Rifat Ismaili - Ese

Rifat Ismaili - Ese
Ese
 
TË JESH VETVETJA 
 
Një temë mjaft interesante dhe që prek në thellësi te qenies dhe shpirtit të njeriut. Sot të jesh vetvetja, nuk është e lehtë. Ambienti shoqëror, njerëzit të cilët të rrethojnë, mundësitë e punësimit, mospasja dhe varfëria, dhe mjaft kufizime të tjera nuk të lejojnë të jesh plotësisht vetvete. Por përveç kësaj, edhe bota e madhe, me makro jetën me një mijë fille të mistershme, globalizmi, teknologjia, ideologjitë, partitë, pushtetet dhe qeveritë, nuk të lejojnë të jesh vetvetja. Pra, të jesh Vetvetja sot, për mua është si të jesh duke luftuar në një arenë gladiatorësh me tigra e luanë. Të jesh vetvetja, është një kusht i domosdoshëm për ruajtjen e identitetit njerëzor, dhe për të përcjellë vlerat më të mira tek pasardhësit e tu.
Por akoma më e rëndësishme është një përqindje e lartë e Vetvetes në të bërit art. Kjo sepse arti në vetvete është një intimitet i thellë dhe i fshehur që pluskon qiejve të shpirtit tënd, dhe pret me padurim të shpërthejë e rilindë nga honet e dijes dhe pavetëdijes për t'u materializuar, për tu ringjallur në mijëra forma të ndryshme, për tu kristalizuar si diamant në oqeanin e pafund të kujtesës dhe mendimit. 
Kur shkruan përjeton një lloj ndërlidhjeje hyjnore mes teje dhe forcave të padukshme të mendimit, mes teje dhe engjëjve, mes teje dhe Zotit. 
Të shkruarit është një rrjedhje e pandalshme që del nga brenda qenies si llavat vullkanike, dhe me hirin e magjepsur djegin shpirtrat e përzhitur të atyre që e adhurojnë dhe e duan me të vërtetë artin. 
Të shkruarit të kthen për disa çaste në një rang me Zotin. 
Prandaj dhe e meriton dhe e gëzon fjalën krijues.
Të jesh vetvetja është gjëja më e rëndësishme kur shkruan. Çdo njeri është një pasqyrë më vete që reflekton dritën dhe ndjeshmërinë e tij. Të gjithë njerëzit janë të pangjashëm me njëri- tjetrin. Ndaj eksperienca personale, përjetimi i një dashurie, i një emocioni apo një hidhërimi, janë përjetime të pazakonta, personale, të pangjashme dhe të pakthyeshme në kohë. 
Gjatë udhëtimit njerëzor dhe poetik, do takojmë rrugës mjaft shpirtra binjakë dhe do bëjmë me ta një copëz rruge. Por në çdo udhëkryq, secili rishtas do ndërmarrë pelegrinazhin e tij drejt visesh të panjohura për veten dhe të tjerët , me forcën e kërkimit dhe rizbulimit të universit dhe Vetvetes.
Ndaj të jesh Vetvetja, do të thotë , të sjellësh risi dhe origjinalitet, të përcjellësh mendimin tënd të pangjashëm me mendimin e tjerëve, të përcjellësh rrahjet e zemrës tënde dhe ndjesitë turbulluese të shpirtit tënd unik.
Njeri apo krijues qofsh, ji Vetvetja!