XHELSINA PETRITAJ DHE VEPRAT E SAJ NË EKSPOZITËN E TIRANËS
Disa ditë më parë, me shumë entuziazëm u mirëprit ekspozita e artistes Xhelsina Petritaj në Tiranë, ku publiku dhe artdashësit vlerësuan mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë që ajo përcjell në çdo punim. Rreth 40 vepra në teknikë akrilik dhe vaj, të realizuara me një stil të veçantë dhe emocional, pasqyruan thellësisht përjetimet, temat sociale dhe fuqinë e brendshme të femrës. Ekspozita nuk ishte thjesht një shfaqje arti, por një mesazh i fortë se përmes ngjyrës dhe penelit mund të sfidohen paragjykimet, të denoncohen fenomenet negative dhe të frymëzohet shoqëria drejt reflektimit. Pjesëmarrja e gjerë dhe reagimet pozitive të publikut, dëshmojnë se arti i Xhelsinës tashmë ka fituar një vend të denjë në skenën shqiptare e më gjerë.

Xhelsina tregoi edhe një herë se artisti i ngjan veprës se tij, ajo me artin e saj të veçantë me artin vetjak pa korniza, me lirinë që e karakterizon. Ajo guxon përmes penelit të luftoje fenomenet shoqërore që lidhen me çështje të ndryshme, ku roli i gruas ka qenë tejet i dukshëm. Lakuriqësia e pikturave të Xhelsinës, na tregon më së miri se sa larg, ne të qenurit njerëzor, kemi shkuar e jemi degraduar si shoqëri!

Piktorja Xhelsina, një vajzë e cila duket sikur është zgjuar nga një ëndërr e keqe, na trondit të gjithëve me mesazhin që jeta është e mrekullueshme, e vërtetë dhe duhet jetuar bukur.
Përgatiti: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare