Zhaneta Këmbora (Recension)

Zhaneta Këmbora (Recension)
NJË JETË TË TERË,PRANË BUKURISË MAGJIKE TË VENDLINDJES
 
-Vellimi i ri poetik'Më përqafojnë kaltërsitë' e Panajot Bolit ka botuar këto ditë gushti shtëpia botuese NERAIDA në Tiranë
 
Nga Zhaneta Këmbora                                            
 
Nuk mund të kuptohet nëse është natyra e vendlindjes ajo që e frymon autorin PANAJOT BOLI të mjeshtërojë fjalën në vargje poetike duke i dhënë ngjyra mbresëlënëse për ta bërë edhe më të bukur atë, apo është teknika e shkrimit që përdor ai për t’a pasqyruar në mënyrë sa    më    tërheqëse këtë bukuri magjike lexuesve...Poezitë e përmbledhura në    vëllimin    poetik “‘ Më përqafojnë kaltërsitë ’  ”    i  kushtohet vendlindjes së autorit. Në to vihet re teknika që përdor ai    duke i dhënë ngjyra dhe bukuri mahnitëse natyrës së qytetit të tij, Sarandës dhe në mënyrë të veçantë fashatit të tij ku lindi dhe u rrit,Velahova . Jo rastësisht    mbresat e vendlindjes zënë një hapësirë të gjerë tematike dhe jo vetëm...    Edhe forma artistike, edhe strukturat e shkrimit të tij paraqitet në shumëllojshmërinë e përdorimit të tyre duke u bazuar në motive popullore të trashëguara nga folklori vendas dhe mjeshtërisë artistike të tij    për t’ia përshtatur realitetit të kohës së sotme.
             Një teknikë të tillë shkrimi e kemi gjetur edhe në krijimet e mëparshme të autorit, por në këtë vëllim poetik autori ka zgjedhur të tregojë duke përfshirë në të, krahas poezive të tjera lirike dhe poezi të karakterit rrëfimtar. Poezia narative    zgjedh të rrëfejë me nota lirike, vargje që mbështeten    në objekte reale ose imagjinare, me personazhe të vërtetë që jetojnë në të njëjta mjedise të vendlindjes,    të cilët autori i njeh shumë mirë që nga koha e fëmijërisë dhe i kujton me mall e nostalgji sot, në moshë madhore.    Në këtë realitet, poeti është thelluar në motivet e vendlindjes duke depërtuar me imtësi në jetën dhe shumëanshmërinë e saj me detaje të gjetura poetike për    t’i dhënë më shumë thellësi mendimit dhe shprehjes artistike.
 Poeti i kërkon me intuitë detajet nga jeta dhe i përcjell ato me një varg të rrjedhshëm poetik, me një forcë shpirtërore dhe emocionale që kuptohet lehtësisht nga lexuesi. Me një figuracion të thjeshtë komunikues ai shfaq ndjesitë. Me realizëm jep portrete njerëzish që i ka njohur nga afër dhe mbeten në kujtesën e tij si    personazhe më të dashur për të.      Duke përditësuar trashëgimnin e të parëve me ngjarje nga jeta personale përmes fakteve dhe personazheve të vërtetë vendos pikëvështrimin në detaje nga jeta e tij e dikurshme dhe si mjet figurativ përdor krahasimin duke vënë përballë tablon e    së shkuarës me të tashmen, për të sjellë    imazhin    e ri poetik.      Prandaj në poezinë narative të këtij vëllimi poetik, shpesh gjejmë përballjen e realitetit të mëparshëm me realitetin e sotëm të patjetërsueshëm të bukurisë magjike të vendlindjes së tij.

 Poezia e parë  ‘Këtë pasdite...’ na tregon se      ngjarja ka fakte dhe personazhe realë: Autori- sot e    gjyshi- dikur, vendi: ulliri i gjyshit, detaj i veçantë: Perëndimi, koha : dje dhe sot.
 Naracioni    rrëfen realisht vendndodhjen e situatës së    perëndimit krijuar në    dy rrethana të ndryshme kohore    dhe fakte reale të objekteve    që i japin vizion të njëjtë përshkrimit të tij.    Por, me intuitë autori përqëndrohet në    diçka të veçantë nga e    kaluara e cila në përballje me të sotmen    sjell një imazh tjetër. Në pamjen vizuale nuk ka ndryshime të dukshme, por në thelb, në botën e brendshme shpirtërore të tij    përcjellin      ndjesi të kundërta. Kjo kundërshti e bën të dallueshme të shkuarën nga e sotmja. Perëndimi dje me (lodhje,mundim, dhembje, kënaqësi) – perëndimi sot    me (çlodhje, kënaqësi, mall, nostalgji, emocion dhe energji).   
