Brixhilda Dede - Cikël poetik

Brixhilda Dede - Cikël poetik
BRIXHILDA DEDE - CIKËL POETIK

Brixhilda Dede ka lindur në Korçë por aktualisht jeton në Selanik të Greqisë. Ajo është autore e katër librave: “Abstraksion”, “Pëshpëritje Ndjenjash”, “Lulja e Majit” dhe “Sekretet e Dashurisë”.
Së fundmi ajo do të paraqitet tek lexuesit me romanin e saj të ri "Feniks" i cili është në botim e sipër. Brixhilda Dede ka mbaruar studimet e larta për inxhiniere ushqimi por pasionin e saj për të shkruar e ka pasur që në moshë të vogël. Fillimet para të shkrimeve që ajo ka pasur kanë qenë tekste këngësh për fëmijë e më pas vijuan edhe tekstet e serenatave korçare. Ajo ka shkruar në shumë gjini por veçanërisht i është përkushtuar prozës dhe poezisë.

E SHENJTË

Si stuhi vërvitej era.
Buçitur, plasariste qiell.
Më pas shtrinte këmbë
zbehur qefin.
Fshehur, pas të paqmit diell.

Perëndimi vishej përflakur.
Lulëkuqe maji në humnerë.
Tërhequr zemër deri gen.
Oh, sa dhembin thekët e zezë.

Dhimbja, ndihej thellë në zemër.
Shfaqur syve, shkëlqim me vesë.
Pasqyrës së qiellit veten shihte.
Humbur, thellë në univers.

FENIKS

Nuk mundem të bëhem yll,
të vij tek ti.
Por,
shkreptimave të blusë së errët magjiplotë,
ja u dalloj shikimin,
arterie zemre kur ther.

Hënës, si lutem të më zbrazë hiroglife dashurie.
Trokitjet, 
poreve të qenies ndiej.

Prekjen ajrin s' mund t'ia ndal tek shtrin gishtat lëmuar lëkurë.
Malli i gjallë,
shkrumbon, djeg.

Flatrave të shpirtit nuk mundem t' ju pres krahë,
S'jam hyjni.
Obeliskësh zemre të mbaj shtrënguar thellë,
Në fshehti.


Adhurues i perëndeshës së hirit femëror, zjarr kozmik.
I tempullit të Heliopolisit, altar.

Ti më vdes e përsëri, ti më ringjall.

E KAM ZILI

Kur gjethet e vjeshtës shkëputen,
rrëzohen prej kërcejve në zbrazëti.
Seç më kap një dhimbje kraharorit,
Kthyer në melankoli.

Lakuriqësisë së pemëve vjeshtake,
Qiell i kaltër sheh sytë e tu.
Dhemb e dhemb mungesa jote,
Si kocka çan në lagështi.

Rraskapitur sillet mendimi,
erë, apo stuhi.
Shkrirë me të florinjtën e
flokëve, nënë vrasën smaragdhi.

Oh, e kam zili mendimin.
Erën, kur të prek ty.

KUR DRIDHET SHPIRTI

Nuk mund' të imagjinoja ikjen tënde.
Thëllimin e një deti të trazuar,
Kujtime gërryer në ndryshkje vjeshte,
Lotuar stacionit të vonuar.

Xhadesë së ngushtë në ecje,
përdrejt rrugës së gjarpëruar.
Uturima erësh mbështjellin trupin.
Ti, në zemër më ri shtrënguar.

Kohë rrebeshesh, gjaku nderohet.
Pellgjet jeshilojnë në klorofilë.
Ndërsa ti shket si pikë ujë,
Përkëdhelur me të aromës lëkurë.

Vjen lehtë si paqe, më puth pa fund.
Gjurmët e ëmbla, ndiej gjithkund.
Je dashuria më e bukur, ta dish.
Edhe hijen tënde, do ta doja sërish.


Përgatiti Angela Kosta shkrimtare, poete, përkthyese, eseiste, kritike letrare, gazetare, bashkëpunëtore e Uebit orfeu.al dhe Revistës ORFEU, Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press dhe Kryeredaktore në gazetën Një Dritare e Re