SHQIPE HASANI
GRUA E GOLGOTËS
Grua e bekuar njëherë vjen pranvera
Ti je ajo që zgjon lulemëngjeset
Që përplasen me botë ethesh n’shtrat pagëzimesh
Ato zgjohen me ëndrra nga rrënjë gjethesh
Barte në krahëror erërat e çmendisë
Sa herë ke qeshur je copëtuar
Sa herë ke pas lot je murosur
Në zemër ke fshehur netët e baltosura
Sa herë frymove ke sjellë drita hyjnish
Ke vesh këmishën prej liri dhe çorapë hallesh
Punuara me vek javëve të lehonisë
Që nga ti kërkonin ninullën në djep legjendash
Barte peshën më shumë se një shekull prej zjarresh
Pas shumë rrënojave kujtimesh e brengash
Gotës me ujin e dremitjes i vjen fundi
Përqafon ëndrrat e diellit në kepin e dashurisë
Aty ku perëndia zgjat dorën mbi krahë stinësh
Ti vetem lutu te jesh me engjujt që rrit
Në fronin e mundit dhe djersës për at që ia vlen.
DUART E NËNËS
Shuplakat e duarve i shtrive pas meje
Ma dhurove lulen e amshuar
Më tregove moj nënë sa shumë të kam munduar
Kur më ledhatove në përqafim
T’i degjova rrahjet e ritmeve
Më shikove me sy si engjulleshë
E më the ‘’Ti bija ime qofsh flakë e pashuar’’
Damarët e mi vluan nga gjaku
Urimeve u dola në pritë
Në mesin e tyre e kam nënën
Që është rreze dashuri dhe dritë.
LE TË VRAJNË MËKATET
Durova për unazën që ma vunë
Pa më pyet ëndrrën
Ku e ka fillimin dhe fundin
Mu verbuan sytë për pajën e nusërisë
Që m’u përgjaknin gishtërinjtë
Duke qëndisë virgjërinë e pjekur
Veçse mirësia e tepërt
M’u bë skllavëri
Më helmoi ditën dhe natën
Gjer në terrin e pafundësisë
Çuditërisht kur më përplase bukën
Tek portat e lagjes
Dhe dritat e mbrëmjes
M’i përpinin lotët e durimit
E pash si zihej dielli nëpër eklipse
Shkopi i shpresës çdo ditë
Ma gërvishte lëkurën
Që mbante majën e thikës së fshehur
Mallëkova karvanin e jetës
Që më buzëqeshte me mashtrime
Por kokën kurrë nuk e përula
Para një pushtuesi që lëndonte muzat
Dhe ditën i përgjakte gjer në asht.
Mjaft heshta për dhembjen e verës
Që më përcëllonte trupin
Lotin e dimrit që më ngriu fytyrën
Padrejtësisht përjetova dashurinë
Të vrafshin mëkatet e mia
LUTJE MUZAVE
Që në fëmijëri u mishërova vargu im
Mos m’i rri shpirtit pezull
Të desha kur ma ndriçove fytyrën
Me bukurinë e verdhë të diellit
Me buzë m’pira ia putha barkun nënës sime
Unë nuk i mposhti as kurorat as fronet
Po të ndihmoj nënë
T’i rritësh pesë fëmijët pas meje
Sepse unë jetoj me jehonën e duarve të dritës.
Mos më thirr kur jam e mërzitur
Sepse unë jetoj prapa xhamit të dritarës
Aty është pasqyra ime
Të shoh flokët që mi lidh gërsheta
Në çdo rrënjë një vjershë mi varet
Po të ndihmoj babë
Ta ndërtojmë një shtëpi prej tjegullave deltine
T’ia lëmë vetëm një shkallë
Ku ulem të ndiej mall
Sepse unë e di ku fillon varfëria dhe mbaron errësira e saj
Mos mi lëkund vëlla
Kalldërmet e përbaltura të oborrit
Dua t’i ndaj kujtimet në copëza
Të kuvendoj me ime motër mbi trotuare ëndrrash
Aty do të flas me gjuhën e femrës
Mijëra dashuri e dhimbje trazuar
Mbetën në vazon mbështetur në qosh podrumi
Veshur me kostumin e fëmijërisë
Sa vetëm muza kur kalon nëpër lotin tim
Di t’ma shijon mallin,mundin dhe dashurinë.
BRITMA MA GDHENDI DRITËN
Ma lësho nënë atë perde blu
S’dua t’i shoh as këpucët as fustanin
Portretizuar në muzetë e brymëta
Mbase heshtja ime s’ka fund
Treqind netë zemrës do t’i ndahet një copë
Por askush nuk ma ndjen mallin e thinjur
Derisa koha më thërrmohet
Mbi frenjtë e dhimbjeve
Mos më lë të mërzitem
Kur shiu m’i lag gërshetat
Fjongon ma mban ajo pemë
Mbjellur buzë kullës
Që m’i fekondon eshtrat çdo ditë nga pak
Dashurinë nuk ma solli lufta
As veriu që ma pi ujin e trupit
As ky qiell që mban pezull retë e leckosura
Veç klithma që flasin me gjuhën e gjakut
Eh zëri im kyçur në shekuj
Cila stinë m’i kullon netët e lëngëshme
Për zogjtë që ngopa me trohat e mia
Për robërinë që zhvesha strehëve të lodhura
Liria më dhemb thellë në shpirt
Sikur britma që ma gdhend dritën
Përtej trëndafilave
Përtej perëndive Dardane
Etem,qetohem me sytë e atdheut.
...................................................................