Udhërrëfimi i një personaliteti të jetës kinematografike botërore

Udhërrëfimi i një personaliteti të jetës kinematografike botërore
Parapërgatitjet, bisedat dhe grumbullimi i fakteve për skenarin "Rrënjët e pamposhtura"
 
...çdo gjë në jetë mund të arrihet më shpejtë, më sigurt dhe suksesshëm, duke bashkëpunuar me njëri tjetrin, duke koordinuar e renditur gjerat sipas planifikimit dhe duke dhënë e marrë këshilla profesionale rreth projekteve, detyrave dhe punës në përditshmëri... Ishte kënaqësi njohja dhe biseda me mikun e nderuar Fatmir Bardhoci, i cili kishte filluar përgatitjet, bisedat e grumbullimin e fakteve për skenarin "Rrënjët e pamposhtura" (df)
 
Shkruan Fatmir Bardhoci
 
Një vizitë pune e suksesshme në Kosovë u përmbyll me një kronikë informative në televizionet e Kosovës. Gjatë kësaj vizite, pata mundësinë të intervistoj dhe të bashkëbisedoj me personalitete të rëndësishme nga fusha të ndryshme: gazetari, kinematografi dhe politikë, të cilët ndajnë të njëjtin angazhim për të sjellë në dritë të vërtetën historike dhe dramën që përjetoi populli shqiptar në Kosovë gjatë 10-vjeçarit të fundit të shekullit 20.
Teksa mblidhja materiale filmike mbi ngjarjet tragjike të masakrave ndaj popullsisë së pambrojtur civile dhe dëshmitë e të mbijetuarve, vura re me shqetësim se disa individë po keqpërdorin këto materiale të luftës për interesa personale. Më alarmuese është fakti se këto materiale, që përbëjnë prova të rëndësishme për krime të rënda në Kosovë, mbahen larg institucioneve hetimore vendase dhe ndërkombëtare. Në vend që të dorëzohen për drejtësi dhe të përdoren për ndëshkimin e kriminelëve serbë, disa i shfrytëzojnë ato për shantazhe, duke minuar kështu procesin e vërtetësisë historike dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, pata nderin të takoj shumë atdhetarë të përkushtuar: ish-drejtues të luftës, gjeneralë, komandantë, ushtarë, gazetarë, kameramanë, artistë, kineastë dhe qytetarë viktima të gjenocidit, masakrave dhe përdhunimeve serbe, të cilët sollën materiale dhe dëshmi autentike mbi krimet serbe. Këto dëshmi do të jenë themeli i skenarit të filmit “Rrënjët e Pamposhtura”, një projekt që synon të pasqyrojë realitetin historik përmes rrëfimeve të protagonistëve të vërtetë.

Një falënderim i veçantë shkon për Gjeneralin e Ushtrisë Adem Shehu, gazetaren dhe reporteren e luftës Jeta Xharra, gazetarin e mirënjohur te TVSh Asllan Bajramin, kameramanin dhe regjisorin Sylejman Kllokoqi, komandantin e luftës, aktorin dhe regjisorin Dibran Fylli, si dhe gazetarin dhe reporterin e luftës Astrit Gashi, të cilët kontribuuan me materiale të vlefshme filmike.
Po ashtu, një mirënjohje për atdhetarin dhe ish-pjesëtarin e UÇK-së, Bajram Rama, i cili na shoqëroi në çdo hap, si dhe për atdhetarin Sabi Gashi nga Amerika, i cili mbetet një mbështetës i palëkundur i çështjes kombëtare kudo dhe kurdoherë.