CIKËL POETIK NGA SABINA DAROVA
Sabina Darova, është: krijuesja e Projektit Forumi i Grave, fituese e Çmimit Ambasadore e Paqes, Këshilltare në Këshillin Provincial të Mundësive të Barabarta të Astit, pjesë e Këshillit Drejtues të AMMI në Torino. Prej 22 vitesh ka punuar si ndërmjetëse kulturore në ASL-in e Astit, në Komunë, Gjykatë si dhe në disa shkolla.
Sabina është gazetare freelance në tre gazeta shqiptare.
Si poete ka botuar dy libra me poezi në gjuhën shqipe: "Dritë lëkurë" dhe "E pambaruar mënga e dimrit".
Gjithashtu ka fituar Çmimin Special në: Torino Film Festival - Edicionin XII-të i Konkursit "Gjuha Mëmë".
Shtatorin e kaluar, kuroi ekspozitën fotografike A.A.A – Arritje, Mirëseardhje, Asti në Shqipëri.
RREGULLI I ARTË
Atdheu im
është një varkë pa breg,
lëviz mes kujtimesh të njohura
si një i ri që kërkon emrin e vet
në çdo valë.
Flet në shumë zëra,
por, asnjëri s’është plotësisht i tij.
Nga frika e rrënjëve,
zgjedh pezullin
atë vend mes dy brigjesh
ku askush s’e pyet kush është.
KONTRAST STINOR
Shpirti, bosh.
Mëngjeset trokasin ndër guralecë,
si huta hutuar që kërkojnë dritën.
Në mes të ditës,
shputat digjen nga uria
për ta shkurtuar distancën
mes asaj që isha
dhe asaj që mbeti.
Në mjegull,
gjej copa stofrash të vjetra,
ngjyra që s’i mbaj mend
mozaiku i kohës së shkuar
hedhur rastësisht, mbi pragun e sotëm.
Dhe ja,
shpirti mbushet.
Nga ky mozaik rritet një pemë.
Toka e njeh, dridhet,
shqipton ngadalë emrin e frutit.
Ah, kjo ëmbëlsi mani
sa afër,
sa mëmëdhe.
Shpirti, sërish në peshore:
zbrazur dhe mbushur,
në dimrin që s’mbaron.
SHKALLËZIM KOHOR
Kur hyra në shkollë,
në festën e abetares,
më thanë se kisha një njollë.
Këndova në rreshtin e fundit.
Leksioni i parë.
Kur u rrita pak,
më shpjeguan se të mësuarit
janë njerëzit me njollë,
ata që s’duken pas grilash.
Leksioni i dytë.
Kur kalova nga një shkollë në tjetrën,
më mësuan të shihja prapavijën,
të mbaja kokën ulur.
Leksioni i tretë.
Kur mora diplomën,
ishte vonë.
Shinat e trenit
më çuan në një atdhe tjetër.
Leksioni i katërt.
Kaloi kohë…
U ktheva në shkollë.
Në dërrasën e zezë shkruhej:
“Të duash vetveten.”!
Leksioni i parë, përsëri.
Përktheu Angela Kosta