Kjo tregon qartë aftësitë krijuese të poetit i cili    luan me fjalën jo vetë përmes figurave letrare, por dhe me mënyrën se si e përdor atë në shkrim. Ai    i lejon vetes të vështrojë përtej realitetit    duke guxuar të përfshijë formalisht në imazhin e tij, të    gjeturën në skutat e errëta    të së padushkmes, për të nxjerrë në dritë mendimin e tij.      Kjo vihet re në tërësinë e poezive, në mënyrën e të shrehurit të ndjenjës    optimiste të cilën ia i përcjell lexuesit edhe në vargjet e fundit të poezisë:   
‘Presin. Ja sa të iki nata, të çel agu i mëngjesit/Me kalin e bardhë të fëminisë të udhëtojnë //... ‘ -    (njerëzit janë të përtëritur, të gatshëm për të nesërmen të veprojnë)
                ‘ Në vithet e kalit hipur edhe princesha ime/Me ëndrra në krah, dimër e verë, udhëtime.’-
( autori është    me shpresë për një të ardhme të cilën e sheh ëndërrimtare, të bukur dhe ndihet i plotësuar e i lumtur në jetën e tij )
E njëjta teknikë përdoret edhe në poezinë “ Më përqafojnë kaltërsitë “  ku    autori    përdor imagjinatën e tij për të shtuar fuqinë magjike të bukurisë natyrore të cilat ndikojnë në botën shpirtërore të tij.    Në situata të tilla, vargjet:
 ‘ Ajo që më çudit kur isha i vogël, ( Ishte qielli/ Nuk i gjeja as fillin, as fundin/... dhe ishte i kaltër...i kaltër...), (Lumi, ka edhe ai shpirt, ... më buzëqeshi, ...dhe ishte i kaltër...i kaltër,    I paduruar kërkova neraidat e përrallave), Sytë fërkova , kur pashë një shesh magjik, kaltërsi, (Jam deti Jon, më tha, ...Një vals kërcente ... dhe ishte i kaltër... i kaltër...) Çudi, edhe ëndrrat tani i shoh të kaltra, Pranverën të kaltër/...princesha ime ... me fustan të kaltër/ Me sytë e qiellit që ndez mëngjeset e prillit... dhe ishte e kaltër ... e kaltër. - vërtetojnë këtë pohim. Faktet konkrete lidhen me ekzistencën e tyre reale. Qielli, lumi ‘Bistrica’, deti ‘ Jon ‘, të gjithë me të njëjtën ngjyrë, të kaltër... të kaltër. Por autori, me imtësi kërkon në thellësi të tyre diçka të veçantë, që e bën më tërheqëse mendimin e tij dhe më të dukshme bukurinë e hapësirës natyrore ku shtrihen ato.    Aftësia krijuese e autorit e sheh këtë hapësirë të pafundme tek Qielli – (Nuk i gjeja as fillin, as fundin/... dhe ishte i kaltër...i kaltër...); në vazhdimësinë e rrjedhës së    Lumit të Bistricës , në    bukurinë natyrore ‘Syri i kaltër’    dhe hapësirën e pambarim të detit Jon    duke krijuar    tablonë e bukur që ofron imagjinata e tij me Neraidat e përrallave ku sheh    një shesh të madh magjik –kaltërsi .
      Dhe ne si lexues ndjemë përmes ngjyrës së kaltër, simbol i jetës, larmishmërinë e objekteve reale që e mbartin atë jetë në lindjen e saj : “me sytë e qiellit”; vazhdimësinë e saj pa ndërprerje: nga rrjedha e vazhdueshme e lumit;    me shtrirje: në pafundësinë e detit Jon; Me bukurinë e saj si në përralla:    tregojnë neraidat...    Vetëm një mjeshtër artist arrin të sjellë pranë realitetit të jetës njerëzore personazhe ireale si neraidat dukei bërë ato    pjestare të natyrshme në jetën tonë.
Në shumësin e poezive të përmbledhura në këtë vëllim autori ka vendosur t’u japë “lirinë” gjithësecilës, të mos i mbyllë më ato në kafaze kapitujsh, por të renditen ashtu, natyrshëm e të shtrihen në hapësirën e madhe të letrës së shkrimit. Asgjë më tepër se një peizazh shpirtëror i botës së brendshme, veshur me formën e jashtme të fjalës,    tregon    ngjyrat reale të jetës së përdishme të autorit që nga fëmijëria e tij.  Me ulje-ngritjen e mënyrës së jetesës reale dhe ngjyrat e shpirtit që    shprehin ndjenjat e tij në krijimtari, herë të venitura dhe në gri, herë të errëta deri në të zi. Herë të ndezura flakë në prush e në zjarr, herë të kuq trendafili,    në rozë të ëmbël dhe në ngjyrë të bardhë. Me një larmishmëri ngjyrash që vijëzojnë kaltërsinë tek ky shall i hedhur krahëve    të vendlindjes së tij , e përqafon dhe i fal dashuri...       
