Nezi Plaku Velaj (poezi)

I gjetët lotët e mi?
Ato perlat që shkëlqenin në bebe të syrit?
Atë ditë...
lotët e nxehtë u derdhën nëpër shkallët e gurta,
si krua,
ngarkuar ishin me mllefe e mallkime,
me ah e oh,
dhe…
o sa shumë psherëtima.
Shpëthim,
në pafajshmërinë e dhimbjes së një fëmije,
nën rënkime të pazëshme,
jetonin në vorbullën e një bote të rreme,
plot me gënjeshtra.
Nuk e përqafova dot dashurinë e madhe,
atë më të shenjtën, më hyjnoren.
Ia shkallmuan themelet ngrohtësisë që i dhuron babai një fëmije.
Ia thanë shkëndijat e zjarrta qiellore,
i ngurosën në burg me pranga,
Aty i vdiqën...
ma gërvishtën lotin e qelqtë,
zemrën e kryqëzuan, i ngulën një bajonetë.
Atë më të shenjtën
Sa shumë e kërkova...
Sikur ta dini?
Por s'e gjeta
asnjëherë dhe asgjëkund...
dhe loti i vogël u bë klithmë shkrepëtimash.
Atë dashuri të madhe sa deti e të kthjellët si qielli,
e goditën me gurë strralli, ia nxorrën të dy sytë,
e lanë pa baba, kërthinë me krahë hapur.
E vranë ca demonë me lëkurë të kuqe djalli,
e shqyen me thonj, ca grabitqarë zemrash,
Ia thanë në qerpik piklën e lotit,
yllin, ia zhvatën qiellit,
I vendosën cepa, vetëm pesë
Me të pestin cep,
e verbuan zhgabën në flamur me dy krena.
Ia vodhën forcën, ia zunë frymën
Ia grabitën lirinë...
Dhe fjala "baba", ngriu në buzën si ortek,
dhe fjala baba,
s'u bëlbëzua më kurrë.
E lotin e lanë të rrjedhë si qumështi i gjirit të Rozafës
ai lot rrodhi si ujvarë, s’u tha më kurrë.
Loti...
Ma gjetët lotin kristal,
atë margaritarin perlë?
Zgavrës së murit ish fshehur thellësisë së mistershme,
njësh ish bërë me piklën e qumështit të gjirit,
brenda sisës, me gjak ish përzier.
Rrëshqiste, jargavitjej nga buzët e njoma të bebes,
me buzëqeshje të qelqta,
shpërndante dritë yjësive,
Pllaçkuritej me qumështin e bardhë që milte nga sisa
Loti...
A e gjetët lotin fshehur nëpër tela qerpikësh të djegura nga dielli?
Atë të qelibartën, margaritarin atë perlën?
Atë piklot të shpirtit rinor
të tradhtuar nga erërat e kohëve pa dritën e kandilit,
rridhnin brazdave bashkë me djersën,
në ara e grunishte.
Ju përgjërohem në Perëndi?
Dot, a m'i gjetët?
Shikoni aty!
Zhytur janë llucrave, kanalesh e kallamishtesh,
me kokë poshtë pihej edhe i trubullt uji në vijë.
Ujë qelbësirë, me vemje krimbash të zi përzier,
lotin e shkeli një thunder çizmje e pamëshirshme,
s'e lanë atë pikël ta ruaj si kujtim?!
U lodha të frymoj rënkimesh,
të gjej lotët e mi
tek eci mes gëmushash,
mes kallamishtesh të dendura.
Aty ku kam humbur përqëndrimin me bukuri zane, të rinisë,
mes shkurreve e zuktheve të humbjes dhe keqardhjes,
mbi gjembat e pikëllimit dhe dhimbjes.
E gjetët lotin viteve të pamëshirshme
të pafajshmërisë së asaj vajze?
Ata lotët që rrodhën të nxehtë nga sytë e jeshilta,
u fshehën ndën telat e dëndur qerpikësh të zi,
Atë të kristaltën perlë, margaritën?
Edhe atë që kish ngrirë në buzën e njomë të bebes,
përzier ish me gjak të kuq dhe qumësht të nxehtë sise,
nga nxitimi, gjysmën e thithte,
gjysma rrokullisej në të poshtë nga goja si kuti.
Në këtë zallamahi,
u përpoqa t'i shmang disa zëra korbash.
BIOGRAFIA
Nezi Plaku Velaj ka lindur në Konispol (Sarandë), por aktualisht jeton në Tiranë.
Profesioni i saj është juriste dhe avokate.
Ka punuar në Ministrinë e Punës Çështjeve Sociale dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave e gjithashtu, ka ushtruar profesionin si avokate në gjykatë për pak vite. Është shkëputur prej kësaj license për arsye se përbënte konflikt interesi me pozicionin e punës që ushtronte.
Për një kohë ka punuar si ideatore dhe modetarore e emisionit “Personalitete” në RTSH dhe NTV.
Deri tani ka botuar 3 vëllime me poezi dhe ka në dorë një volum me poema, një vëllim me poezi dhe një volum në prozë, formë “Rrugëtimi jetësor”. Me poezitë e saj ka marrë pjesë në disa antologji, si brenda dhe jashtë vendit.
Vargjet e saj kanë zënë një vend të konsiderueshëm në faqet e shumë gazetave dhe revistave prestigjioze, si në nivel kombër po ashtu ehe ndërkombëtar.
Pjesëmarrëse në Festivalin Europian të Poezisë dy herë dhe në të dyja konkurimet është vlerësuar me “Çmimin Special të Jurisë”.
Poetja Nezi Plaku Velaj është nderuar dhe vlerësuar në shumë takime letrare, manifestime etj, si jashtë dhe brenda vendit me çmime të rëndësishme, si: medalje, fletë nderi dhe çertificata mirnjohjeje.
- Është antëre aktive dhe veprimtare e Këshillit Organizativ të Kuvendit Kombëtar Shiptar.
Siç e përmendëm edhe më lart, juridiku është profesioni zyrtar i saj. Si një njohëse e e drejtësisë dhe korrektësia janë pjesa kryesore e karakterit të saj.
Letërsia gjithashtu është pasioni dhe zemra, ndërsa poezia është shpirti, dashuria, frymëmarrja, është jeta me të cilën ajo udhëton çdo ditë.
Nga: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese