Violeta Kadriu - TI, "GRUA MË E LIGA"

Violeta Kadriu - TI, "GRUA MË E LIGA"
TI, "GRUA MË E LIGA"
 
Ti, livadh i pakositur, me bar e thera në vreshta,
ku çdo fije bari kutërbon erë mashtrimi e gënjeshtra,
ku çdo majë ther në zemër, të shpon si shigjetë,
e në shpirt venit dashurinë, i dhuron vdekje e jo jetë!
 
Ti, moçal i ndyrë, ku lejlekëzinj gjuajnë bretkosa pa nda,
diell që mbledh rrezet mbrapsht ende pa gdhirë,
nata më e pistë, errësuar sa më s' ka,
yll i madh pa dritë, që pengon yjet tjerë të më ndrijnë më mirë!
 
Ti flakë në mes të acarit, që më pengon të ngrohem,
e as lejon që flakët tjera të depërtojnë tek unë,
fanar i ndezur në errësirë, që syve m' ju qet vello si gunë,
që, edhe pranë dritës së tij nënshkruan të verbohem!
 
Ti, vjeshtak gjetherënës mu në mes pranvere,
mu atëherë kur behari në zemër luleve iu troket,
ti lulesaksie e tharë, kacavjerrë n' timen penxhere,
i cili për çdo gjë që s' të shkon për shtati,
gjen shkas shan e bërtet!
 
Ti, arratisje atëherë kur i duhesh më së shumëti Atdheut,
që me vite mbart mbi shpatulla një jetë të rrejshme boemi,
ti, që i lë hapa e rëndon kot pluhurin e këtij dheu,
ti lule e bardhë pa aromë, mbështjell në degë bagremi!
 
Ti kur resh borë e acar, hije e errët nate,
që çdo gjë të bukur e të bardhë timen, pa mëshirë përlan,
gjuhë e jote për mua, e helmuar teh shpate,
zjarr e tymnajë në mes t' gjelbërimi,
që shkreton mal të paanë!
 
Ti, armik më i poshtër që të sillet vërdallë,
që s' ka guxim të t' sulmojë përballë, por të zë në befasi,
ti për urtësi Kanuni, s' ke dëgjuar kurrë a rrallë,
je i lindur e do vdesësh me shpirt plot dinakëri!
 
Ti nuk ke guximin të përballesh me të tjerë,
kur ta thonë shumë hapur të vërtetën në sy,
sa herë ndjen rrezikun, mbështjell këmbët, bëhesh erë,
edhe nëse mbetesh pranë sofrës plot, një kafshatë pa ngrënë!
 
Ti kurrë s' ke guximin të hysh n' betejë paarmatosur,
gjersa mbledh pas vetes ushtri ngjesh gjerë në dhëmbë,
ti kurrë s' do pranoje për fisnikëri të mbetje leckosur,
as atëherë, nëse fëmijët e tu nga uria do vdisnin në këmbë!
 
Ti për mua Ferr i Dantes, shtrirë me shtatë kate,
nga egoizëm i pabesë, që e ruan me egërsi,
pranë meje e para meje humbe edhe atë copë burrërie që pate,
pranë e para meje humbe dhe atë copë ndershmëri!
 
Se ti ishe e mbete katil shkuar katili,
që vetëm me erë shkrumb e baroti do të jesh rrethuar anembanë,
ti s' do t' ia dish për aromë trëndafili e zë bilbili,
ti, grua më e liga, që në trup rroba mashkulli mban!