Panajot Boli e njeh botën e fëmijëve, dëshirat,    pasionin, ëndrra e mendimet e tyre. Lumturohet për ta me rezultatet dhe arritjet në mësime, prandaj shkruan me adhurim dhe dashuri për ta në vargje, poezi. Në to ai tregon marrëdhëniet mësues-nxënës, lidhjen shpirtërore me ta dhe ndjenjat e bukura që i përcjellin kur e    presin me padurim ardhjen e tij në mësim. Motivon vlerat    dhe nxit ndjesinë e tyre që të dashurojnë e të ruajnë bukurinë e vendlindjes, Sarandë,    ashtu si vetë, ai.
(Nxënësja ime me sy blu, ngjyrë Joni/ Sarandën na e solli në klasë// në një kornizë ESE-je të qëndisur bukur/me buzët e vajzës së valëve të na flasë).
Me stilin e një artisti të vërtetë, imagjinatën e tij e lartëson duke e veshur bukurinë natyrore me ngjyrë hyjnore. ( Klasa sot veshi rrobat e nimfës Sarandë/ e solli në kornizë ESE-je    nxënësja Anisë/ si medaljon të shtrenjtë na e vari në qafë / hyjneshën Sarandë që aq mirë kish qëndisë)      Imagjinata e tij i kapërcen kufijtë e reales kur shkruan poezinë “Erdhi Saranda në klasën time” Poezia narative flet me gjuhën e autorit por,    si mësues profesionist, ai kupton se misioni i tij    është realizuar me pikturën më të bukur të vendlindjes së tij.
Gërshetimi i monologut lirik krijon një poezi të lidhur fort me jetën që ndjen, shikon dhe komunikon me bashkëkombësit. Autori zgjedh një kompozicion të thjeshtë për ta realizuar atë duke përdorur imagjinatën e tij të pranueshëm për ta.
Në poezinë “ Eh, kjo jetë...” me strukturë poetike dy vargëshi, i cili nga ana formale i përshtatet bisedës me vetëveten. Vargu i parë, me në një fjali pyetëse të gjatë, të qartë e të kuptueshme, dhe vargu i dytë, merr përgjigjet që i kthen vetes duke përdorë figura të thjeshta letrae (epitet, krahasim):   
“Kush e pa diellin që sapo lind në mëngjes?”// Është syri i bukur i bebes, si rubin me vesë”
Në të gjithë poezinë, kjo teknikë e të shkruarit që ndërthur figurën e shqiptimit poetik (subjekcion), në dorë të një artisti me përvojë në krijimtari, përdoret për qëllimet e veta artistike,    duke shtuar dhe    një figurë tjetër siç është (epifora), përsëritja e vargut si mbyllje ose si refren,    pas çdo strofe. Kështu, poezia bëhet më interesante dhe i jep    ngarkesë    emocionale mendimit të tij në vargun “Buzëqesh ai... e buzëqeshja është ...” ( flori, lumturi, dhembshuri )
Kjo mënyrë e shkrimit në vargjet e poezisë “Sytë janë...” ku autori    pas përsëritjes së pyetjes, në vargun e fundit të çdo strofe,    jep përgjigje përfundimtare: “Zgjim i jetës”    duke treguar qëndrimin e tij për situatat që krijohen.
 Është si    kurreshtja fëminore ajo, çfarë    e nxit mendimin e tij për të realizuar analiza të shumëanshme të situatave , të paqarta, të pakuptueshme dhe të panjohura të cilat ashtu siç krijohen realisht i shpreh me një gjuhë të pasur dhe të bukur artistikisht duke reflektuar    me qëndrimin e tij.    Kuptohet se çdo element i jetës njerëzore bëhet objekt i shkrimit të autorit,    gjë e cila mundëson pasurimin e tematikës gjithëpërfshirëse të    jetës në vendlindje.
Me të njëjtën forcë    mendimi e guximi poeti    reagon ndaj padrejtësisë njerëzore, çrregullimit dhe shkatërrimit të bukurise natyrore    dhe shpërdorimeve që i shkaktojnë vendit të tij keqdashësit. Shqetësohet edhe për motin    që    “Nuk e di se çfarë ka ky mot...” kur zemërohet e bëhet i paqëndrueshëm,( nënkuptohet kohë e trazuar), për    veten që e sheh      “Të harruar në vetmi ” në planetin bosh, ( nënkupto emigrimin), Ashtu edhe në poezinë “Dilemë” flet për( ankthin që përpëlitet në heshtjen e natës.) ose tek    poezia “Loti...” i cili përballon çdo torturë, vetëm kur ndjen dhembjen sheh që (Në faqe    i rrëshqet/ nuk duroi...).  Zemërohet me padrejtësitë që i bëhen vendit    të tij si    nga “Barbarët e detit”    ( ca pushtues hiena , detin seç ma pushtuan/ folenë time të bukur si barbarë e shuan).
