Ilir Resnja, cikël poetik

Ilir Resnja, cikël poetik
CIKËL POETIK NGA ILIR RESNJA
 
Ilir Resnja lindi në qytetin e Korçës më 30 Nëntor 1950. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në Shkodër.
Pas përfundimit të shkollës së lartë, në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë-letërsi, punoi si mësues në fshatin Pistull të Zadrimës (1973–1976). Gati për një dekadë ishte redaktor në Radio Shkodra për të vijuar punën si gazetar në TV Publik Shqiptar (1986–2000), ku dy vitet e fundit u emërua drejtor i këtij institucioni.
Përveç vëllimit “Poezitë e muzgut”, ka botuar librin me ese “Televizioni dhe edukimi” si dhe dy libra me haiku: “Haikut e karantinës” dhe “Nën hijen e tempullit”.
 
RITUALI I NËNËS
 
Tani po babai s'është më,
nëna mbështetet
mbi bastunin e tij,
“tak-tuk-tak-tuk” troket
mbi gjurmë të padukshme,
“tak-tuk-tak-tuk” me morsin
e një kodi të fshehtë.
 
Dhe kur dera troket,
është e para
që ngrihet ta çelë,
paçka se një fllad malli
nga pas e përcjell.
 
Kur vjen ora e kafesë,
ulet dhe e gjerb ngadalë
e nis të pëshpëritë diçka,
atij që ka pranë.
 
Ne si dikur të vegjël,
dalim të heshtur nga oda.
Nuk bën t'i dëgjojmë
sekretet
e nënës me babanë.
 
DEHJA
 
Takohemi krejt papritur,
poshtë të njëjtit shkëmb,
e s’flasim dot një fjalë.
 
Gjithçka përreth
shndërrohet në kujtim.
 
Një fllad i lehtë
kreh floknajën e detit,
ara pasqyrës së diellit
në perëndim.
 
E padukshmja joshëse
endet në hapësirë
na shtyn këmbejt vetiu
drejt një varke,
harruar mes rrjetash
në gji.
 
BORA E HIRTË
 
Bie borë e hirtë
mbi tokën e ngrirë,
mbi gropat e errëta
që nxjerrin shtëllunga
tym të zi.
 
Bie borë e hirtë
mbi ofshamat
e njerëzve të lodhur,
mbi krokamat e korbave
që grinden
për të zhvatur prenë.
 
Bie borë e hirtë
mbi flokët e thinjur
të kukullës “Barbie”,
mbi arushin me një këmbë
mbi lulet artificiale.
 
Përgatiti: Angela Kosta