Arif Bozaxhi – Cikël poetik dhe Biografi (Përgatiti Angela Kosta)

Arif Bozaxhi – Cikël poetik dhe Biografi (Përgatiti Angela Kosta)
POEZI NGA POETI ARIF BOZAXHI
 
Arif Bozaxhi u lind me 25 Maj 1944 në Prishtinë. U diplomua në Filologji në Departamentin e Studimeve Orientale në Universitetin e Prishtinës.
Disa vite ka punuar si gazetar dhe redaktor në gazetën “Tan”, njëherit kryeredaktor në revistën “Cevren”, si dhe në Edicionin e botimeve të gazetës “Tan”.
Në vitin 1987 e lë gazetarinë për shkak të mospajtimit me politikën diskriminuese serbe ndaj kulturës dhe qenies shqiptare në Kosovë.
Arifi është njëri nga themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ në Prishtinë, dhe ishte anëtar i kryesisë në dy mandate të këtij këshilli.
Në vitin 1992 zgjidhet deputet I LDK-së në zgjedhjet e para parlamentare.
Në vitin 1993, për shkak të persekutimit, kërcënimeve dhe pasigurisë që iu krijua nga ish pushteti, ai kërkoi azil politik në Gjermani.
Pas përfundimit të luftës me 1999-2000, në Qeverinë e përkohshme Arifi zgjidhet si përgjegjës për Turqi dhe Lindje, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Arif Bozaxhi me krijimtarinë e tij letrare e publicistike është i pranishëm në jetën publike për më shumë se 60 vite.
Ka botuar gjashtë përmbledhje me poezi në gjuhën turke dhe pesë përmbledhje në gjuhën shqipe.
Vepra poetike të poetit Bozaxhi janë përkthyer në disa gjuhë të huaja: gjermanisht, anglisht, frëngjisht, arabisht etj.
Arif Bozaxhi është i prezantuar po ashtu në shumë Antologji të botuara në gjuhë të huaja.
Në vitin 1996 boton librin “Hiri i lotit”, në gjuhën gjermane dhe shqipe, botoi Toena në Tiranë. Me 2004 boton librin “Flutura në Grila”, në gjuhën angleze e shqipe, botoi Faik Konica në Prishtinë, ndërkaq me 2006 “Flutura në grila”, është botuar në gjuhën frënge dhe shqipe.
Në gjuhën shqipe Arif Bozaxhi ka botuar pesë përmbledhje me poezi:
“Hiri i lotit”, 1996.
“Flutura në grila”, 2004.
“Ngjyrat e etjes”, 2011.
“Këmbanat e diellit”, 2019.
“Prushi i gurit”,2022.
Arif Bozaxhi ka botuar disa vepra poetike edhe në gjuhën turke:
“Zogu i paqes”, 1975.
“Pranvera e syrgjynosur”, 1982.
“Liria”, 2004.
“Pulëbardha dhe deti”, 2014.
“Shkallët e imagjinatës”, 2015.
“Shiu i yjeve”, 2023.
Çmimet letrare:
Me 1987, shpallet Krijues i vitit nga K.K i Prishtinës.
Me 1987 çmimi i parë për poezinë “Plisi” në Takimet e Gjeqovit në Has.
Në vitin 2011, çmimi ”Esad Mekuli” për vepër jetësore, nga LSHK.
Në vitin 2012 çmimin “Poet i vitit” nga Lidhja e Shkrimtarëve e Turqve të Kosovës.
Me 2014, libri “Pulëbardhat e deti”, shpallet libri i vitit nga revista “Imza”.
Me 2016, për kontributin dhe afirmimin e letërsisë turke në Ballkan, çmimi ndërkombëtar: “Sylejman Brina”, nga LSHTK.
Me 2021, çmimi ndërkombëtar, nga revista “Tyrkcem”.
Me 2021, çmimi “Azem Shkreli”, për librin “Kambanat e diellit”, nga LSHAD.
Me 2023 nga Presidentja e Kosovës, dekorohet me Urdhrin “Hasan Prishtina”, me motivacionin: “Për krijimtari letrare dhe promovim të diversitetit kulturor të Kosovës”.
 
PREKJA
 
lulet çmenden
për një puthje të fluturës
e unë, kur ta shpalosë
prushin në gjinjtë e tu.
 
PISKAMË
 
vetëm zogjtë
kapërcejnë
mallkimin e heshtjes.
 
KOHA
 
koha në vargun tim
lëkurë e trupit
që pikon kaltërsi.
 
THATËSI
 
toka pa shi
deti një grusht hi
në buzë të zogjve.
 
PA TITULL
 
edhe fluturat belbëzojnë
kur shpaloset fytyra jote
natë më s’do të ketë.
 
JERM
 
unë hapë sytë
prej ushtimës së dhimbjes
që e mashtroj “Danten”
në fund të kozmosit.
 
Përgatiti Angela Kosta Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese