Rajmonda Mara - Cikël poetik

Rajmonda Mara - Cikël poetik
Rajmonda Mara, CIKËL POETIK

Rajmonda Mara ka lindur në Tiranë ku banon aktualisht ende edhe sot.
Më pëlqen të shkruaj poezi sepse është ndjesia më e bukur për të hedhur në vargje atë çfarë ndjej në shpirt...

JETËS...

Jetës?
Një falje do të doja të më kërkonte
Për çdo zhgënjim e trishtim që dha
Për buzëqeshjen që hera - herës
e beri të ndalonte...

Për lotin që mbyt shpirtin pa faj...
Për çdo dhimbje që heshtur mbeti pa fjalë,
nëse do ish e mundur
e falje nëse ka
do të dëshiroja që jeta të dijë edhe të fal...

Te më përqafoj në krahët e saj
gurë, shkëmbinj e çdo pengesë të thërrmojë,
Me to një rrugë dashurie e paqe të shtrojë.
Të më prekë e perkedhelë me dorën e fatit
Të më japë dritë për sa herë
errësirë me solli në shpirt...

Ëndrrën e prishur, shpresën humbur
lotin e zhgënjimit, që shpirtin vrau 
le t'i mbysë më në fund në detin pa fund
Se asgjë nuk humb...

Të më këndoj qoftë dhe nëpër dallgë
trishtimin të mbysë e faljen?
Faljen të di ta jap...

E di...
të kërkojë falje
jeta të vështirë e ka...

Por un di të pres
Ende këtu jam
Me një ninullë melodie
që deti më këndon ngadalë
sëbashku me rrezet e perëndimit të artë
shpresoj që jeta një herë të thotë:
Më fal!

TRISHTUAR MOS RRI...

Akoma fle?
Pyeti nata
Zgjohu shtrirë mos rri 
ikën ëndrrat e gjata.
Dritën e shpirtit ndiz
largoje këtë errësirë!

Agimin prit
dielli do ndriçojë tëndin shpirt.
Lotin?
Askujt mos ia fal
fshihe mos të ta shohë njeri!

E di?
Erdhi momenti dhe një foto të fshish
sa herë e sheh të vret
e largët, e ftohtë
e panjohur të duket.
Dy fytyrësi ka patur përherë
Eh... tani për ty nuk ka më vlerë.

Ndaj agimin prita, ulur në stolin tim
Vetminë bashkë me kafen i kam shoqëri
Trishtuar me pyete:
Pse rri?
Ma sjellin kujtimet që fshiva në shpirt

Kënaqësinë e kësaj kafeje që po shijoj tani.
Nuk munden kurrë ta prishin
thërrimet e trishtimit
që sapo hoqa nga i imi shpirt.

Jeta kështu është,
dielli shkëlqen më shumë pas një stuhije.
Nuk shuhet nga dashuri e fshirë
E buzeqeshja?
Ah po... akoma më e bukur
do të kthehet tani...

SUREALE...

A mundet ditën apo natën
ta jetoj si të jetë e fundit?
A mundem të pi një gotë
e shpirtin ta përshëndes?
A mund të them se gota lotin fsheh
e kujtimet mbyten në të?
A mundet të mendoj se bota është asgjë...
E të them se buzëqeshja fsheh çdo gjë?
Mundem dhimbjes t'i them ndal
mund të pi e të them sa xhan të kam?
A mund të them se e nesermja është fat?
A mundem çdo gjë të them këtë natë?
E nëse të gjitha i thashë pa qarë
i thashë veç me buzëqeshje e shpirt të vrarë...
edhe pse buzëqeshja është mall
mundem pra të them se kurrë s'të fal! Mundem vallë?

TË FLASËSH ME JETËN...

Eh... poete?
Jo nuk jam!
Por më pëlqen shpirtin në vargje ta hedh...
Më pëlqen hënës dhe natës
T'i jap pak nga trishtimi im...

Më pëlqen kur dielli lind
Për një ditë më të bukur
Te mi japë shpresat në agim.

Më pëlqen nëpër vargje
Dhe pse herë gëzuar herë trishtuar
Dashurisë t'i them: Të dua!

Si një tel violine më duken vargjet
ku sa herë lotin e shpirtit si një muzikë
të ëmbël ta merr...

Dhe pse jo, vërtet jeta
S'të jep gjithmonë çfarë do...
Por një varg mjafton
një shpresë
E përsëri jeta vazhdon!

Kur vetëm ndjehesh me mall a dëshirë
Mjafton dy fjalë të shkruaj
e ti je aty
Po po ti...
ti që je brenda shpirtit tim.

Por jeta s'është veç dashuri
Trishtimi, brenga, buzëqeshja, hidhërimi
Mirësia apo ligësia
Njerëzore janë aty

Ndaj them nuk jam poete
Por zhurmën e jetës
Dua të bëj të heshtë
Brenda shpirtit...

Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta shkrimtare, poete, përkthyese, eseiste, kritike letrare, Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press dhe Kryeredaktore në gazetën Një Dritare e Re