LUIS CRUZ-VILLALOBOS (Shqipëroi IRMA KURTI)

LUIS CRUZ-VILLALOBOS (Shqipëroi IRMA KURTI)
LUIS CRUZ-VILLALOBOS 
 
LUIS CRUZ-VILLALOBOS, (Santiago de Chile, 1976), është poet, shkrimtar, redaktor dhe psikolog, me një prodhim të gjerë letrar në poezi dhe ese akademike, me më shumë se pesëdhjetë libra të botuar. Ai është psikolog dhe specialist në psikologjinë klinike, fushë në të cilën ka punuar për më shumë se njëzet vjet.
 
TË NDIEJ NË ERË
 
Ndonjëherë ti vishesh si era
Qoftë ajo e butë apo e stuhishme
 
Ti mbulohesh me ajrin e hollë
Ti që nuk ke nevojë as të vishesh
 
Ti vallëzon dhe veten e humbet
Duke u dhuruar si puthje a përqafim
 
Unë bie në shtratin tënd
Që nuk ka as kufij, as trashësi
 
Lotët e mi janë prej drite atje
Mendimi im si xixëllonjë shkrep
 
Dhe zemra ime transformohet
Në strehën tënde një herë e përgjithmonë.
 
LUMI I PËRJETSHËM
 
Lumi më tregon për Ty
Lumi i Madh i Përjetshëm
 
Prekja e tij miqësore në shkëmbinj
E  shndërron në rërë teksa rrjedh
 
Ndërsa jeta ime përparon me ty
E përhershme dhe e dhembshur
 
Ajo zvogëlohet gjithnjë e më shumë
Derisa një ditë të zhduket
 
Dhe ti së fundi je gjithçka
Lumë i pafund që rrjedh
 
Në mitrën oqeanike
Që ti je dhe gjithmonë do të jesh.

Përktheu dhe redaktoi IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali