Libri i 30-të në gjuhën shqipe nga Irma Kurti

Libri i 30-të në gjuhën shqipe nga Irma Kurti
Irma Kurti boton librin e 30-të në gjuhën shqipe:
“Bashkëbisedim me poetë dhe shkrimtarë nga bota”
 
Libri përmban 20 intervista dhe botohet në Prishtinë të Kosovës me logon e shtëpisë botuese “Lena grafik”. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini, redaktor është Sejdin Cekani. Autorët e intervistuar janë: Ana Stjelja, Carole Matthews, Carolyn Martin, Duane Vorhees, Daniela Andonovska, Elisabeth Esguerra Castillo, Germain Droogenbroodt, Huguette Bertrand, Hannie Rouweler, Hiram Larew, Laura Stamps, Luis Cruz Villalobos, Michael Lee Johnson, Naila Hina, Norbert Gorà, Robin Barrat, Rosy Gallace, Stanley Barkain, Tamikio L. Dooley dhe Zlatan Demirovic.
 
NË VEND TË PARATHËNIES
 
“Bashkëbisedim me poetë dhe shkrimtarë nga bota” është libri i dytë me publicistikë pas atij me titull “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” (2013), me logon Botimet Morava. Bëhet fjalë për një tjetër pasion timin, atë për gazetarinë, fillimet e të cilit janë shënuar qysh përpara viteve ‘90 me botimet në mënyrë të rregullt në gazetat “Shkumbini” në Elbasan dhe “Bashkimi”, si dhe më pas, gjatë punës si gazetare, në disa organe të tjera shtypi në Shqipëri, duke filluar me gazetën “Mësuesi”, për të vijuar më tej me “Alternativa SD”, “Dita informacion” etj.
Krahas lëvrimit të poezisë dhe përkthimit, në gjithë këto vite i jam kushtuar gjithashtu botimit të eseve apo artikujve të ndryshëm në organet e shtypit shqiptar, ndonëse në mënyrë sporadike. Por duke filluar nga viti 2021, iu ktheva sërish intervistave - një gjini që e kam pasur për zemër edhe në vitet e hershme të punës si gazetare - ndoshta për të mbajtur gjallë dhe për të ushqyer pasionin tim ose edhe për shkak të pengesave dhe vështirësive, si pasojë e situatës së ndërlikuar që u krijua gjatë periudhës së pandemisë së Covid 2019. Kjo ishte një mënyrë për të mbushur mungesën e kontakteve reale me miq, të afërm dhe krijues. Intervistat fillimisht shërbyen si mjeti më i mirë ndërlidhës, si një urë që më ndihmonte të takohesha me poetët në Itali apo më gjerë, atëherë kur veprimtaritë kulturore të çdo lloji ishin të pamundura. Pra, nisa njëfarë dialogu në mënyrë periodike me poetë dhe shkrimtarë nga e gjithë bota, por që shumë shpejt u kthye në diçka që po e bëja rregullisht e thuajse në mënyrë rutinore edhe falë dëshirës së disa revistave në gjuhën italiane për të më bërë pjesë të redaksive të tyre.
Në këtë përmbledhje kam përzgjedhur 20 intervista të kryera gjatë periudhës 2021-2024. Janë autorë që më kanë tërhequr me krijimtarinë e tyre, po sidomos me punën këmbëngulëse, me pasionin dhe përkushtimin në fushën e kulturës. Intervistat janë botuar në mënyrë periodike në gazetën “Nacional” në Shqipëri, si dhe në revistën “Orfeu” në Kosovë. Po ashtu, janë botuar edhe në gjuhën italiane, në revistat “Oceano News”, “Alessandria today” dhe “Saturno Magazine”. Në gjuhën angleze janë botuar në revistat “Poetryzine”, si dhe “Ila Magazine” në ShBA, në blogun “Worldwide Writerweb” si dhe gazetën “Quick World News” në Kosovë.
Kam pasur fatin të bisedoj me disa personalitete nga bota e kulturës dhe të zbuloj tek ata jo vetëm pasionin, ndjeshmërinë, kontributin e pashoq në përhapjen dhe publikimin e artit të të shkruarit, por mbi të gjitha modestinë. Dua të përmend autoren britanike bestseller Carole Matthews, por dhe Robin Barrat-in; poetin belg me famë ndërkombëtare dhe të përkthyer në 30 vende të botës, Germain Droogenbroodt, por dhe poeten kanadeze, Huguette Bertrand; pa harruar ndërkaq botuesin amerikan Stanley H. Barkan.
Pyetjet e mia shkonin përtej kërshërisë dhe interesit vetjak për t’u njohur më nga afër me këta poetë të suksesshëm; ato ishin shprehje e dëshirës për t’i ndarë mendimet, frymëzimin, pasionin, vështirësitë dhe realizimin e projekteve të tyre me mijëra lexues të tjerë. Këta poetë e shkrimtarë janë shembulli im për të ecur pa u ndalur në rrugën e artit dhe letërsisë, por me siguri do të jenë të tillë edhe për mijëra të tjerë që kanë një ëndërr në sirtar.

Nga autorja IRMA KURTI