Prirja e tij letrare është    sa instiktive aq edhe e ndikuar nga realiteti ku ai jeton.    Problemet sociale, marrëdhëniet me njerëzit, puna e përditshme sukseset dhe dështimet trazojnë ndjeshmërinë e shpirtit delikat dhe e nxisin mendimin të gjejë një mbështetje shpirtërore që ta çlodhë e ta qetësojë...   
‘Ndodh të më akullnohet shpirti/ dhe natyrën ma bën bardhëzi/ ma rrokullis diellin mes mjegullës/ m’i mpijnë krejt buzët, kur të puth ty.// kaltërsinë i vodhi edhe lumit tim/ në breg ngela si murg i vetmuar/ ca zogj seç më thonë nga rrepet/ ilaç i trishtimit shpirt i vargëzuar.’
Vitet flasin, këndojnë e qeshin, lëndohen, grinden dhe trishtohen. Gjithçka sjell natyra përjetësohet aty në shpirtin human të poetit që nuk gjen dot qetësi. “Poezia” tregon se    vetëm poezia është ngushëllimi i tij...               
    “Sot, një vogëlush” , është poezia që sjell një natyrë humane të autorit, një qasje urtësie... vargje të ëmbla dashurie, me dhembje e lehtësi hyjnore përcjell bukur te lexuesi,    pa e lënduar atë edhe pse në thellësi ndjehet vuajtja shpirtërore.
“ Sot/ Vogëlushit i buzëqeshi,/ Një diell me dyer e dritare// Ai u lumturua me të/ e si flutur vrapoi drejt tij/ E dorën e nënës harroi// ...
 Derën, Piter Pani ia hapi duke qeshur/ Dhe i shaloi një kalë të bukur, të bukur//...
Një dorë ëngjëllore i mori dorën/ Ta ndihmojë të ngjisë shkallët e diellit.”
 Si Ilaç i trishtimi, sjell një shpirtit i vargëzuar që e mbart këtë ndjesi edhe tek poezia “U mplak planeti im...”    kur shkruan: ‘ Ky planeti im i plakur ka një kollë të rëndë/
E lanë të gjithë... Reagon me një tjetër përshkrim “vizatimor” ku rrëfen për vendlindjen e tij planetare e cila pak nga pak po boshatiset nga banorët që kanë marrë udhët pa kthim e shkojnë në mërgim. ‘ Çapitet shpirti im në mjegull/ mes udhës së paudhësisë.’ –tek poezia “Përpëlitet shpirti”
Autori është i bindur që    vazhdimësia e jetës njerëzore nuk do të resht. Vendlindja e bukur e tij do të vazhdojë të mahnisë gjithësesi. Ngjyrat e errëta nuk mund ta fshehin ndriçimin e diellit dhe kaltërsinë e jetës, me medaljon do ta qëndisë.
Prandaj autori i rikthehet vendit të tij të lindjes me poezinë “Shtëpisë sime në fshat”. Me vetëdije flet se ‘Një ditë edhe unë do të iki...’ dhe si të gjithë njerëzorët,    lë amanetin e tij tek    Dielli e hëna që i falën dritë jetës,    tek dallëndyshet që i bënë shoqëri, tek mali hijerëndë që u bë mburojë dhe tek pranvera e bukur që i fali dashuri.
Një rrotullim 360 gradë, me një stil figurativ (Epanastrofeja), na çon    përsëri në vendin ku filloi rrëfimi, tek ulliri i gjyshit, pranë shtëpisë ku u rrit.      Shalli kaltërosh vijëzuar me ngjyra ylberi , hedhur krahëve    të vendlindjes përqafim, i ngroh shpirtin dhe    vazhdon t’i falë dashuri...   
Poezia “Aty e gjeta ullirin”- një skicë mbresëlënëse që autori e kompozon në pak vagjet një ngjarje të tërë të jetës së tij:
Aty e gjeta/një ditë janari kur linda/ ai më përshëndeti me degët e tij për paqe...
Aty e kisha/ agut më vinte kurorë gjethet e tij/ dhe më përcillte i buzëqeshur...
Aty e kam/ rrënjëpashkuluri i pragut të shtëpisë/ jetëgjati, i urti, i paqti mik i besnikërisë...
Aty e lë/ Me sytë gjithmonë nga dielli/ të mbretërojë...të mbretërojë sa qielli.
Vëllimi poetik “Më përqafojnë kaltërsitë”, një vepër artistike e veçantë si në formë dhe në përmbajtje përmbledh gjithë jetën e autorit pranë vendlindjes së tij,    në këtë hapësirë të kaltërsisë së pafundme që nuk ka kufi...