Poeti amerikan Larry Jaffe (Shqipëroi Irma Kurti)

Poeti amerikan Larry Jaffe (Shqipëroi Irma Kurti)
LARRY JAFFE
 
Larry Jaffe është një romancier, autor dhe poet i njohur në shkallë ndërkombëtare dhe i vlerësuar me çmime. Gjatë gjithë karrierës profesionale, Jaffe ka përdorur artin e tij për të promovuar të drejtat e njeriut. Ai ka qenë poet në rezidencën e Muzeut Autry të Trashëgimisë Perëndimore në Los Anxhelos, Kaliforni, ka bashkëthemeluar “Poetët për Paqe” dhe ka ndihmuar në drejtimin e projektit “Dialogu i Qytetërimeve përmes Poezisë” të Kombeve të Bashkuara, i cili përfshinte lexime në qindra qytete anembanë botës, duke përdorur fuqinë estetike të poezisë për të sjellë mirëkuptimin në botë. Aktualisht është Poet Laureat, titull i vlefshëm për të gjithë jetën, si dhe i ftuar në Shtëpinë e shkrimtarit Jack Kerouac në Shën Petersburg.
Jaffe e tërheq audiencën si dhe lexuesit me një gamë vargjesh të pasura emocionale, të punuara me mjeshtëri, të shkruara nga zemra dhe shpirti me qartësi dhe mirëkuptim. Vepra e tij është përkthyer në mbi një duzinë gjuhësh të ndryshme.
Aktivitetet e fundit të tij për të drejtat e njeriut përfshijnë seminare mbi të drejtat e artistëve, të drejtat e njeriut dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
POETËT JANË DOKTORËT E SHPIRTIT…
 
Jeta është një poezi dhe unë do ta shkruaj.
Unë thith shkronja dhe nxjerr fjalë…
Fjalët rrjedhin gjak nga zemra dhe shpirti.
Merrini fjalët, shtrydhini dhe bëni poezi!
Është koha që fjalët të vallëzojnë!!!
Unë shkruaj me zemër. Nuk lë asgjë në tavolinë. Ky është kuptimi i poezisë!
 
NËNA QË VAJTON
 
klithma e një nëne del prej fytit
nuk mund të them nëse është arabe apo izraelite
vajtimi i saj kaq i fortë
lotët e saj kaq të kuq
– vetëm një zemër njërëzore pompon
aq shumë gjak.
 
Shqipëroi Irma Kurti