i kujtesës kolektive. Në shkollën e kulturës tradicionale, përpara se të shkruhej historia, rrëfehej balada. Këtu kemi “Baladën e Gurit” të krijuesit dhe poetit Koçi Qorri, e cila duhet lexuar pikërisht në këto rrethana.
Balada nuk rrëfen një dashuri tragjike midis malit të Dhëmbelit dhe lumit Vjosa; ajo artikulon një mit themelues, një narrativë që i jep qytetit të Përmetit një origjinë simbolike. Në këtë tekst, relievi nuk është sfond, por subjekt. Mali dashuron, lumi përgjigjet, kurse guri mbart kujtesën.
“E pezmi   e motet bënë gur !”
“Dashuria e vrarë pranë tyre i tret
dhe për shenjë bëri qytet!”7
Në traditat ballkanike, mitet e themelimit shpesh lidhen me sakrificën rituale: një trup muroset që të qëndrojë kështjella, një grua flijohet që të mos shembet ura. Ndërtimi kërkon flijim. Në këtë mënyrë, balada shqiptare është strukturuar në forma të ndryshme. Por qyteti, në këtë baladë, nuk lind nga murimi; ai lind nga petrifikimi emocional. Humbja e dashurisë së pamundur shndërrohet në gur, guri bëhet shenjë, dhe shenja bëhet qytet.
Këtu kemi një zhvendosje të rëndësishme antropologjike. Themelimi nuk është akt arkitektonik, por proces simbolik. Balada e vendos qytetin e Përmetit midis dy trupave kozmikë  malit dhe lumit  dhe e paraqet atë si rezultat të bashkëveprimit të tyre. Identiteti urban nuk ndërtohet vetëm mbi histori luftrash apo zhvillime ekonomike,apo politike , por mbi narrativat që komuniteti zgjedh të ruajë , të rrëfejë për veten.
Në këtë kuptim, guri i qytetit nuk është vetëm një formacion gjeologjik; ai është kujtesë e ngulitur , dëshmia e një dashurie që, edhe pse e pamundur, prodhon kuptim. Antropologjia kulturore na mëson se mitet e themelimit nuk kanë për qëllim të tregojnë nëse një ngjarje ka ndodhur vërtet, por pse duhet të kujtohet ajo. Dhe pikërisht kjo baladë i jep komunitetit një mënyrë për ta parë hapësirën, gjeografike si pjesë të vetes.
Dhëmbeli nuk është vetëm mal; ai është figurë e qëndrueshmërisë dhe krenarisë.
“Dhëmbeli nga dhimbja e thellë
La zemrën në rropamë tatëpjetë !”
 Vjosa nuk është vetëm lumë; ajo është rrjedhë, lëvizje, energji femërore. Vjosa paraqitet si energji primodiale,E papërmbajtshme,një feminitet kozmik që sfidon kufijtë hapësinorë.
“Vjosa nga përtej,
sfidonte si peri në të ri.”
Midis tyre, qyteti merr formë si një ndërmjetësim i heshtur.Nga dhimbja lind qyteti.Balada i jep Përmetit një origjinë  poetike ,duke e shndërruar hapësirën urbane në trup simbolik të një dashurie të flijuar.
Roli kulturor i kësaj balade shkon përtej estetikës; ajo kontribuon në ndërtimin e një identiteti lokal që nuk mbështetet vetëm në dokumente historike, por në një imagjinatë kolektive. Në kohë globalizimi dhe standardizimi kulturor, balada rikthen një mënyrë simbolike të të menduarit, ku natyra dhe njeriu janë të ndërthurur në të njëjtën strukturë kuptimore.
Në këtë prodhim baladash, poeti Koçi Qorri shfaqet jo thjesht si krijues vargjesh, por si rikthyes i një mënyre të vjetër të të menduarit aty ku fjala krijon hapësirë dhe hapësira krijon identitet. “Balada e Gurit” dëshmon se një qytet mund të ndërtohet me gurë, por mbahet gjallë nga rrëfenjat që zgjedh të tregojë për veten.
Në këtë baladë, poeti e përmbys rendin tradicional. Qyteti i Përmetit nuk është vetëm rezultat i historisë, por i një dashurie të pamundur midis malit dhe lumit, të personifikuar si dy trupa kozmikë që krijojnë një mit themelues. Ndryshe nga baladat ballkanike të murimit, ku sakrifica është ritual ndërtimi, këtu qyteti lind nga gëzimi i natyrës, nga një energji që shndërrohet në shenjë.
Kjo e vendos baladën shqiptare në një horizont holistik: relievi bëhet kujtesë dhe guri bëhet histori e ngrirë. Paralele të pjesshme mund të gjejmë edhe në traditat skandinave, në balada si “Harpens Kraft”, apo në baladat islandeze të maleve dhe fjordeve, ku tragjedia buron nga dashuria, vdekja dhe shkrirja me natyrën. Por dallimi është thelbësor. Në traditat nordike, natyra shpesh është fat i pashmangshëm; në “Baladën e Gurit”, natyra është subjekt dashurie. Mali dhe lumi nuk janë vetëm sfond, por aktorë të një drame simbolike.
Kështu, kjo baladë shqiptare afrohet më shumë me mitologjitë mesdhetare sesa me ato nordike. Ajo na kujton se qyteti nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një strukturë kuptimore; se guri nuk është vetëm materie, por kujtesë; dhe se identiteti nuk lind vetëm nga historia e shkruar, por nga rrëfimi që një komunitet zgjedh të ruajë dhe të trashëgojë.
 
Teuta Sadiku