DITAR I HUMBUR
Rremujë i bëra sonte sirtarët e kujtesës
Hutohem një çast e nuk di çfarë kërkoj
Diku në një qoshe është fshehur dikush
Ah, po: Ai blloku ngjyrë hiri dalëbojë
Ishte koha kur piqej rrushi në vjeshtë
E shega çahej nga dhëmbja duke qarë
Ziente mushti i dashurisë se gjimnazistit
E pikonte fshehur me epsh në një ditar
Në kopertinë kishte kodin e dashurisë
Ca gjurmë hije në faqen e parë me lotë
Top sekret i një shpirti që ish‘’djegur’’
Që as vajza e mbretit nuk e gjente dot
Ku humbi ai ditar i fshehur si hajmali?
Këtë ditë vjeshte me shi,ç’mu kujtua sot?
Sirtarët e kujtesës hap e mbyll me rremujë
Ku dreqin e kam humbur dhe s’e gjej dot?
S’MË LË TI...
Nuk e di si humba rrugën e monopatit
Në një luginë të panjohur, diku
Ajo kish fytyrë të rrudhur,plak
Me sy të mistershme
Me sy kukuvajkë
Zëri i bulkthit më shton drithërimat
Çakërrit sytë ankthi me frikë
Sikur sheh hijen e djallit
Më lë edhe ky diell
E fshihet pas malit
Me panik kërkoj lemshin e Arjanës
Mos më çon te shtëpia e Zanave
T’u tund foshnjën në djep.
Po kjo mjegullë e luginës
Nga xhepi ma kish vjedh
Kur terri zgjat krahët të më përqafojë
Një zë terë ëmbëlsi më therret
Më ndriçojnë shtegun dy sy
Dy duar më rrembejnë
E dashura ime, je ti?
NUK E DI ÇFARË KA MOTI...
Nuk e di çfarë dreqi ka ky mot...
Herë ngrihet në mëngjes me dhembje koke
Herë dehet me ca fllade të trishta
Me avuj që bëhen re
E rigojnë një shi të athët melankolik
Nuk e di çfarë dreqi ka ky mot...
Herë pa shkak bie në depresion të thellë
Mbështet kokën te mali i fshatit tim
Me sytë humbur diku
I shastisur, me marrjemendsh e tension
Nuk e di çfarë dreqi ka ky mot...
Herë e fsheh diellin pas reve gri, hutaqe
Mos e irritoj drita, të rri në mugëtirë
Të harroj sensin e kohës
Kur është lindje, kur është perëndim
Nuk e di çfarë dreqi ka ky mot...
Psikolog kërkoj për të e nuk e gjej dot
Nuk e di çfarë dreqi ka ky mot...
Ca pika me pluhur afrikan më hedh në shpirt.
DALLËNDYSHJA MA DHA LAJMIN
Lajmin ma dha sa erdhi nga larg,
Dallëndyshja bishtlarë
Nunaja e saj u bë pranvera
Për të, ylber hodhi
Fishekzjarr
Më ftoi pranvera në ditëlindjen e saj,
Dallëndyshja më tha
Lule të verdha t’i sillja si dielli
T’i servirja si gliko
Në tabaka
Lajmin ma dha dallëndyshja bishtlarë
E ardhur nga larg
I tundi djepin pranvera
Dhe i puthi sytë
Henëhark
Dallëndyshja më kujtoi ditëlindjen e saj,
Më tha se u rrit me pekule
Çarçafët e lumturisë i shtriu në shpirt
E mbajti aq të brishtë
Burbuqlule
Mikja ime e bukur,lindur në pranverë
Me diellin e hënën,varur përmbi derë
ZGJIM NË FSHAT
Hapi perdet e kalterta qielli
Dielli puthi ballin e malit të fshatit tim
Një fluturë ulet mbi qerpikë
E luan tinëz kukafshehtas me syrim tim
Borziloku po gjat duart
E në xhamin e vesuar më hedh aromë
Në tabaka,shpirti i nënës
Me shijen e kafes agu vallëzon në dhomë
I paduruar edhe ky baloja im
Me kuisje flet të dalë me filxhan në oborr
Të ulet pranë meje tek pi kafen
Të tremb grerezën me këmbën e tij ,dorë
Dielli po zbret nga mali i qeshur
Embëlsisë se agut i lidh një fjongo të verdhë
Mbi pjergullën e heshtur e var
E më kundron me sytë e mikës sime leshverdhë
U zgjua mengjesi i Marsit në fshat
I kërkoi hua ngjyrat ylberit...vetem shtatë