DO TË ÇEL PËRSERI.....
Iu dogjen kaçurrelat e gjelberta malit tim
Qerpikët u përcelluan e u shperndan si hi
U erdhi keq reve, ca shi i hodhi në fytyrë
Nga sytë e mavijosura rrodhem lotë të zi
Në grahmat e fundit kur po i digjej gjoksi
Ullirit të gjyshit brezgjerë përmbi shtëpi
Një zë i mekur si amanet më foli ngadalë
-Mos u merzit,një rrenjë fsheha,të çel përseri
Streheza e lodhur mbuluar krahët me hi
Më shkundi nga shapatullat: Mos u merzit
Folenë e dallendysheve nuk e lashë të digjet
Oborri të ketë cicërima e gjelberime dritë
Arra e madhe me fytyrë të nxirë, krahdjegur
E dhembshura ime, më shikon drejt në sy
Degët i sakrifikova që të shpetojë borzilokun
Të mbajë aromë oborri ynë i dashur , përseri
Shega u plagos e ajo, megjithë gjembat ushta
Ndenji roje besnike stoike në oborrin përmbi
Për pjegullën me rrush të ëmbël,e limonin flori
Gjoksin vuri si trimereshë ballë demonit të zi
Si feniks që rilind, në shkretërirën shkrumb e hi
Ulliri më tha: Fsheha një rrenjë,do të çel përseri