UNI ËSHTË MISTIK
Çelën lulet e kuqe dhe të bardha të kumbullave. Duket sikur natyra ndjek ritmin tonë, ndonëse duhet të jetë ndryshe - kemi mbirë prej saj; filiza të mishtë. Gjatë rrugës morëm format.
***
Fill, sapo agu shpoi natën, ajo hodhi krahëve fëshen e blertë, përkundi mbi shpatulla sa majtas-djathtas flokët, mbathi këpucët sportive, mblodhi tri sendet e pandashme; telefonin, cigaret, ndezësin dhe u nis.
Teksa la pas shkallën e fundit të banesës, dëgjoi këngën e dallëndysheve. Ato çukasin të parat zhgunin e dimrit - e ronisin; dhe pranvera beh. Një buzëqeshje e lehtë i'a tendosi cepat e buzëve. Shikimin e shpuri larg, tej ndërtesave të akullta; edhe pse shumëngjyrëshe e shumëformëshe ato dukeshin kallkan. Vallë a ndiejnë të ftohtë njerëzit që jetojnë në to?!
Ca rreze të holla nxorën krahët mbi gungat e malit. Drita e purpurt i'a ngrohu zemrën. Si një ogur i mirë, rrezet e diellit premtonin për një ditë të ngrohtë, rrëzëlluese, diellore.
Duke shkuar pas krahëve të diellit pa e kuptuar kish arritur në një lëndinë me luledele. U ul mbi gjunjë. Mblodhi tufëza të vogla dhe me to bëri kurorë. Kur e mbesa ishte e vogël, në atë lëndinë, me ato luledele i bënte kurorë për në kokë dhe një tjetër për në krahë. Ndezi një cigare dhe u shtri me fytyrë drejt qiellit. Si një kristal i kaltër ish! Larg, mijëra kilometra lart tokës, fluturojnë avionë. Disa udhëtojnë për punë, të tjerë për takuar familjarët dhe kush për të puthur të dashurën.
U ndërmend kur mbi kokë i kaluan radhazi kabinat e metalta. Në mal shkohet duke ecur, me biçikletë, me makinë apo edhe me teleferik. Ajo më së shumti shkon me këmbë.
Malet, me madhështinë e tyre që prej së vogli i kanë pëlqyer; të heshtur ata ruajnë legjenda dhe histori, lum kush di të jetojë pranë tyre!
Çdo gur e lule është e pastër, ajri është i lehtë; duket sikur vallëzon me të. Kur je pranë tij, e kupton pse qyteti është i lodhur, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Aty kupton se duhet të ndalosh, qoftë për një ditë dhe, të arratisesh, të jesh e panjohur dhe t'a lejosh veten të kridhet brenda mistikës. Uni dhe trupi yt lehtësohet. Mistika e malit janë të panjohurat tona, që për t'i shpëtuar pëlhurit të harresës, jetojnë në mal, me zogjtë. Lum kush e njeh gjuhën e tyre, sepse nga gjuha e tyre dëgjon të pathënat e shumëkujt.
Shpesh arratisem për në mal, dëgjoj këngën e zogjve dhe, kuptoj se arratisja nuk është kapriço, as modë. Ajo është uni që ka lindur bashkë me mua.