Patrizia Riello Pera – Cikël poetik (Përktheu: Angela Kosta)

Patrizia Riello Pera – Cikël poetik (Përktheu: Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA PATRIZIA RIELLO PERA

Patrizia Riello Pera ka lindur në Padova (Itali) në vitin 1969 dhe ka debutuar si shkrimtare në vitin 1987 dhe si karikaturiste në 2014. Ka fituar disa çmime dhe ka marrë shumë vlerësime prestigjioze. Veprat e saj janë botuar nga disa shtëpi botuese në: Milano, Roma, Viterbo e Perugia.
Në vitin 2025 ka marrë:
- Çmimin “Leone d’Oro della Cultura e della Letteratura” nga Menotti Art Festival Spoleto dhe gazeta La Notte për promovimin e Arteve dhe Kulturës.
- Përmendje e Ekselencës Akademike në Konkursin Ndërkombëtar Letrar të Ekselencës, G. Belli – F. Lami, Akademia Tiberina 2024/25, edicioni i dytë, për poezinë “Amore in negativo”.
- Çmimin Europian “Oscar Wilde”.
- Çmimin Ndërkombëtar i Artit “Minerva 2025” MAECA, Vendi i 4-të.
Në pikturë:
- 2024: “The Grand Award to Excellence”, Çmimi i Madh për Meritë Ndërkombëtare: “Tra le Parole e l’Infinito”.
- “Il Salotto del Premio Bancarella”.
- U propozua si kandidate për Çmimin Nobel në Letërsi, (2024).
Gjithashtu ka qenë pjesëmarrëse ndër vite në:
- Panairin e Librit në Torino, Buchmesse në Frankfurt.
- Në 2023: Miami Summer Books, Certifikatë si Escritora Internacional.
- Në 2024: Panairi i Librit në Tiranë.

DASHURIA

Kur vërtet e dashuron dikë,
ndjen gjithçka që i dashuri yt ndjen,
në të mirë dhe në të keq.
Gjaku i tij është gjaku yt,
lëkura e tij është lëkura jote,
mishi i tij është mishi yt,
gëzimi i tij është gëzimi yt,
dhimbja e tij është dhimbja jote.
Kur vërtet e dashuron dikë, kushdo qoftë,
cilido të jetë aspekti i tij,
cilëtdo qofshin mendimet e tij,
shpirti i tij është shpirti yt,
personi i dashur është pjesë e jotja.

SHPIRTRAT TANË

Këtë natë 
si çdo natë, 
I Dashuri im, 
do të takohemi në botën reale, 
aq ndryshe nga ajo që e tillë duket  
dhe që ne e quajmë botë, 
e do të duhemi e ngushëllohemi, 
dhe mendimet tona do të bashkohen 
në një ndjenjë të madhërishme
dashurie dhe emocionesh. 
Në një botë pa kohë 
shpirtrat tanë do të shkrihen, i Dashuri im,
në atë që ne këtu e quajmë Ëndërr. 
Dhe të nesërmen do të zgjohemi 
në këtë botë që duket reale, 
por që në të vërtetë është vetëm një ëndërr. 
Dhe do të përthithemi nga eventet, 
nga egoizmi dhe nga luftërat 
e kësaj bote denigruese dhe të korruptuar 
ku të gjithë jemi të kapërthyer nga dëshira 
për të arritur majat, 
me shpresën që gjithkush ta përmbushë
Misionin e vet, 
sepse kështu është e drejtë. 
Dhe ndoshta misioni im është i ngjashëm me tëndin, i Dashuri im. 
Por kur të kthehemi në këtë botë 
nuk do të kujtohemi më që jemi dashur.

LIRIA

Liria e vërtetë dhe autentike 
është një hapësirë e hapur aq sa mjafton
për paqe dhe gëzim. 
Është thuajse e kthjellët dhe e mbushur me oksigjen, 
liria në të cilën mund të marrësh frymë 
thellë me mushkëritë. 
Liria është një oaz 
ku askush nuk mund të të lëndojë. 
Liria është një vullnet i lirë i padiskutueshëm. 
Shiko përreth!
Je i lirë!
Liria është një copëz lumturie 
rënë nga qielli në këtë botë.

Përktheu: Angela Kosta