Shyrete Demaj - Cikël poetik
JE TI METEOR
Dashni e rreshkun n’dritë t’hanës
E shtrydhun në vesë t’nadjes mrame…
E përflakun n’zjarr t’shpirtit diellor…
E ngjizun ndër yje t’harlisun qiellor…
Je ti meteor…
ANDRRO!
Ndër male t’larta me frymu…
E mushknit t’hapen n’at freski..
Andrro!
Mes cicërrimash zogjve me u zgju…
E zemrën ta mbushin dashni…
Ndër kopshte manushaqe,
trëndafila, luleborë…
Andrro!
Si yjet t’përflakun ndizen
Kur dorën ta vë përmbi dorë
DIFERENCË...
Të flas pa fjalë
Të dëgjoj pa zë
Të përqafoj pa prezenc
Largësinë minusoj
diferencë
SHPIRTRAT TË VDEKUR NË TRUPA TË GJALLË
Më ecin nga anash
Nga pas e përballë
Ca shpirtra të vdekur
Në trupa të gjallë
Fiksuar programin
Në trurin bërë dhallë
Me shpirtrat e vdekur
në trupin e gjallë
Më shohin çuditshëm
Vizion i marrë
Më shohin pa shpirt
Në sytë e gjallë
Nuk i prek as loti
As dhimbje as mall
Këta shpirtra të vdekur
Në trupa të gjallë
Jam a s’jam në vete
Shoh apo s’shoh vallë?
Trupin paskam fjetur
E shpirtin e gjallë.
E SI TË TA SHPREH NDRYSHE…
Ne sytë e mi
ishe vetëm ti
skulptura e mendjes time
e skalitur mjeshtërisht
të ndjeja pranë
dhe pse me vite ishe larg
mos pyet
të besoja verbërisht
Në çdo fjalë
çdo bisedë
çdo piskamë
në çdo heshtje ishe ti
Në çdo ëndër timen
ishe ti protagonist
Në çdo vuajtje e trishtim
ishe ti
loti im
në gëzim e lumturi
ishe ti dashuri.
Në dëshpërimin më të thellë
ti ma mbaje shpresën gjallë
shkrihem, digjem, shpërbëhem
veç nga i yti mall
dhe mos më pyet më se çfar ndjej
apo sa të dua
E si të ta shpreh ndryshe
Frymë e jetës je për mua.
E PAUDHË…
E paudhë, të thanë
dhe me gur të gjuajtën
të vranë.
E përdalë, të shanë
e fjalë pa thënë për ty
s’lanë.
U sollën me ty
si ma zi e ma terr
deshën vetëm sherr
vollën vetëm vrer.
Të pështynë, njëmijë herë
E prapë të erdhën
në derë
Se ti je udha vetë
je diell, ajër, jetë…
BIRIT TIM
I vetmi që më rrite
Lart e më lart më ngrite,
të dhashë jetë nga jeta ime
Ti e mbushe timen
me gëzime
Ëndërroj për ty
më të bukurat fantazi.
Ti si ma i miri djal
gjith botën ma fal
Diell e hënë rrezatuan mbi ty
Zoti me ty…
kish ba mrekulli
më përzgjodhi mua
më bekoi si nëna jote
Më e lumtura e kësaj bote.
Me fjalë s’thuhet sa të dua
T’kam në çdo qelizë të trupit tim.
Fryma ime e fundit
Qoftë për ty bekim!
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta shkrimtare, poete, përkthyese, eseiste, kritike letrare, Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press dhe Kryeredaktore në gazetën Një Dritare e Re