GERMAIN DROOGENBROODT
Germain Droogenbroodt ka lindur në Rollegem të Belgjikës, në vitin 1944. Ai është poet, përkthyes, botues dhe promovues i poezisë moderne ndërkombëtare. Ka përkthyer rreth tridhjetë libra me poezi gjermane, angleze, franceze dhe kastiliane, duke përfshirë veprat e autorëve Bertold Brecht, Reiner Kunze, Peter Huchel, Miguel Hernández, José Ángel Valente, Francisco Brines, Juan Gil-Albert, si dhe ka bërë përshtatje të poezive në gjuhët kineze dhe koreane. Shtëpia botuese POINT (POesía INTernational), e themeluar nga ai vetë, ka botuar më shumë se tetëdhjetë libra me poezi nga vende të ndryshme të botës. Ai ka organizuar gjithashtu festivalin ndërkombëtar të poezisë, “La Costa Poética”, si dhe vazhdon të organizojë “Las Noches Poético-Musicales de Ithaca”.
Droogenbroodt-i është zëvendëspresident i Akademisë Mihai Eminescu dhe bashkëthemelues i Shoqatës Universale të Poetëve të Japonisë. Po ashtu, ka qenë konsulent letrar i “Encuentro de Poetas del Arco Mediterráneo” dhe sekretar i Kongresit Mundial de Literatura.
Krijimtaria e tij poetike është e shumanshme. Pas debutimit me poemën Quaranta nella parete (Dyzet në mur) më 1984, e vlerësuar si një poemë neoromantike, ai ka botuar E njeh vendin tënd? - meditime në liqenin e Komos, një libër me poezi natyraliste. Në vitet 1995 dhe 2011 fitoi bursën “Hauthornden” dhe gjatë qëndrimit të tij në kështjellën skoceze të Hauthorndenit shkroi Bisedë me jetën e përtejme, vlerësuar me çmimin poetik P.G. Buckinx. Në të njëjtën kohë u botua E prekshme si mungesa, një përmbledhje dygjuhëshe, holandisht-kastiliane, e ilustruar nga piktori gjerman S. Reich an der Stolpe. Në fund të vitit 1997 doli cikli i dytë i poezisë romantike me titullin Njëzet e pesë dhe dy poezi dashurie, ndërsa në vitin në vazhdim u botua Mes heshtjes së buzëve të tua, përmbledhje me poezi dashurie, me një vepër grafike të Giacomo Manzù-së.
Në fillim të vitit 1998, Germain Droogenbroodt-i, ndonëse e kishte vizituar shtatëdhjetë herë Lindjen e Largët dhe kultura e atij rajoni të botës kishte lënë gjurmë të thella në veprën e tij poetike, udhëtoi për të katërtën herë në Indi, si mysafir i mikut dhe piktorit të famshëm indian Satish Gupta. Prej andej ai shkoi më pas në Rajasthan, ku përfundoi veprën Ecja, një cikël poezish me elemente filozofike, që frymëzoi jo vetëm piktorin belg Frans Minnaert, por edhe vetë Satish Gupta-n. Ky i fundit e zbukuroi botimin e El Camino-s me vizatimet e tij. Në vitin 2002 u publikua Lind këngëtari, një homazh poetik për José Ángel Valente-n, i shkruar në gjuhën kastiliane.
Germain Droogenbroodt-i jeton dhe shkruan që nga viti 1987 në Altea, një vend piktoresk dhe artistik përballë bregut mesdhetar të Spanjës. Për shkak të karakterit universal të veprës së tij - poezitë e tij janë përkthyer dhe botuar në 30 vende - si dhe personalitetit të tij, ai është ftuar shpeshherë në lexime dhe konferenca në shumë vende, si në Austri, Çeki, Sllovaki, Egjipt, Rumani, po edhe në Kore, Kinë, Tajvan, Nepal, Japoni e Meksikë. Në Egjipt ai është nderuar me titullin Doktor honoris causa në letërsi, për meritat e tij si poet, përkthyes dhe botues i poezisë ndërkombëtare. Ka marrë çmime të ndryshme ndërkombëtare, midis të cilave: çmimin e poezisë “Juan Alcaide”, Spanjë, 2008; çmimin “Mihai Eminescu”, Kraiova, Rumani, 2014; çmimin e poezisë më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Tetovë, Maqedonia e Veriut, 2014; çmimin letrar “Kathak”, në Bangladesh, 2015; Grand Prix Mihai Eminescu, si poet; medaljen “Mihai Eminescu”, si promovues i poezisë ndërkombëtare, Kraiova, Rumani, 2015 dhe 2016; çmimi “Junpa Legend”, Kioto, 2017; Çmimi Special Ndërkombëtar i Poezisë “Don Luigi Di Liegro” - Edicioni IX i Fondacionit “Di Liegro” - Poezia e Bukur; çmimi i poezisë Ngjyrat e shpirtit, San Remo, 2020. Po ashtu, është nominuar për çmimin Nobel për letërsinë në vitin 2017.
