Gjelina Maçi Keçi - FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA

Gjelina Maçi Keçi - FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA
FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA
 
Me fjalë zemre eca ndër kohëra historikisht,
E gdhenda në shpirt gjuhën e mendimin e nënës,
Të vërtetën e deformuan, por s’e vranë fatmirësisht,
Edhe sot për atdhe ajo rrjedh e pastër prej zemrës.
 
Në troje të mia 500 vjet turku më sundoi
Ma ndanë gjakun edhe tokën copa-copa
Më diktuan dhe çfarë të flas e të dëgjoj
Shkatërruan kisha e xhamia sa u çudit bota.
 
Për vllaznimin tonë i treguam gjithë botës mbarë,
Jemi popull nga më të lashtët në këtë tokë
Nuk na përçau asnjë fe se jemi e mbesim shqiptarë,
Kemi një flamur, një farë dhe një zot.
 
Të gjitha këto i ruajta me fanatizëm në shkronja,
Unë jam Pashka që me vllazën gëzoj Bajram
Jam Atë Fishta që i la në besim xhaminë hoxha
Amanet nga nana kam të mos dua ata pa din e iman.
 
Kam shqipen në shkronja flamur larë me gjak,
Sot valëvitet e lirë kudo në çdo cep të botës krenare,
Si në dhimbje e si në festa flet shqip në çdo bajrak,
Jam shqipja unike në botë, jam paqja në fe shqiptare.