SI ËNDRRA, PËR BASHKIM...
Dredharake na doli liria
Ideali mbet ideal, si ëndrra, për bashkim
Pikë e pesë si Shqipëria
Tokë e gjakut, zhgjëndrra, jetë e trishtim
Tradhtia mbretëron, s’na hiqet qafe robëria
Frikësohemi nga ca hije, s’koti themi: jemi shqiptar
Mbi sofër, në vend të bukës, rëndon tirania
Të huajt, na e qëndisin fatin, ne themi: jemi atdhetar
E kërkojmë ku është liria
Mes burrave të shekujve, që bënë Shqipëri
E ëmbël na duket robëria
Mes fatit të ikjeve, atdhe kërkojmë, përsëri
KU SOT, VDESIM NE...
Gjarpërinjtë të harlisur
Nën barkun e nepërkës, si një mozaik
Shekujve janë qëndisur
Për sytë e plisave, në muzeun historik
Kafkat e mileniumeve, që nuk i treti as dheu
E morën ikjen, pas atit që e ndiqte, vetëm një hije
Muranave të plasaritura, s’po dukej atdheu
Korrkam korbash dëgjohej, mbi lule bari, fije-fije
Mes e përmes, gjelbërimit, ku rri Skënderbeu
Gjarpërinjtë të harlisur
Nën bimën e dreqit, sikur plisa pa atdhe
Shekujve janë qëndisur
Nën bark të nepërkës, ku sot, vdesim ne
MOS HARRO, TA LË AMANET...
Bir, jeta nuk është lojë e as dashnia
Të dyja, janë sikur kulmi i kullës, ku të rri fisnikëria
Mos lejo kurrë, që të t’i pi, tradhtia
Të mallkojnë malet e të vret besa, të tradhton liria
Mos e lejo kurrë, kudo që të mbetesh, i ri apo si plak
Kullën, të ta mbulojnë ferrat, rrufetë të ta djegin flamurin
Amanet t’i lë, për nipa e mbesa, si sytë e Sharrit plak
Bashkë me gjuhën shqipe, si shqiponja që na e ruan gurin
Ku nuk e pi dielli e as i lanë shiu, ballëkuqen me gjak
Lidhur për plisin e fisit, ku babaplak na e ruan ende nurin
Bir, jeta nuk është lojë e as dashnia
Të dyja, ta qëndisin shtatin, me lumni me krenari
Mos lejo kurrë, që të t’i pi, tradhtia
Se nesër mbetesh i harruar, pa At’dhe dhe pa liri