Im Sol Nae – Poezi (Përktheu: Angela Kosta)

Im Sol Nae – Poezi (Përktheu: Angela Kosta)
POEZI NGA IM SOL NAE - KRAHËT E LIRISË SË XIXËLLONJAVE
 
Poetja Im Sol Nae mori Çmimin për Talente të Reja nga revista letrare mujore "Jayu Munhak" në vitin 1999. Ndër përmbledhjet e saj poetike përfshihen "Kodi QR i një Gjetheje", "Amazon", "Ajo Stacioni i Transitit", "Britma e një Amazone të Zgjuar", "Hong Nyeo" dhe shumë të tjera. Ajo ka fituar gjithashtu një sërë çmimesh letrare prestigjioze, përfshirë Çmimin e Poezisë Yeongnang, Çmimin e Shoqatës Koreane të Kritikëve Letrarë, Çmimin Korean të Poezisë Lirike, përzgjedhjen si Libër i Shkëlqyer Sejong, Çmimin “Poeti i Poetëve” dhe Çmimin për Shkrimtarët Letrarë Budistë.  
Ajo është Presidentja e gjashtë e Shoqatës Koreane për Letërsinë Botërore.
 
KRAHËT E LIRISË SË XIXËLLONJAVE
 
Sapo fik dritat në shtrat futem... 
Në agim, me dëshirën për një gllënjkë ujë,  
zbuloj xixëllonja me sy blu 
që nëpër kuzhinë fluturojnë, 
sikur të kem hyrë në një pyll 
me myshk të gjelbër 
dhe burime të kthjellëta që rrjedhin.  
Xixëllonja në celular, xixëllonja në frigorifer
xixëllonja në fshesën me korent, 
në filtruesen e ujit në ibrik
të ndryshme në emër, 
por të shndritshme në kor.  
Në mur, 
“Nata me Yje” e Van Goghut 
plot dritë përndizet.  
Qiparisat qiellit ngjiten, 
valët shkumëzohen dhe shpërndahen.  
Sa do të dëshiroja të mbështillesha nga ajo dritë qiellore,  
e çoroditur nga ajo mbretëri ndriçuese  
ku rrëfimet e syve tanë kundër zbrazëtisë çelin.  
Çdo kabëll si bisht zvarritet, futur në prizat me forma si hundë derri,  
ku secili ndriçon.  
Në cilën prizë duhet të fus  
kërbishtin tim të tkurrur, relike e rënies sonë,  
që e plotë e rrumbullakët të ndriçoj
si një diell dhjetëmuajsh?  
Do të ndizeshin atëherë xixëllonjat blu brenda trupit tim?  
Do të derdhej brenda meje Gangu i njëmijëvjeçarëve
në një galaktikë me yjet blu?  
Xixëllonjat, të burgosura në mishin tim,  
do të kapërcenin në mbi njëqind mijë herë e do bërtisnin:
“Ky është momenti”, duke u çliruar?  
Ah, flladi i butë i malit 
Krahët e lirisë
Me lumturinë e vetmuar, liri,
do të dëshiroja të lidhesha në këtë përjetësi.
 
* "Krahët e Lirisë" është film i vitit 1994 drejtuar nga Frank Darabont me aktorët e njohur: Tim Robbins e Morgan Freeman, ku rrëfehet historia e dëshirës së përjetshme për liri.
 
Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare