Safet Hyseni - UDHËS PA ADRESË (poezi)
Eca rrugës pa numra pa emra
Shtëpinë e gjeta mes lulesh kthyer nga dielli
Pran burimit shelgjet me shtat të hedhur
Ta hap derën... kam frikë nga malli
Era e lehtë më ledhaton plagët e shpresës
Mjegullat duan të zbrazin peshën e tyre
Hija e luleve lozë me erën
Trishtimi dridhet nën çatinë e qiellit
Pika shiu vargëzon në faqe
Dashuria laget bëhet vesë
Dëshira puthë muzgun në agim
Unë luaj me fytyrën tënde
Të vizatuar në dritare
Ah!
Nuk po mundem me t’i mbyllë sytë
Në kopsht paska mbirë një ankth prej resh
Gjurmët paskan ndarë dy shekuj
Sikur janë ndeshur qytetërimet
Shpirti shtrihet lakuriq mbi barë e rrajë të moçme
Çka na mungojë që u ndamë në kohë të humbur
Shoh thëngjinjë të ndezur në vatër
Mbyllë sytë mendimi behët rreze
Shtëpia me mure të tejdukshme
Brenda vera e vjetër mbi tavolinë
Librat shpërndarë me fjalët e derdhura qosheve
Disa të zverdhura
Nata i paska mbështjellë me tesha të ngrohta
Milingonat lëvizin dhe ndalen në çdo faqe
Kthej shikimin shoh lulen e Teutës kryelartë
Nëna e pat mbjell në themel të shtëpisë në anën e djathtë
Një bletë lazdrohet në petalet e hapura të saj
Zë i ëmbël si melodi blete më futet në brendësi
Merru erë o bir, se malli jeton në dashuri