Vlora Kozhani-Tolaj - Cikël poetik

Vlora Kozhani-Tolaj - Cikël poetik
VLORA KOZHANI-TOLAJ
 
Vlora Kozhani-Tolaj, ka lindur në Lipjan, jeton dhe punon në Prishtinë.
Vlora është poete, ka  botuar librin në  tri gjuhesh me poezi “Profil hëne” në Tiranë, 2012. Laureat e çmimit “Adem Demaçi”, 2023 nga LSHK. Finaliste në shumë festivale brenda dhe jashtë vendi. Vlora ka udhëhequr grupin letrar “Papa Kristo Negovani”  Krijimet e saja janë përfshirë në shumë revista letrare dhe antologji.
E vlerësuar disa here nga juri të ndryshme me çmime dhe mirënjohje për krijimtarinë e saj.
 
ECCE HOMO
 
Nuk ma mësuan vetëm historitë
E pash
Po
E pash
Atë qe duket si unë
Si ti
E dëgjova tek gënjente
Nga po goja që kemi dhe ne
Pash duart e përgjakura
Po të njëjtës formë që lëkundin djepat
Njerëz laraman
Edhe vrasësit thirren njerëz
I kanë shumë dëshirë mëngjeset e shijshme
Edhe shtëpitë i duan të ngrohta
Bien edhe në dashuri
Kanë edhe fëmijë
Ja njeriu!
Ecce homo!
Ç`ndyrësirë!
 
NE TË BIJAT E SHEKULLIT TË RI
 
Skulpturë që gjallon e vyshkin
E etur me ujë që rrjedh
E pabuka që vet gatuan
Shpijanikja që s’ka shtëpi
Kryefisja që s’i shkon fjala
E blemja-e ardhmja-e ndrrunja nga tjetërkush
Ne të bijat e shekujve
Që na tallën e na flakën
Pandalësisht -padenjësisht
 
Dorëlypësaret për ujin e ndaluar
Arsenali me i çmuari luftërave makabre
Të asaj gjinie egoiste
Plaçka ma e këndshme e një fundbeteje
ma e këndshme se toka e uzurpuar
 
Perla e vjedhur që kënaq hajdutin-kur syvizullon
Nga kënaqësia që ndjen nga akti i pameritun
Kocka e shijshme e qenit lanaraq
Vera qe dehi perandorët
Dorëthara që s'ia zgjati dorën simotra saj.
Ne të bijat e shekullit të ri
Të nëmurat
Barra qe u nam nga vetë e ëma pse ishte femër
kryelartnesha sizifiane
Motra e nderit që mëkaton me durimin
E dënuara për të pathënën e t'pabërën
Rri kryqëzuar si Krishti dikur.
 
Ti që mëkatin e puthe në ëndërr
bija e  nënëmadhes
Një kurorë mbretërie vetë vetës  thurja-më
Ti mumja e gjallë e historisë...
 
E TASH VARGANI I NDODHISË SEME
 
Mëngjes i dielltë, n’10.00 pa një çerek
 
Në dritëdepërtuesin e dhomës
Ku hyjnë të djelltat rreze
Të ambla si tamloriz ende i paftofun
Të verdhtë si i hojet mjalti
Zgjon në elektrizim flokun tem
Bashkë me shpirtin tem tё teptisur flakë prej vajznie
 
U hodha nga shtrati që ranova deri para pak çastesh
Kreha gërshetat që deri në atë moment
Njihnin veq hutira lumturish  
Vesha fustanin fshataresk
Me korseten ngushtё-kёputё belin tem t’paprekun
Lyva buzët me të trëndafiltin si të shpirtit tem.
 
Mora çantën që thur ma kish gjyshja me arna kohësh
Me të dal jashtë
Gur e dru gjeth e lule
Lakmi ma kishin
 
Ma andej…
Përtej botës së Lizës së çudirave
Përtej hekurudhës në rrugën “Sante de Amor”
Këmba shkeli tjetër trak… (krrakk)
 
                               ***
Crrrr…
Crrrrrrr…..
Bie telefoni afër shtratit e nënkresës sime
Kthjellohna
Bardh-spital
 
Epilog
Kisha marr në thu në një botë gladiatorësh
Të veshur armaturë
M’i kishin mavijosur buzët
Fustanin pluhur korb
Ma kishin vrarë veҫ shpirtin
 
 
Pamjen ma kishin tjetërsuar
E ardhmja ma kish pas dhanë lamtumiren
Sa isha ende pa vetëdije
Bile pa ndjerë
 
Nandor, fundvjeshtё
Gjendja sot
Shkoj-vi nё punë
Pa ndjenjë
Pa diell
Pa dritare
Ka faj veç nana dhe dielli
 
A M’VJEN VERA KAH DERA
 
Prolog
Hajde ëndërr e djelltё prekmё pak shpirtin e harlisur
Që rrugës m’i humbi kuptimi
Nga  një ditë që natë ish
Kur dhashë për t’marr dashni
E  mora helm lum
 
Ish diell melhem për shpirt  t’paprekun
U ba diell përvëlues për t’ran’t e t’vran’t
Bash si puna jeme
Fort padjallёzisht nana mё tha tё ecja
Botëve muskuline gladiatorësh
 
Përgatiti Abdullah Troshupa