Ylldije Sulka - Cikël poetik

Ylldije Sulka - Cikël poetik
AJO QË DUHET
 
Dëshira dhe e duhura pikturohen në lëkurën time
Unë zgjedh ardhjen
Eliksir gjatë ditës
Teksa ngrihem si Anteu
Për të ribërë atë që nuk mundem
Çdo mëngjes i njëjti refren më kalon nëpër gushë
Ka çaste që nuk di nga të shkoj
Shumë udhëkryqe e semaforë
këndojnë himne mbi të mundshmen e asaj që ëndërroj paprerë
Si një refren që përherë ndryshon
Janë ato që dua dhe ato që kërkoj
Zgjaten si vështrime mbi mua
Si një bekim i marr udhët për t’i zbutur si kuajt dhe si burrat
Dëshira dhe e duhura
Një rrëfim...! 
 
MEDALJON  
 
Në një anë ti dhe në anën tjetër vetvetja
Rrugët e botës rrotulluar me retrospektivë
Anijet që zbardhen nën qiej ngjyrash dhe pastaj vjen dikush
Lajmërimet bëhen edhe pa përemra
Ne jemi vetë ëndrra
Që përsëritet nga pragu në prag
Ditët copëtohen me prolog midis
Me shtigje kristaline ku hyjmë e dalim përherë
Duart që shtrëngojnë lamtumirat nëpër spirale erërash
Marrin me vete kujtime të pandodhura
Kohëra pa datë si atëherë kur puthja për herë të parë
Dhe reflekse pafundësish që na rrinë midis
Si medaljoni që përsërit vetveten në kurthin kohor
Me ciklin pa kthim
Vështrimi kaluar me rrethin vicioz
“Vade mecum”  në shtatë ditë.
 
MOS
 
Edhe nëse nuk më mendon
Nuk ka gjë
Unë jam femra
Që shpërndan mëkatin si nektarin
Universalja që botën e mbledh në grusht
Në pëllëmbët e castit e mbështjell të gjithë
Fjalët nuk më duhen
Flas gjuhën e dashurisë
Deri në delir
Nuk njoh moshë, njoh ndjenjën
Dashuroj
Ndaj më mbaj nëse do
Të sfidojmë momentet
Teksa shëtit nëpër gjithësinë tënde
Mos u frikëso të më braktisësh
Mos më lësho
Iki pa kthim koke, mbushur plot mall
Dashuri deri në çmenduri
Ndaj..., mos...!
 
DIMENSIONET
 
Gjunjët e mi
kanë shenja
shenja mavi, kafe e të verdhë
jo nga rëniet
por nga ngritjet
ishin të rënda ngritjet
mbi supe më binin gurë
gurë që ishin të nxirë
Të nxirë nga turpi  i atyre që i shtynin
drejt meje.
Drejt teje gjithashtu.
Dimensione
 
Ylldije Sulka jeton ne Tirane, studimet i ka kryer për Gjuhe dhe Letërsi Shqipe ne Tirane me vonese për arsye politike te imponuara nga sistemi diktatorial. Ka punuar ne bujqësi, gazetare dhe mësuese. Ka botuar dy libra me poezi, autore e tri dramave, ka ne proces botimi dy libra të tjerë, një me poezi dhe tjetrin me tregime.