DHEMBSHURI, NDJENJË DETYRE DHE ZËRI I TË DOBËTËVE
Nga: Lee Hye-Seon (李惠仙), kritike letrare, Doktoreshë në letërsi, Presidentja e katërt e Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore.
Së pari, përgëzoj poeten Angela Kosta për këtë rast të jashtëzakonshëm lidhur me botimin e përmbledhjes së saj poetike në tri gjuhë: koreanisht, italisht dhe anglisht.
Në gusht të vitit 1996, u ftova si përfaqësuese zyrtare e Koresë, së bashku me Doktor Bang Gon, studiues i letërsisë frënge, dhe poetin Shin Se-hoon (përfaqësues i Free Literature dhe ish-President i PEN International Korea), në edicionin e 35-të të “Mbrëmjeve Poetike të Strugës”, i mbajtur në Maqedoni.
Ende sot, kujtoj me shumë dashuri momentet e veçanta dhe të bukura kur recituam poezi gjatë ceremonisë së hapjes në barkën “Ura e Poezisë”, e ndërtuar enkas për këtë ngjarje, e më pas në mesnatë, në breg të Liqenit të Ohrit, duke përfituar nga ditët e gjata verore, recituam nën dritën e hënës dhe ndamë fjalë të sinqerta.
Nga Seuli në Francë, pastaj nga Franca në Sofje të Bullgarisë, udhëtova një ditë dhe arrita në Strugë me një makinë të dërguar nga Maqedonia, duke kaluar nëpër vende të mrekullueshme.
Meqë Shqipëria ndodhet afër me Maqedoninë dhe Liqeni i Ohrit shtrihet mes këtyre dy vendeve, ndjej një afrimitet të veçantë me Shqipërinë, sikur ta kisha vizituar vetë.
Për këtë arsye, për mua është kënaqësi dhe nder i madh të shkruaj këtë mesazh urimi për përmbledhjen poetike të Angela Kostës, e botuar në tri gjuhë. Angela Kosta është e njohur si poete shqiptare, përkthyese, eseiste, gazetare, kritike letrare, botuese dhe figurë letrare me famë ndërkombëtare.
Ajo ka përkthyer shumë poezi të poetëve koreanë, përfshirë edhe të miat, në shqip dhe italisht, duke i prezantuar në Europë si dhe në shumë vende të botës. Falë përkushtimit të madh të Doktor Kang Byeong-Cheol nga Koreja dhe poetes Kosta, shumë poezi koreane kanë "fluturuar" nëpër botë; i shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim të thellë për këtë sukses.
Zonja Kosta është Zv. Presidente e disa organizatave humaniste dhe ambasadore kulturore e paqeje për organizata jo-fitimprurëse kulturore dhe paqësore, në: Bangladesh, Poloni, Marok, Kanada, Algjeri, Egjipt, Meksikë, Rumani, Indi, Jemen, e shumë vende të tjera.
Në këtë frymë të përparuar dhe me këtë angazhim konkret, poezitë e Kostës shprehin thellësisht humanizëm dhe dhembshuri për bashkëkombasit dhe për njerëzimin që vuan nga varfëria, konfliktet dhe dhimbja.
Një nga detyrat e poetit është të jetë ai që qan për dhimbjen e tjetrit.
Duke lexuar poezitë e Kostës, si “Një copë bukë” dhe “Uria”, u preka thellë nga zemra e saj e mbushur plot dashuri dhe nga ndjenja e saj për detyrën poetike.
"Për të mos ndjerë
rrahjet e dobëta
të zemrës së vëllezërve të mi
të zbehtë, me buzë të çara
si toka nën këmbët e tyre.
Kothere buke mos u shkërmoq!
Ku është Krishti për të të shumuar?"
(Nga: NJË COPË KOTHERE)
Edhe pse i drejtohet dhimbjes së vëllezërve të saj me dhembshuri, Kosta nuk mjaftohet vetëm me mëshirën dhe keqardhjen, por sjell ndriçimin e shpresës në poezi si “Drita e mbijetesës”, duke e përcjellë lexuesin drejt shërimit.
"Ti... grua... Çohu përsëri!
Zhvishu nga gjithçka që mohon
"Perëndeshën" brenda teje!
Çarmatosu nga kufiri
i durimit, i dhunimit!
Hiqe vellon e venitur
maskën e errësirës së përjetshme.
Çlirohu nga ai që nuk i meriton
grimcat e buzëqeshjes tënde të rrallë
e lagësht në buzët e tua.
Ti... Grua...
Jeto sërish!
Hapi duart
ku merr frymë forca e jetës!
Lulëzo përsëri!
Këndo! Buzëqesh!
Ulëri për lirinë tënde
burgut të jetesës së neveritshme
që perëndon rrugëtimin tënd.
Ti... grua...
Madhështore... Unike... Hyjnore.
Jeto!"
(Nga: RILIND SËRISH GRUA HYJNORE)
Në poezinë “Rilind Sërish Grua Hyjnore”, Kosta inkurajon me një ton të fuqishëm dhe të pasionuar gratë, dinjiteti njerëzor i të cilave nuk respektohet në mënyrë të barabartë, që të zgjojnë hyjnoren misterioze brenda vetvetes, “Perëndeshën”, e të çlirohen nga mohimi, dhuna dhe shtypja, duke i nxitur të “ulërasin lirinë”, “të rilindin… të këndojnë” “të ringjallen... të jetojnë”. Nëpërmjet shumë poezive të tilla, Angela Kosta i drejton një vështrim plot dashuri të vobektëve, të dobtëve dhe të përjashtuarve të kohës sonë, duke i përfaqësuar, duke u bërë një zë gjëmues për ta, e duke shkuar edhe përtej kufijve, duke u dhënë forcë dhe shpresë.
Angela Kosta është poete humaniste plot dhembshuri dhe vetë "zëri" i të pambrojturve.
Veç kësaj, ajo është një poete e njohur, misioni poetik i së cilës shkëlqen më shumë se i kujtdo tjetër. Shpresoj me gjithë zemër që poezitë e saj të prekin dhe të emocionojnë zemrat e lexuesve, si në Kore po ashtu edhe në mbarë botën, duke u bërë një dritë shprese.
Edhe një herë, i shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe i uroj lumturi e fat.
Nga: Lee Hye-Seon (李惠仙),