........................................................
TË SHKRUASH POEZI
fjalës
pa e zbuluar
poezinë
YLLI I MËNGJESIT
Oh Lule e Kohës
Paul Celan
Ylli i mëngjesit
i errësuar në ujëra të zymta
reflektohet përgjysmë në të kuqen e agimit
pastaj zhduket
me ëndrrat e venitura të natës
e ndezur nga drita
zgjohet dita
lulja jetëshkurtër
e kohës.
DYSHIM
Si të depërtosh, ashtu si agimi,
përmes errësirës së natës
të heqësh dyshimin për të gjetur apo jo,
rrugën që më tej të çon
për më shumë njohje
për më shumë dritë
SHENJA TË NDRIÇUARA
dedikuar Raquel Lanseros-it
Në sy
një rreze hëne
një fllad i butë
si ndonjëherë fjala
një gjest dore
apo një përqafim
një vezullim drite
pasuri për zemrën.
AGIMI
Agimi zbulon
çfarë fsheh nata
pema heq dorë nga unazat e vitit
në agoni
ashtu si kristali i akullit në diell ndrin
shkëlqen për një moment
pastaj vdes.
SHQIPONJA
Duke prekur
dhe provokuar qiellin
fluturimi i shqiponjës
gjithmonë i nxituar
një çarje në kupën e qiellit blu
në kërkim të strehës
për fjalën e paqetë
FJALA E SHENJTË
Ende e virgjër
fleta e bardhë
brenda pamjes
uji i valëzuar ngjyrë gri
që rishkruan përsëri dhe përsëri
të njëjtat fjalë
të njëjtën poezi.
PRODUKTIVITET
“A ke shkruar shumë
poezi gjer tani?”
(e pyet gruaja
në telefon)
““"Po, dashuria ime,
kam mbushur koshat plot.”
HAPËSE LETRASH
dedikuar Fuad Rifka-s
Në shtëpinë Vjeneze
të një miku të përbashkët
ti le pas, si dhuratë,
një hapëse Arabe letrash.
Letra jote e pashkruar
ka mbërritur tanimë
RI-BURIME
Të arrish fundin
e pafundësisë
të lexosh orët e humbura
në vorbullën e kohës
ta përjetosh heshtjen
jo si zbrazëti
por si plotësi
ta shpalosësh dritën
me hijet e natës.
KTHIM
Me kujdes plori lë gjurmët e tij
përgjatë tokës së lirë prej pritjes.
Ai sheh
dhe vëren
kthimin
e tokës së errët.
HIEROGLIFE
Aty
ku zbaticat dhe baticat
pajtohen me njëra-tjetrën
dallgët shkruajnë
hieroglife mbi rërë
shenja
që mund të deshifrohen vetëm
nga orakulli i kohës.
GERMA TË LASHTA
Në pëllëmbën e dorës së natës
ai lexon germat e lashta
të yjeve
ata ishin gjithmonë
shokë
kur nata ishte shumë natë
dhe errësira e pamasë.
DUKE KËRKUAR DRITË
Një shkelje syri për Hugo Mujica
Ndonëse rrënjët
që kërkojnë ujë
pleksen me njëra- tjetrën
dhe degët
që kërkojnë dritë
shmangen,
degët do ta gjejnë
dritën kurse rrënjët
vetëm errësirën.
ZGJIM POETIK
Të soditësh yjet derisa agimi,
me përskuqjen e mëngjesit,
të mbyllë beben e natës
të përjetosh ëndrrën e ëndërruar
jo vetëm si ëndërr
por të lexosh venat
në pëllëmbën e dorës së trëndafilit
si të ardhmen e kohës.
PAMJE NGA DRITARJA IME NË MENGJES
Dy botë, të bashkuara nga iluzioni optik:
sipërfaqja luspore e ujit ngjyrë gri
që duket e padepërtueshme
si një perde mjegullore
që rëndon mbi tokë
dhe përhapet në horizont,
nga pamja pengon, enigma të tjera
kështu që misteri mbetet.
Pikërisht përpara bregut të ujit
dhe të bardhës okër të shtëpive
nxitojnë në të dyja drejtimet
lodrat prej kallaji të njerëzve
dhe mbrapa lënë pak më shumë
sesa tymra shkarkimi e dëshira të paplotësuara.
Me floririn e yjeve
të largosh hijet e natës
të rivendosësh heshtjen
me fjalë drite
të mos e përjetosh kohën
si humbje apo një vegim
por si shkëlqim kalimtar
të çdo çasti.
FLUTURIMI
Ndonjëherë,
atij i lind
një dëshirë e madhe për të fluturuar
krahët i përplas
për orë të tëra
pastaj i rreh me forcë
dhe ndihet i lehtë si pendë
megjithatë
rrallëherë ndodh
që ai të ngrihet nga toka
dhe i lumtur të ngjitet
drejt qiellit.
(Përktheu Irma Kurti)