PËR SHPIRTIN TIM ASGJË TAMAM
Pi ujë të ndotur
Oksid karboni thith
Rropos murin e themeltë
Për shpirtin tim
asgjë tamam
E kaloj kohën marramenthi
Buzë xingonës
Në zemër mbaj një gur
Një thes me gur mbaj mbi shpinë
Përplasem lumenjëve, deteve pyellit
Murmurimë e nëndheshme
KOHË
Edhe kur nga mjerimi do të na pllakos dhimbja
Ne do të sfilitemi, në terratisje qielli do ta lëvizim gurin qindravjeçarë
Përreth teje kohë nuk do të lëmë të mbin bar, drizë, murishtë
Në drurin e murriztë do t’i gjakosim duart, vetëm ti të hapërosh tutje
Të mos jetosh me gjysmëfrymë
Në terr të natës do të zgjohemi
Të mos lëmë as vrimë urithi të na gërmon dheun
Me bollëk do të kemi
Bahçja edhe në dimër do luloj
Dielli dritëdhënës do na zhduk njëherë e përgjithmonë mugëtirën, mjegullnajën
Qielli nuk do të jetë më i errët dhe i mbuluar me re
Do të kemi dritë, dritësim e dritëjetë
MË MERR MALLI
Më merr malli për blirin erëkëndshëm rreth shtëpisë
Qetas sodis bukuri, mallëngjim e kërshëri vendlindjeje
Nemitem kur shoh zogjtë krahmprehtë
që fluturojnë me aq zhdërvjelltësi
Mahnitem nga kënga e tyre, nga zëri i hollë
Cicërimat e tyre sjellin gjallim, bleron livadhi
Aguliçet do na sjellin pranverën
Më merr malli për bukën e pjekur me miell drithi
Për mikpritjen shqiptare me bukë, kripë e zemër
Sa shumë e dua gjuhën e gjakut tim
Trimërinë, fisnikërinë e bujarinë shqiptare
Në gur mulliri e ruajtën fjalshqipen,
bujarinë, besnikërinë e traditën.
LOTI
Sa rrëpishëm pikon loti
Të zhytur thellë të bën si qenie
Edhe zemrës i vjen gjynah për lotin
Ashtu si lotit që i vjen për zemrën
QIRINJ PËR DRITË
Sa qirinj janë ndezur
Për të larguar këtë terr
Ama nuk e kam ditur
që terri shuaka të gjithë qirinjtë