POEZI NGA PANAJOT BOLI
NUK MJAFTOJNË...
Iu luta qiellit të më japë një fletë të kaltër
Një grusht bojë blu të kripur nga deti im
Fjalët të kënë etjen e mallit dhe shijen e lotit
Letra të jetë si perdja e medafshtë e shpirtit tim
Kur nata do të më lendojë qerpikët e lodhur
Do të ulen yjet te perdja, të bëhen buzët e tua
Do të zgjohen shkronjat, do shfaqen si me magji
Do të thonë të lotuar: S'të vjen keq për mua?
Një det i paanë me pulëbardha, një det me lot
Një qiell i kaltër,i bukur,një qiell larg në pafundësi
Sa fleta do të kërkoja o qiell,sa bojë o deti im
Prapë s'mjaftojnë të të them :Sa shumë të dua ti
LEGJENDA, LUMI... EDHE UNË
Ç’është me ty i miri lumë
Sa më mall më pret sot
Si fëmijë më kap prej dore
Mërrr..mërrr seç më thotë
Nuk e di se ku do të vemi
Të dy bashkë si çamarrokë
Më hedh sterkala,loz më mua
Herë më shtyn, herë më rrok
Ecim, ecim nëpër fushë
Me legjendën pas si hënë
Porosinë e Syrit të Kaltër
Puthmëni fort detin nënë
Ecim, ecim nëprr fushë
Mes luginës hënëlarë
Këto bilbilat e Bistricës
Na urojnë :Udhë të mbarë
Syri i Kaltër seç u mallua
Detit nënë t’i falet pak
Kohë e mote kanë kaluar
Kur gjinganti ish në flakë
....
Rende , rende ti moj nënë
Edhe lumi , bija jote
Mes dhimbjes edhe flakës
Linda unë, kjo drita jote
Tha lugina,kjo s’është dritë
Kjo është thagmë, është magji
Gjinganti hi në Mal të Gjerë
Mbillte pemë për pavdëkësi
Ndaj të nis me lumin tim
Legjendën time kaltërsi
Me pishtar të qepi kopsa
Në çdo hap, një yllësi
....
Sonte lumi edhe unë
Me legjendën dorë me dorë
Detit i çojmë këtë dhuratë
Si gjerdan në kraharor
...
Lumi , Syri dhe Gjiganti
Që kur linden këtë legjendë
E dëgjuan bilbilat dhe erdhen
Nga çdo anë e nga çdo vend
E u mbush kjo anë e Bistricës
Me dritë e bilbila shumë
Me detin do të takohemi sonte
Legjenda , lumi edhe unë
NUK E DI PSE TRISHTOHEM
Nuk e di pse trishtohem
Hej, dreq!
Pa dashjen time asistoj
Në një ceremoni ndarjeje
Kur gjethet i lenë shendet të emës
Eh, ndarja..
Si ceremoni mortore..
Ku mbi supet e tyre, renduar
Lamtumira rri kalëruar.
Nuk e di pse trishtohem
Kur shoh lotët e tyre të verdhë
Dhe dhëmbjen që vizatohet
Me ngjyrën e kuqerremtë të buhavitjes
Poshtë kapakëve të syve
Nuk e di pse trishtohem
Hej, dreq!
Gjethja e vendlindjes me ngjyrën e mallit
Rri varur te shpirti im
E pret të bie,
Kur të tretem unë
Nuk e di pse trishtohem
Hej, dreq!
Me tmerrin që më zë
Mos gjethja e dashurisë zverdhet nga pritja
Dhe merr rrugët
Një ditë vjeshte