LORENZO SPURIO
Lorenzo Spurio (lindur në Jesi-Ancona, në vitin 1985), është një poet, shkrimtar dhe kritik letrar. Ka botuar librat me poezi: Neoplazitë civile (2014), Midis portokallëve dhe mentës. Recital për mungesën e Federico García Lorca (2016) dhe Iluzion Optik (2018). Ka redaktuar antologji poetike si Banket në vargje. Hartë gjithëpërfshirëse e poetëve në Marche (2016). Në prozë ka botuar tre përmbledhje tregimesh të shkurtra. Spurio ka një veprimtari intensive si kritik me botimin e eseve në revista dhe vëllime, studime, kryesisht mbi letërsinë e huaj, duke përfshirë monografitë për Ian McEëan dhe volumin Të këqinj brenda (fitues i çmimit Casentino në 2018). Ndër interesat e tij kryesore është figura e poetit dhe dramaturgut Federico Garcia Lorca, të cilit i ka kushtuar një ese mbi veprën teatrale. President i Shoqatës Kulturore Euterpe në Jesi dhe kryetar i Jurisë në konkurse të ndryshme të poezisë, ai ka fituar shumë çmime letrare për poezi dhe studime monografike.
TIPARET E NJË POETI
Poeti është kundërshtar i shkujdesur
sepse zhvendoset midis luspave të jetës
dhe autostradave të gjata të rrezikshme
i lagur nga dëshirat e ndryshkura të orëve.
Një sens i pavetëdijshëm mbizotëron tek ai
që shqyen me tehe të pandalshme
lëvozhga krijimesh e magmash të brendshme.
Ai nuk shprehet, por di,
nuk mendon, por ndërton.
Forcon boshllëkun
dhe ajrin materializon
në eksplorimet kaleidoskopike të jetës.
Ai ka ndalur së rimuari fjalën zemër me dashuri
dhe e ka shpërfytyruar vargun fiks
duke ulëritur rima dhe thyer modele betoni.
Tek e fundit, mbetet gjallë substanca
mes bredhave vezullues që në erë
copëtohen në pjesë
duke penguar shtigjet e gjelbërta.
Sot i ftohti ngrin majat e gishtave
dhe një hardhucë e çoroditur
e ka humbur folenë e saj.
SPIRANCA E MENDIMEVE TË MIA
Me shkathtësi përshkoj erën
dhe e zëvendësoj me detin;
lexoj përralla të së nesërmes
dhe dua që hapësira e përzgjatur
papritmas, formë tjetër të kishte.
Ti e dije sesi kalonte koha
pas qoshes, në një gjelbërim plot dritë.
E magjepsur nga dielli, ushqente limfë.
Megjithatë ulem, përballë me të sotmen
me fjalën që shpirtin pushton
mes zemrës së përgjumur dhe ajrit
forma që veniten unë shikoj
mes një hendeku që ishte dhe, përsëri,
pareshtur kërkoj: është era, së cilës
i vjen keq për të përtejmen që kryet ngre
ndërsa, i dekurajuar unë vëzhgoj,
me gjethet e fshatit vishem
që spirancën e mendimeve të mia shtrëngon.
Përktheu nga italishtja: IRMA KURTI