Cikel Poetik- Maria Grazia Vai (shqipëroi Irma Kurti)

Cikel Poetik- Maria Grazia Vai (shqipëroi Irma Kurti)
Cikel Poetik- Maria Grazia Vai
Maria Grazia Vai ka lindur në gusht 1964 dhe jeton në një provincë të vogël të Pavias, pranë parkut Ticino. Prej vitesh është anëtare e jurisë së konkurseve të rëndësishme letrare dhe interpretuese e poezive fituese.
Që nga marsi 2016 është themeluese dhe presidente e Konkursit Ndërkombëtar të Artit “La Couleur d'un Poème”: një ngjarje kulturore e promovuar nga etiketa e saj ImmagineArte, në mbështetje të projekteve të solidaritetit në favor të shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve jetimë, qendrave kundër dhunës dhe fondacioneve në mbështetje të grave në situata delikate.
Poezitë e saj janë përkthyer në frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe janë botuar në revista ndërkombëtare duke përfshirë CaliforniaQuarterly (Shoqatë e poetëve në Kaliforni).
Në vitin 2020 i jepet titulli Presidente Nderi e Enciklopedisë Poetike dhe në 2022 ai i Themelueses dhe Qytetares së Republikës së Poetëve.
 
HESHTJA E TRENDAFILAVE
 
nuk ka peshë hija e erës:
përkulet mes trëndafilash e hendeqesh
nuk ka zë [ti, e ke parë ndonjëherë?]
 
më zbulon kështu: me ndrojë
 
në prehrin e borës së fundit
për të ngushëlluar – sikur të ishte
bija ime – melankolinë tënde
 
… TË SHKRUAJ, I DASHUR...
 
se këtu tashmë ka rënë shumë shi
dhe nuk kam më strehë veçse dy
feta ajri për të luftuar zbrazëtitë
-që me lë në tavan-
 
kam tjegulla të hedhura mbi det, ulluqe
jargavanësh që mbajnë erë të mirë dhe pak
xhevahir në mes të qiellit që ndoshta, nëse e sheh
tek unë më shpejt do të arrish
 
shikomë, i ngjaj një kënge të kohëve
të tjera, që nuk  e kupton dhe po ta dëgjosh
 
... e megjithatë, je duke e kërcyer.
 
DIELLI DHE YJET E MI
 
 
ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje
këtu ku isha shtëpi dhe ti qielli i saj.
ku heshtja ishte më shumë sesa dashuri.
 
ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje
këtu ku pema e manit ka lindur agimin
e një vere që s’e kemi jetuar ende.
 
ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje,
të duash: një dhembje. boshllëku: e keqja e saj.
Por unë ende në flokë të mbaj, lule
tani që kthehem këtu, në heshtje dhe
të dëgjoj duke ëndërruar për mua, i dashur ...
 
PEIZAZHE DASHURORE
 
të mbaj në xhepin
e veshjes sime me lule
për ta mbledhur të plotë
parfumin tënd - të gjallë
 
në lartësinë e ijeve
në buzët e ditës
... ndërsa mbrëmja bie
 
KRAHË GJETHEJE
 
Të të dua. Nuk dëshiroj gjë tjetër.
Dhe të rilind çdo herë
brenda një fluturimi më të madh.
Në dorën që një ëndërr mban
Në përvijimin e sigurt të një dege
në kërkim të fijeve të kashtës për folenë
 
Buzë paksa të hapura kanë
fjalët e dashurisë
të lindura nga iniciale
që ende nuk janë skalitur
 
PËRKTHEU NGA ITALISHTJA: IRMA KURTI