~Kohë pa kohë~
Tanimë jam mësuar me kohën e pa kohë. Dimri ndali vetëm për pak. Ne s'ndalim. Ritmi është kaq i shpejtë. Çdo hallkë e zinxhirit është e lidhur fort me tjetrën dhe, çelësi i drynit kushedi se ku ka mbetur. Kaq të njëllojta këto ditë! Ka ende lulemimozë në pemë. Luleshitësit mund të fitojnë ende ca të holla. Fill kur mbarojnë mimozat, çelin manushaqet. Lum kush i gëzohet çasteve të vogla! Këto mendoja, kur me urgjencë u hap dera e ashensorit. Duhet të dilnim shpejt. Një rast tjetër i vështirë do të futej në sallë. Në godinën e vjetër ka shumë dhoma - reanimacion, sallë operacionesh, dhoma mjekësh, dhoma pacientësh. Bluzat e bardha në korridore do të mbeten gjatë në kujtesën time. Sollën diell për mua e shumë të tjerë si unë, këtë fund shkurti. Kthehem pas ndër vite, atëherë kur mbi supe më qëndronin flokët e verdhë dhe kordelja e bardhë mbi to. Djali që dikur thyente zemra, sot zgjon mijëra. Heronjtë e bluzave të bardha shpëtuan jetën e burrit që ndër njëzet vjet, kurrë nuk ma ka thyer zemrën. Nesër dua të shohë diellin në lindje. Me kafen në dorë do të shkojë pranë pemës së mimozës. Edhe nëse do të bjerë shi, atje do të jem. Ai e di se zinxhirët ma marrim frymën. Zemra e tij po rreh përsëri! Zemra e tij rreh fort! E ndiej kur dorën kaloj ngadalë mbi qepjet në kraharor.